Policia e Shtetit ka reaguar pas publikimit të dy videove në rrjetet sociale, ku shfaqen dy gra të mbuluara pranë makinave, duke iu afruar fëmijeve që ishin larg prindërve të tyre.
Policia bën me dije se dy gratë që shfaqen në video janë me shtetësi iraniane dhe janë të pajisura me leje qëndrimi në Republikën e Shqipërisë, për arsye humanitare. Këto dy gra i përkasin opozitës iraniane MEK, të cilët janë strehuar në Manës.
Po ashtu “blutë” theksojnë se nuk ka rezultuar që këto shtetase të kenë kryer veprime të kundërligjshme ndaj të miturve.
Ndërsa në njoftim nënvizohet se Policia e Shtetit garanton qytetarët se në këtë rast, nuk ekziston asnjë rrezik për sigurinë e të miturve.
Shfaqja e këtyre dy grave pranë fëmijëve rriti alarmin tek prindërit, ku nuk munguan as supozimet për rrëmbime fëmijësh.
Njoftimi i policisë:
Duke marrë shkas nga një lajmin i publikuar në rrjetet sociale, ku pretendohej se disa gra të mbuluara komunikonin në mënyrë të dyshimtë me të mitur, strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit nisën menjëherë me iniciativë, verifikimet dhe hetimet përkatëse.
Si rezultat i veprimeve të kryera, u bë i mundur identifikimi i dy shtetaseve që shfaqen në videon e publikuar.
Shtetaset, me inicialet M. G. dhe A. G., u shoqëruan më datë 21.04.2026 në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Nga verifikimet e deritanishme rezulton se këto shtetase janë me shtetësi iraniane dhe janë të pajisura me leje qëndrimi në Republikën e Shqipërisë, për arsye humanitare.
Në përfundim të veprimeve hetimore paraprake, nuk ka rezultuar që këto shtetase të kenë kryer veprime të kundërligjshme ndaj të miturve.
Policia e Shtetit garanton qytetarët se, në këtë rast, nuk ekziston asnjë rrezik për sigurinë e të miturve.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për vlerësim dhe ndjekje të mëtejshme.
