Është blinduar zona e Apollonisë në Fier, ku dyshohet se fshihet edhe autori që vrau me armë zjarri efektivin e “Shqiponjave”, Nevrus Cenalia.
Burime për media bëjnë me dije se policia ka rrethuar zonën e Apollonisë, pasi dyshohet se atje fshihet autori, i cili sipas raporteve ka akoma me vete armën e krimit.
Bëhet me dije se forcat e policisë po presin që të errësohet plotësisht për të vijuar aksionin e tyre për arrestimin e autorit 23-vjeçar. Po ashtu policia vetëm pak më parë ka sekuestruar edhe makinën e autorit të kësaj ngjarje tronditëse.
Kujtojmë që Novruz Cenalia u qëllua me disa plumba nga Azgan Mercini 23 vjeç, teksa mbante të veshur uniformën e policisë dhe po shkonte të merrte turnin.
Më herët u tha se ngjarja ka ndodhur për hakmarrje, por më pas kjo pistë u hodh poshtë duke thënë se ngjarja kishte ndodhur pas një konflikti të çastit.
Pasi qëlloi për vdekje 28-vjeçarin, Azgan Mernica 23 vjeç është larguar nga vendi i ngjarjes. Një operacion i gjerë është shtrirë në të gjithë fshatrat pranë Baltëzës, në hyrje/daljet e Fierit dhe ato të qyteteve të tjera fqinje. Më herët, neësbomb.al ka publikuar foto nga kontrollet në hyrje të Vlorës, pasi sipas dëshmitarëve autori është larguar me një "Audi" ngjyrë blu.
Sakaq policia ka kryer kontrolle dhe në shtëpinë e autorit dhe kanë shoqëruar në komisariat prindërit e 23-vjeçarit.
Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion 30.000 euro për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në lokalizimin e Azgan Mernicës. Kushdo që ka informacion të telefonojë në numrin pa pagesë 112, pasi Policia e Shtetit ju garanton anonimatin.
Ndërkohë, në një prononcim për mediat nga vendi i ngjarjes drejtori i Policisë së Fierit, Lenc Panganika është shprehur se ligji do të jetë shumë i ashpër për 23 vjeçarin që ka ngritur dorë mbi një punonjës të Policisë së Shtetit. Ai i ka bërë thirrje familjarëve dhe vetë autorit që të dorëzohet.
