Sot regjistrohet dita e 9 që qytetarët shqiptarë do të “zbarkojnë” sërish me flamuj në duar, poshtë zyrës së kryeministrit Edi Rama, ndërsa një detaj i rëndësishëm i këtij tubimi ka dalë në pah.
“Pse në protestë mungon flamuri me ngjyrë blu, ai i Bashkimit Europian?”, kjo është pyetja që ka ngritur dhe pedagogia e fushës së Shkencave të Komunikimit dhe Gazetarisë, Jonila Godole.
Në një reagim të bërë ditën e sotme, Godolja shkruan se shqiptarët, ashtu siç e kanë dëshmuar dhe sondazhe të shumta, njihen si populli më pro BE-së, ndërkohë që në protestë as nuk duket gjëkundi flamuri i “ëndrrës së tyre”.
Më tej, pedagogia ngre pyetje se mos ky veprim, pra mungesa e flamurit të BE-së, lidhet me faktin se disa nga mediat financohen nga Europa?!
Në përmbyllje të reagimit, Godole shkruan se ky është një mesazh i qartë për Brukselin: Të rinjtë po i kthjenë shpinën Europë, sipas pedagoges.
Reagimi i plotë i Jonila Godoles:
Në podcastin #PublicSquare Ditmir Bushati vuri re diçka që nuk është komentuar deri tani - se në protestat e fundit mungon flamuri i BE-së. Valëvitet vetëm ai kuqezi.
Kjo të bën të mendosh. Shqiptarët mbeten ndër popujt më pro-BE, edhe sipas sondazheve. Prandaj mungesa e flamurit blu nuk mund të shpjegohet thjesht me rritjen e atdhedashurisë.
Por, mbase sinjalizon diçka tjetër. Për vite me radhë, BE ka investuar në forcimin e shoqërisë civile, medias së lirë dhe institucioneve demokratike në Shqipëri. Megjithatë, tek një pjesë e qytetarëve është krijuar përshtypja se, për hir të stabilitetit në rajon, Brukseli ka qenë shpesh më i gatshëm të dëgjojë qeveritë sesa shoqëritë.
Kur politikanë (që një pjesë e qytetarëve i konsiderojnë përgjegjës për korrupsionin, emigracionim dhe mungesën e perspektivës) fotografohen vazhdimisht krah liderëve europianë dhe përgëzohen për „progresin“, krijohet një hendek mes mesazhit të tyre zyrtar dhe përvojës së përditshme të njerëzve.
A ka lidhje kjo me mungesën e flamurit të BE-së në protestë? Nuk e di. Ironikisht, kërkesat e protestës: mbrojtje mjedisi, transparencë, shtet i së drejtës, janë vlera thelbësisht europiane, pavarësisht se flamuri mungon. Ndoshta ky është mesazhi më i qartë për Brukselin. Që të rinjtë nuk po i kthejnë shpinën Europës. Por i kujtojnë asaj se stabiliteti rajonal nuk mund të jetë justifikim për të toleruar gjithçka.
Dhe kjo është një pyetje që duhet të shqetësonte edhe vetë Brukselin.


