Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

Mario Ashiku feston 85-vjetorin e lindjes, rrëfimi i veçantë për revistën Newsbomb, shanse e dyta dhe një jetë e jetuar bukur

Shkruar nga Newsbomb
Mario Ashiku feston 85-vjetorin e lindjes, rrëfimi i veçantë
Mario Ashiku

Mario Ashiku, personazhi karizmatik i kinematografisë shqiptare ka festuar 85-vjetorin e lindjes. Miq, të afërm dhe kolegë i kanë uruar Ashikut 85-vjetorin e lindjes.

Pak kohë më parë, Ashiku ka bërë një rrëfim të gjatë për Revistën Newsbomb.al me gazetaren Suada Daci.

Shkrimi i plotë në Revistën Newsbomb.al

Mario Ashiku, personazhi karizmatik i kinematografisë që erdhi rastësisht në ekranin e vogël pasi u përzgjodh nga shkolla e sporteve, vuri një gur të rëndësishëm në gdhendjen e personazheve të dashur për publikun. Shok banke me Vaçe Zelën dhe mik me Lasgush Poradecin, djaloshi i pashëm n’a rrëfen mes kujtimesh kohën e bukur që kaloi në Moskë me filmin “Furtuna” dhe rrugën drejt artit shqiptar.

Nuk e mbaj mend ekzaktësisht numrin e personazheve që kam arritur të intervistojë deri tani ama di të them që Mario Ashiku është personaliteti më i bukur (në pamje po e po, por edhe në shpirt). “Kot ke ardhur të më intervistosh, sepse ti i ditke të gjitha”, më thotë aktori i njohur, por jam e bindur që ashtu si unë edhe ju do të lexoni, rrëfime e kujtime tejet interesante të një legjende të gjallë të artit shqiptar.

Mario Ashikut nuk i është zbehur aspak bukuria e rinisë së tij, ai është sot 84 vjeç dhe ka një memorie brilante sepse kujton me detaje çdo episod fantastik (dhe jo vetëm) të karrierës së tij. Lindi në Shkodër në vitin 1939 dhe besoj se ua merr mendja sepse quhet “Mario”?!…

“Emrin ma ka vënë im atë. Në kohën kur linda unë emrat italianë kanë qenë shumë në modë edhe kjo ka qenë arsyeja. Shumë vite më pas një gazetare më ka thënë që nuk e kishte dëgjuar kurrë emrin tim dhe unë i tregova një histori. Kam punuar në Brakë dhe aty dëgjoje vetëm emrin “Mario” kështu që nuk është ndonjë emër kaq i veçantë i thashë… Ndërsa “Ashiku” është fjalë turke, që domethënë (qejfli) por nuk e kam justifikuar aspak mbiemrin tim”, thotë me humorin e tij tipik shkodran Mario Ashiku.

Në fakt, fisi Ashiku ka qenë dinasti e madhe në fushën e farmaceutikës. Gjyshi i Marios, Ndoc Ashiku përfundoi studimet në Itali dhe e kishte farmacinë në Pazarin e vjetër.

“Babai im e kishte farmacinë në qendër të qytetit, kurse Alfredi (xhaxhai që duket se është dhe pika e tij më e dobët), pasi u kthye nga studimet, hapi një farmaci në Tiranë. Kur Alfredi u fut në burg, im atë, u trasferua në Tiranë dhe u bë drejtori i farmacive”, tregon Mario Ashiku për traditën e familjes së tij që ai vetë nuk e ndoqi. Megjithatë duket se ka një dobësi të madhe për xhaxhanë e tij, që për shkak të bukurisë u internua nga regjimi komunist.

“Kam një ngjarje shumë të dhimbshme, xhaxhai im ka ndërruar jetë në moshën 46 vjeçare në Vlorë. Ai ka qenë tepër i bukur, 1.96 i gjatë dhe punonte në spitalin e Vlorës. Me të mbaruar shkollën e lartë të arteve ne dolëm në turne me veprën “Shumë zhurmë për asgjë” dhe një nga qytetet që duhet të interpretonim ishte Vlora. Unë mora 20 bileta dhe ua çova kolegëve të xhaxhait tim që ata të vinin të më shihnin në shfaqje. Teksa i shihja ata të ulur në rresht të parë kujtoja xhaxhin dhe vetëm qaja. Skenat e humorit i kam bërë me lot në sy dhe mirë që ishte verë, lotët ngatërroheshin me djerësët”, kujton i prekur Mario Ashiku.

HUMBËM NJË MËSUES FISKULTURE POR FITUAM NJË AKTOR...

Në të gjithë bisedën tonë kuptova që fati (edhe pse ndonjëherë i zi) ka qenë shpesh në krahun e Mario Ashikut. Ai tregon se pasi mbaroi gjimnazin “Qemal Stafa” u regjistrua në Fakultetin e Sporteve. Në atë kohë u bë një dokumentar për këtë shkollë dhe këto pamje i ranë në dorë grupit rus që do të realizonte filmin “Furtuna” dhe ja këtu nis gjithçka e bukur në jetën e tij… “Ata panë fotot e mia ndërkohë që unë unë nuk isha fare në dijeni dhe një ditë më bie dera e shtëpisë. Kërkojmë Marion më thonë. Unë jam u thashë. Po pate dëshire eja nesër në Teatrin popullor sepse do të zhvillo hen disa kinoprova. Unë kur isha në gjimnaz kisha bërë disa shfaqje në shkollë dhe përpara se të regjistrohesha në universitetin e sporteve në periudhën që isha bosh, thashë hajde po shkoj po konkurroj njëherë edhe për aktor. E mbaj mend si tani në komision ka qenë Pandi Stillo. Ai më tha: “a ke përgatitur ndonjë material”.

Dhe unë i thashë se di të bëj vetëm një shfaqje me skeçe që kemi realizuar në shkollë. Me atë naivitetin e një 18 vjeçari fillova t’a interpretoja. Bëja dhe rolin tim dhe të të tjerëve. Ata filluan të qeshnin dhe Pandi Stillo më tha: “këto materiale nuk janë të përshtatshme për ty, kështu që duhet të përgatisësh diçka tjetër. E ke parë shfaqjen “Intrigë e dashuri” të Mihallaq Luarasit, aty interpretonte Naim Frashëri dhe Drita Pelinku. (Unë e kisha parë shumë herë atë shfaqje). E ke parasysh rolin e Ferdinandit merr një monolog dhe përgatite”. Fillova të përgatisja pa i thënë askujt dhe një ditë teksa bëja prova shokët më dëgjuan dhe qeshën me mua, kështu që e lashë fare”, tregon ai.

POR LE TË KTHEHEMI EDHE NJËHERË TEK FILMI “FURTUNA”…

Për këtë film kishte foto të disa pretendetëve (si Kujtim Spahivogli apo edhe balerini Besim Zekthi). Rusët donin Arbenin dhe Zanën dhe dëshironin që për këto role të kishin një aktor shqiptar dhe një rus. Mbaj mend që për kinoprovën e parë më kërkuan të vishja një pardesy dhe vesha atë të tim eti, e cila mesa duket më solli fat pasi më përzgjodhën për të bërë rolin tim të parë, atë të Arbenit. Ndërsa në rolin e Zanës do të zgjidhej aktorja ruse Ariadna Shengelaya, e cila kur erdhi në Shqipëri nuk kishte shumë kohë që ishte martuar me një regjisor rus dhe ishte bërë edhe nënë”, kujton ai.

PROBLEMI I EMRIT MARIO…

Nuk e di sesa të vëmendshëm keni qenë dhe nëse ju ka rënë rasti të shihni titrat në fund të filmit, por emri Mario Ashiku nuk del askund. Emri i shënuar në fund të filmit është Arben Ashiku. “Në fakt u bë pak problem për kohën pasi ky ishte një film shqiptar dhe të dy heronjtë ishin të huaj. Në fillim donin të ma vinin emrin Marin, si Marin Barleti dhe pastaj më vunë emrin Arben. Këtë emër e mbajta edhe tek filmi “Debatik”, ndërsa më vonë në të gjitha filmat që kam interpretuar kam patur emrin tim”, thotë aktori i njohur.

RRUGËTIMI I BUKUR I “FURTUNËS” DHE QËNDRIMI NË RUSI…

“Furtuna” është xhiruar në rrugicat e Elbasanit, në Durrës, në kalanë e Krujës, kurse skenat me zbarkimin e flotës angeleze janë xhiruar në Krime, dhe interieret janë xhiruar të gjitha në Moskë.

“Kam qëndruar 4 muaj atje dhe ato janë 4 muajt më të bukur të jetës sime, për disa arsye të thjeshta. Isha 20 vjeç, kisha një liri të plotë që mungonte në Shqipëri. Ata kishin një plan shumë të saktë pune, mjaftonte të isha në rregull me orarin e xhirimeve, pastaj mund të bëja ç’të doja. Duke bërë krahasimin me komunizmin këtu dhe në Rusi, atje ishte komplet tjetër gjë.

Asokohe ishte periudha e Hrushovit dhe atje ndihej një lloj liberalizimi. Nuk harroj kurrë një moment shumë të bukur në jetën time. Ne ishim në tren dhe në kabinë isha unë me dy shqiptarë të tjerë dhe Ara (kolegia ime). Ishte data 29 korrik, datëlindja ime dhe po ktheheshim për në Moskë. Na bie dera e kabinës, shohim një kamariere që sjellë një tortë, një shishe shampanjë, çokollata etj. Ne pamë njëri-tjetrin në sy të habitur ndërsa Ara tha: “po këto i kam porositur unë se sot ke ditëlindjen”. U emocionova shumë për këtë gjest të sajin, është një nga momentet më të paharrueshme të jetës sime”, thotë aktori i njohur. Andaj instiktivisht e pyes nëse ka shkuar më në Rusi dhe ai thotë prerë “jo”. Ndërsa përsa i përket gjuhës me të cilën merrej vesh në sheshxhirim ishte rusishtja sepse në gjimnazin Qemal Stafa, Mario Ashiku kishte mësuar të fliste në këtë gjuhë. E nëse do flasim pak për periudhën e gjimnazit të tij ia vlen të ndalemi pasi Mario Ashiku ka qenë shok banke me këngëtaren e madhe Vaçe Zela.

“Po Vaçen e kisha shoqe banke. Kemi patur marrëdhënie shumë të mirë shoqërore. Ajo vitin e fundit iku në liceun artistik dhe unë shkoja e vizitoja shpesh edhe në lice. Më dukej sikur atje në fillim nuk e ndjente veten mirë, prandaj dhe shkoja e vizitoja çdo ditë. Kemi ruajtur gjithnjë një marrëdhënie shumë të mirë edhe kur ajo u bë shumë e njohur, por secili mori drejtim e tij në jetë dhe nuk n’a binte rasti që të takoheshim shpesh”, thotë aktori i njohur.

Ndërsa përgjigjen më të bukur ma jep kur e pyes pse nuk u martua në Rusi? “Sepse sapo kisha një lidhje romantike me këtë gruan që kam edhe sot. Nuk gjeta ndonjë konkurrente më të mirë për ta zëvendësuar”, thotë duke qeshur Mario Ashiku duke n’a treguar edhe historinë e dashurisë me mjeken Greta, me të cilën ka tre fëmijë, Fredin, Blandin dhe Albën. “E njoha krejt rastësisht. Pasi mbarova maturën, fillova punën në Mëzez. Atë vit për 1 maj nxënësit e shkollës së Mëzezit do të vinin për manifestim në Tiranë dhe ne kaluam nga rrugica e Selvisë. Aty e kishte shtëpinë bashkëshortja ime, e cila kishte dalë në dritare bashkë me motrat e saj.

Tek rrugica e saj, kisha edhe një shok të ngushtë të gjimnazit që ishte komshi me familjen e bashkëshortes sime dhe aty krijuam një grup shoqëror, ku dilnim shumë shpesh së bashku dhe kështu nisi gjithçka. Por a ka qenë ajo xheloze për bashkëshortin e saj aktor dhe sharmant? Aktori i njohur qesh dhe kthen një nga ato përgjigjet e tij atipike. “Ka patur një xhelozi krejt normale”.

ROLET E TJERA NË KINEMATOGRAFI…

Mario Ashiku ka patur individualitetin e tij si artist. Pas diplomimit, ai u bë një aktor i Teatrit Kombëtar. Përveç roleve të shumta teatrale, ka fituar 13 role në filma artistikë. “Gracka”, “Toka Jonë”, “Asgjë nuk harrohet”, “Nëntori i dytë”, “Komisari i dritës”, “Tre njerëz me guna”, etj janë filma të kinostudios “Shqipëria e Re” ku ai ka disa prej roleve të tij më të spikatura. “Gracka”, “Nëntori i dytë” kanë qenë filma që i kam luajtur gjatë kohës që më transferuan në Pogradec.

Ka qenë një periudhë shumë e ngjeshur, sepse jam sforcuar shumë”, kujton ai. Kur e pyes se cilin mund të konsideronte rolin e jetës, Mario Ashiku nuk mendohet gjatë por thotë menjëherë “Toka Jonë”. “Toka jonë” është xhiruar në Kosan në Koplik gati në kufi. Ishte një fshat i paprekur, gati gati dekor i paprekur. Për mua një kontribut të madh ka në atë film Dhimitër Anagnosti, i cili ishte kameraman. Për mua Anagnosti është një nga regjisorët më të mirë shqiptarë. Personalisht më ka ndihmuar edhe me vërejtje shumë të sakta dhe ia di shumë për nder”. Shumë nga aktorët që kam intervistuar më kanë konfiduar që nuk i shohin filmat e tyre, e kundërta ndodh me Mario Ashikun.

“Toka jonë” nuk është film i keq, ka atmosferë, dhe është interpretuar mirë nga Marie Logoreci. Por problemi i vetëm është që janë pak filma teatrale, sepse dhe aktorët vinin nga teatri”, rrëfen artisti i njohur i cili që në moshë të vogël ka qenë ngushtësisht i lidhur me teatrin. “Teatër kam ndjekur gjithnjë që në Shkodër, madje shumë nga ato shfaqje i kam ende në kujtesë sidomos “Kopracin” që e ka luajtur Zef Jubani ka qenë një mrekulli. Ai ka qenë një aktor i jashtëzakonshëm, por i lënë pak në hije kjo edhe për faktin që jetonte në Shkodër dhe gjithë vëmendja ishte në teatrin e Tiranës. Ke pasur një aktor të preferuar kur ishe i vogël?! Zefi dhe Tinka, ajo që e re ka filluar të punojë në teatër ka qenë e padisktueshme.

ROLET E REFUZUARA DHE RAPORTI ME FAMËN…

“Ka patur disa role që i kam refuzuar si përshembull “Njeriu me top”, nuk më përshtatej sepse ishte personazh kryesor (i cili është interprertuar nga Timo Flloko) ishte jugor, kam refuzuar gjithashtu edhe filmin “I teti në Bronz”, “Yjet e netëve të gjata” ku do të isha një nga djemtë e nënë Pashakos, por edhe një rol tek filmi “Njeriu i mirë” ku më kërkuan të interpretoja rolin e Vangjush Furxhi.

Ndërsa raportin me famën aktori bukurosh, Mario Ashiku nuk e ka patur hiç të mirë. “Ajo ishte shumë ë vështirë dhe e bezdisshme, sepse nuk shkoja rehat askund. Do të të tregoj një histori. Çiftet e reja asokohe dilnin tek “Kisha tek Liqeni” dhe isha me partneren time. Kur më vijnë afër 20 fëmije dhe filluan të thoshnin “o ky Arbeni i filmit “Furtuna” dhe ne u detyruam të ktheheshim, sepse nuk ishim as të fejuar me partneren time në atë periudhë.

Kam edhe një moment tjetër që kam qenë me Robert Ndrenikën dhe Viktor Zhustin. Pas zborit shkuam në Gjirokastër. Ngjiteshim lart për të shkuar në një lokal edhe atje s’më linin rehat, “Arbeni, Arbeni”, mbaj mend Bertin që më thoshte “n’a çmende”, tregon duke qeshur Mario Ashiku.

POGRADECI DHE MIQËSIA ME LASGUSH PORADECIN…

Pas një pune disavjeçare në Institutin e Lartë të arteve si pedagog i mjeshtërsisë së aktorit pranë regjisorit dhe pedagogut të shquar Kujtim Spahivogli ai u transferua arbitrarisht në Estradën e Pogradecit ku punoi deri në vitin 1986 e më pas shkoi ne teatrin “A. Moisiu” të Durrësit deri në vitin 1990. “Fillimi në Pogradec ishte shumë i vështirë, nuk e njihja fare si qytet. Nuk kisha luajtuar asnjë film. Fillova një punë që s’ishte e zanatit tim, duke më bërë regjisorin e estradës së qytetit dhe u ambientova me shumë vështirësi”, kujton ai. Por pata fatin e madh që u njoha me Lasgushin. Kisha një javë në Pogradec dhe një miku im më prezantoi me të. Sapo i thashë emrin më tha: “çfarë e ke Alfred Ashikun”? “Xhaxha”, - i thashë. “Jeni racë e bukur”, - më tha.

Pastaj më tregoi se si e kishte përjetuar ai kthimin në Pogradec pasi ishte kthyer nga studimet në Vjenë. “Erdha në Pogradec dhe shkova tek shtëpia e prindërve. Sistemova librat dhe dola në dritare. Aty ishte nusja e vëllait që po lante rrobat. Edhe unë i them: “O ti e Stefanit a ka mundësi të më sjellësh një gotë me ujë?” Dhe ajo ma solli. I thashë: “faleminderit të puth dorën”. Pas 10 minutash më erdhi motra, që më bërtiti dhe më tha “ç’ke bërë kështu. S’të vjen turp që i vjen rrotull gruas së vëllait. Po i ke thënë të puth dorën ca do t’i thoje më tepër”. Ky pra ishte Pogradeci… Në darkë kisha ndezur qiri dhe po shkruaja.

Ora ishte 12 e natës. Dëgjoja në kalldrëm zhurma dhe dola në dritare. Pashë që rojet po ndërronin turnin. Dhe roja që do të merrte turnin pyeti kolegun e tij: “Ç’është ajo dritë në atë dritare?” “E mo, - i përgjigjet tjetri,- është ai çmenduri që ka ardhur nga Vjena. Kështu që unë kur erdha këtu, erdha ëngjëll. Edhe ti ëngjëll je, por do bëhesh djall”, -më tha Lasgushi”, përfundon me nostalgji rrëfimin e tij Mario Ashiku. P.S E në fakt nëse do më pyesnin mua për Mario Ashikun di të them vetëm kaq. Deri tani është personazhi më fisnik që kam takuar. Pedagogun më të preferuar të Akademisë së Arteve dhe këtë se them unë… por të gjithë studentët e tij.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese