Është vetëdorëzuar mbrëmjen e sotme (15 maj) në Policinë e Fierit, vrasësi i efektivit të “Shqiponjave”, Azgan Mernica.
Pas më shumë se 48 orësh kërkim nga policia, 23-vjeçari ka vendosur që t’i japë fund arratisë mbrëmjen e kësaj të mërkure duke u dorëzuar vetë para bluve të qytetit të Fierit.
Prej 13 majit i riu ishte kthyer në shqiptarin më të kërkuar në vendin tonë. Mesditën e së hënës në fshatin Baltëz të Fierit, ai vrau me një plumb në kokë efektivin e “Shqiponjave”, Novruz Cenalian. Sipas policisë, sherri midis tyre ka nisur për arsye banale, konkretisht për parakalim në rrugë, i cili pastaj ka agravuar në përdorimin e armës nga Mernica.
Pasi qëlloi për vdekje 28-vjeçarin, i riu u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes. Pas atij momenti një operacion i gjerë u shtri në të gjithë fshatrat panë Baltëzës, në hyrje/daljet e Fierit dhe ato të qyteteve të tjera fqinje.
Policia e Shtetit “u ngrit në këmbë” dhe vendosën në dispozicion 30.000 euro për çdo informacion të vlefshëm që i çonte në lokalizimin e Azgan Mernicës. Ndërkohë, theksojmë se Prokuroria më herët ngriti 2 akuza për 23-vjeçarin për veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”
Kujtojmë se ditën e sotme, u zhvilluan në teatrin “Bylis” homazhet në nderim të efektivit Novruz Cenalia. I pranishëm në këto homazhe ishte edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla, deputetja Ermonela Felaj dhe drejtuesi i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.
E gjithë kupola e policisë së Fierit mori pjesë në këto homazhe, ku i shprehën ngushëllime familjarëve dhe i dhanë lamtumirën kolegut të tyre të dashur. Ai u përcoll më pas mes lotësh për në banesën e fundit nga miqtë, familjarët si dhe kolegët.