Amnistia Penale pritet të miratohet këtë të enjte në Kuvend. Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, në një deklaratë për mediat, bëri të ditur se nga zbatimi i kësaj amnistie do të përfitojnë 466 persona, të cilët do të lirohen nga institucionet e vuajtjes së dënimit.
Sipas tij, gjithashtu 869 të dënuar do të përfitojnë ulje të masës së dënimit në kuadër të ligjit për amnistinë.
“Lirohen 466 persona nga burgjet dhe nga këto persona, këtu janë 11 gra dhe 1 i mitur dhe ulet dënimi për 869 persona dhe këtu kemi 8 gra dhe 8 të mitur,. Asnjë person dhe asnjë vepër që është nën juridiksionin e SPAK nuk përfitojnë”, tha Gogu.
Ministri i Drejtësisë komentoi edhe rastin e Marjana Koçekut, e cila një ditë më parë deklaroi në rrjetet sociale se është kërcënuar nga familja Bajraj.
Gogu u shpreh se ky nuk është një lajm politik, por një lajm që i takon drejtësisë duke theksuar se institucionet duhet të zbatojnë urgjentisht detyrën.
"Kur një qytetar, aq më tepër një deputet, sinjalizon për kërcënim, ky nuk është lajm politik, është lajm që i takon shtetit të së drejtës, jam i bindur që institucionet të ngarkuara me ligj duhet të zbatojnë urgjentisht detyrën. Asnjë qytetar nuk mundet të jetojë nën fuqinë e kërcënimit, por kjo është një punë për organet hetimore dhe organet ligjzbatuese, si Policia e Shtetit, si SPAK. Shpreh solidaritet ndaj çdo shqiptari dhe jo më ndaj një deputeti. Kur një koleg deputet shpreh të tilla shqetësime do të thotë që është cenuar institucioni si kuvendi. Është rast që meriton vëmendjen e plotë shtetërore për tu hetuar si një rast”, tha Gogu.
