Është publikuar foto e Aleksandër Koçekut, i cili mbeti i vrarë rreth mbrëmjen e djeshme në Prekal të Shkodrës.
Mësohet se 40-vjeçari u qëllua me breshëri kallashnikovi dhe mbeti i vdekur në vend. Trupi i pajetë i Aleksandër Koçekut u zbulua nga një kalimtar, i cili konstatoi automjetin dhe viktimën, duke njoftuar menjëherë Policinë.
Nga këqyrja paraprake e grupit hetimor rezulton se autori ose autorët i kanë zënë pritë 40-vjeçarit dhe e kanë qëlluar me breshëri automatiku.
Hetimet e deritanishme janë përqendruar te pista e gjakmarrjes, ku dhe familjarët e viktimës deklarojnë se ai jetonte nën kërcënimin e hakmarrjes që prej vitit 2017.
Pista kryesore e hetimit lidhet me vrasjen e Angjelin Shkambit në dhjetor të vitit 2017, ngjarje për të cilën vëllai i viktimës, Artan Koçeku, po vuan dënimin me burg. Sipas familjarëve, atentati ndaj Aleksandër Koçekut mund të jetë kryer si akt hakmarrjeje për atë krim.
Sipas dosjes hetimore të asaj kohe, Shkambi u ekzekutua pranë varrezave të qytetit të Shkodrës me 10 plumba, ndërsa motivi i dyshuar ishte një borxh prej rreth 40 mijë eurosh.
Ndërkohë, Aleksandër Koçeku ishte nën hetim nga Prokuroria e Shkodrës në lidhje me dosjen e vrasjes së 19-vjeçarit Pavlin Preka, ngjarje e ndodhur në shkurt të 2025-ës. Sipas hetimeve, i riu dyshohej se po planifikonte rrëmbimin e vajzës së Vasel Koçekut me qëllim fejesën me të, pavarësisht se ajo nuk kishte dhënë pëlqimin e saj.
Kujtojmë se 20 vjeçari i ndjerë, Pavlin Preka, ka tentuar të krijojë lidhje me vajzën e Vasel Koçekut, asokohe 16 vjeç, emrin e të cilës mësohet se e ka pasur tatuazh në pjesën e qafës.
Historia, sipas hetimeve, nis rreth vitit 2022, kur Pavlin Preka i kishte kërkuar dorën për fejesë familjes Koçeku. Në atë kohë, vajza ishte vetëm 13 vjeçe, ndërsa Preka 17 vjeç. Kërkesa ishte refuzuar menjëherë nga babai i saj, Vasel Koçeku duke i thënë se nuk kam vajzë për të dhënë sepse është shumë e vogël.
