Programuesi dhe eksperti i njohur i IT-së, Genti Progni, në një intervistë të dhënë së fundmi është shprehur i bindur se disa persona po tentojnë të krijojnë grupimet e tyre politike në sajë të protestës së qytetarëve. Në mesin e 20 personave që Progni pretendon se duan të fitojnë protagonizëm nga kjo protestë, renditet dhe emri i regjisorit të njohur Kastrito Çipi, i cili menjëherë ka përgënjeshtruar deklaratën e programuesit.
Në një reagim të bërë në Facebook-un e tij Çipi thekson se është e pavërtetë që ai synon të bëhet protagonist në sajë të një proteste qytetare. Duke nënvizuar se ai ai prej ditësh ndodhet jashtë Tiranë, ndryshe nga seç programuesi pretendoi se e ka parë të pranishëm në protestë, Çipi kujton se herën e fundit që ka qenë në protestë ishte fundjava e kaluar, kur ai dhe u takua personalisht me Prognin.
“Pardje nuk ka shanse të më kesh parë askund në Tiranë, sepse kam qenë dhe jam ende jashtë Shqipërisë, duke punuar. Kam ardhur në Tiranë fundjavën e kaluar dhe ato ditë kam ardhur edhe në protestë, madje jemi takuar edhe bashkë për pak çaste e kemi shkëmbyer nja dy mendime” shkruan Çipi.
Në lidhje me pretendimet se regjisori është parë i pranishëm në tubim krah Fatos Lubonjës, Çipi nënvizon se me publicistin shqiptar për herë të fundit është parë në fundjavën që lamë pas, në një bar pranë kullave binjake për hartimin e një deklarate në mbështetje të protestës.
“Fundjavën e kaluar jam takuar me Fatos Lubonjën dy herë, në një bar prapa kullave binjake, i ftuar nga aktivisti Petrit Levendi, për të hartuar e nënshkruar një deklaratë në mbështetje të protestës. Në takime kanë marrë pjesë edhe 7-8 vetë të tjerë, të gjithë persona publikë, emrat e të cilëve nuk është e nevojshme t’i citoj, pasi secili prej tyre ka nënshkruar deklaratën. Pikërisht ata të dy, që përmend ti, av. Altin Goxhaj dhe pedagogu Shpend Gashi nuk kanë qenë në takime. Nuk e di a kanë qenë të ftuar apo jo” thekson më tej regjisori.
Po ashtu regjisori thekson se nëse do të kishte nevojë për protagonizëm nga kjo protestë, ai do të kishte marrë fjalën për të mbajtur fjalim përpara mijëra njerëzve, diçka që nuk e bëri.
Pjesë nga intervista në “Dekalog”, Dritare.Tv:
Gent Progni: Po bëhen bashkë disa persona, në sajë të protestës për të krijuar diçka të vetën, ose parti ose grupim.
Roland Qafoku: Ka përpjekje për të bërë një grupim politik që të përfaqësojë protestën?
Gent Progni: Po, dje është bërë një takim Lubonja me disa intelektualë. Ishte një listë, Kastriot Çipi më dukët, Altin Goxhaj, Shpend Gashi. Ishte një grup prej 20 vetash. Komplet rastësisht thjesht i pashë aty kur kalova. Pra nuk i mohojmë dot këto gjëra. Ka njerëz që duan të krijojnë protagonizëm, duan të krijojnë parti të reja, duan që ndoshta nesër të bëhen deputetë të pavarur. Fakti që s’ka kokë është gjë e mirë nga eksperienca ime prej 5 vitesh.
Reagimi i plotë i Kastriot Çipit:
I dashur Gent Progni, meqë njihemi, do të kishe bërë mirë të më kishe pyetur, përpara se të më përmendje emrin, në podcast-in “Dekalog” të gazetarit Roland Qafoku.
Ti thua se dje (dmth pardje, sepse intervistën e ke dhënë dje) është bërë një takim intelektualësh (Fatos Lubonja etj), për të cilin nuk kishe dijeni, por i ke parë (ose na ke parë) rastësisht. Thashë “i ke parë ose na ke parë”, sepse nuk del e qartë nga përgjigja jote, nëse më ke parë mua në atë takim. Për këtë grup qytetarësh, ti thua se duan të krijojnë një grupim, ose parti, ose të marrin pjesë në zgjedhje si kandidatë të pavarur, të bëhen protagonistë. Ti shpreh gjithashtu bindjen tënde se në këtë moment nuk duhet të krijohet asnjë listë qytetarësh.
Po të më kishe pyetur, do të të kisha sqaruar si vijon:
1. Pardje (16 maj) nuk ka shanse të më kesh parë askund në Tiranë, sepse kam qenë dhe jam ende jashtë Shqipërisë, duke punuar. Kam ardhur në Tiranë fundjavën e kaluar dhe ato ditë kam ardhur edhe në protestë, madje jemi takuar edhe bashkë për pak çaste e kemi shkëmbyer nja dy mendime.
2. Po të kisha nevojë për protagonizëm, do të kisha kërkuar fjalën dhe besoj, në mos ditën e parë, të dytën apo të tretën, do të ma kishit dhënë, apo jo?
3. Erdha në fundjavë për të regjistruar podcast-in tim dhe doja shumë të kisha njërin nga ju në studio. Nuk e regjistrova dot, sepse ju shkuat të gjithë në Rrjoll, të shtunën e kaluar.
4. Fundjavën e kaluar jam takuar me Fatos Lubonjën dy herë, në një bar prapa kullave binjake, i ftuar nga aktivisti Petrit Levendi, për të hartuar e nënshkruar një deklaratë në mbështetje të protestës. Në takime kanë marrë pjesë edhe 7-8 vetë të tjerë, të gjithë persona publikë, emrat e të cilëve nuk është e nevojshme t’i citoj, pasi secili prej tyre ka nënshkruar deklaratën. Pikërisht ata të dy, që përmend ti, av. Altin Goxhaj dhe pedagogu Shpend Gashi nuk kanë qenë në takime. Nuk e di a kanë qenë të ftuar apo jo.
5. Deklarata është bërë publike në media dhe në disa raste është shpallur si themelim partie, por ti e kupton se kjo është punë e mediave, jo jona. Edhe kolegu Qafoku, intervistën me ty e ka titulluar “Krijohet partia e protestës! Gent Progni zbulon emrat.” (?!)
6. Në të dy takimet, Fatos Lubonja ka përsëritur qëndrimin e tij të prerë, për të mos u angazhuar personalisht në asnjë lloj grupimi, lëvizjeje me logo, apo partie të re. Ai propozoi të nënshkruanim një deklaratë mbështetjeje dhe ashtu u bë.
7. Për sa më takon mua, unë kam shpallur publikisht, të paktën qysh prej vitit 2018, bindjen time se Shqipëria ka nevojë për një parti të re, të bazuar mbi demokracinë direkte të modelit zviceran, që refuzon ndarjen klishe “e majtë – e djathtë”. Këtë bindje e kam edhe sot dhe nuk ndihem aspak i kompleksuar nga akuzat për “protagonizëm”.
8. Nuk do të bëhem kurrë anëtar i një grupimi, që synon kapjen e kësaj proteste. Siç ua kam thënë publikisht, por edhe privatisht miqve të mi, që janë pjesë e grupit organizator, ju duhet të organizoheni për të mirën e protestës, të artikuloni një listë me kërkesa dhe – më e rëndësishmja – të vendosni si do të veproni në të gjithë skenarët e mundshëm.
9. Pavarësisht se çfarë bëni ju me protestën, unë do të vazhdoj të përpiqem, të bind njerëzit që njoh, se na duhet ajo partia e bazuar në demokracinë direkte dhe do të duartrokas këdo, që merr nismën për të krijuar një parti të re, “të djathtë” apo “të majtë”, boll që të jenë demokratike, sovraniste dhe konservatore dhe për këtë nuk do t’i marr leje askujt.
10. Të premten do të jem sërish në Tiranë dhe të ftoj të diskutojmë së bashku në podcast-in tim, si mund të bashkëpunojmë, nisur nga dy qasje të ndryshme, për rrëzimin e sistemit, jo thjesht të Ramës.
PS: Ata që janë të interesuar për citimin e saktë, mund të dëgjojnë minutën e 28-të të videos.
