Një 43 vjeçar është arrestuar nga Shërbimet e Policisë së Elbasanit, pasi akuzohet se është autor i dyshuar i plagosjes me thikë të ndodhur këtë të premte në lagjen "Luigj Gurakuqi". Sherri banal ka degraduar në përdorimin e thikës dhe i plagosur ka mbetur shtetasi R. B., 59 vjeç.
I plagosuri është dërguar menjëherë në spital dhe ndodhet në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën, ndërsa Policia bën me dije se i ka njoftuar masën e sigurisë "Arrest me burg" sepse pranoi të japë shpjegime për rrethanat e ngjarjes.
Shërbimet e Policisë Elbasan organizuan punën dhe si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe vënien në pranga të autorit të dyshuar, shtetasit M. A., 43 vjeç, banues në Elbasan.
Nga veprimet hetimore dyshohet se në një lokal në lagjen "Luigj Gurakuqi", gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi M. A. ka dëmtuar me mjet prerës, shtetasin R. B., 59 vjeç. Ai nuk ka pranuar të tregojë dhe akuzohet për moskallëzim krimi, pasi njoftimin për ngjarjen e ka bërë spitali.
Me cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti prerës (thikë) i dyshuar i përdorur për ngjarjen.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
