Njëri nga celularët i cili u gjet ditën e djeshme në burgun e Fierit, dyshohet se i përket të dënuarit përjetë Azgan Mërnica, i cili është prapa hekurave për vrasjen e efektivit të “Shqiponjave” Novruz Cenalia.
Burimet bëjnë me dije se iphone u hodh nga njëra prej qelive të burgut të Fierit, ndërsa thuhet se i ka kaluar SPAK-ut për hetime.
Ashtu siç raportoi newsomb.al, ditën e djeshme u kryen kontrolle në burgun e Durrësit dhe të Fierit, nga ku u mundësua arrestimi në flagrancë i një punonjësi të Policisë së Burgjeve, i cili tentoi të fuste brenda burgut lëndë narkotike. Për rrjedhojë, efektivi u pezullua menjëherë nga detyra.
Ndërsa në IEVP-në e Fierit, gjatë kontrolleve të kryera nga drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Agjencia e Mbikëqyrjes u gjetën dy celularë, njëri prej të cilëve thuhet se i përket vrasësit të efektivit të “Shqiponjave”, ngjarje e ndodhur mesditën e 13 Majit 2024, në fshatin Baltëz të Fierit, ku i riu Azgan Mërnica qëlloi për vdekje me plumb në kokë efektivin e “Shqiponjave”, Novruz Cenalia.
Ashtu siç ka raportuar dhe më parë newsbomb.al, sherri mes tyre nisi për parakalim në rrugë dhe agravoi në përdorimin e armës nga Mërnica.
“Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve vijon kontrollet e pandërprera dhe zbatimin e politikës së tolerancës zero ndaj çdo shkeljeje të ligjit dhe cenimit të sigurisë në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.
Në IEVP Durrës, si rezultat i analizës së riskut ndaj punonjësve të evidentuar me prirje për përfshirje në futjen e sendeve të ndaluara, si dhe në bazë të informacionit të siguruar në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, u bë e mundur kapja në flagrancë e një punonjësi të Policisë së Burgjeve, i cili tentoi t’i kalonte një të paraburgosuri lëndë të dyshuar narkotike. Punonjësi u pezullua menjëherë nga detyra, ndërsa gjatë kontrollit fizik iu gjet edhe një sasi tjetër e dyshuar me lëndë narkotike.
Në IEVP Fier, gjatë kontrolleve të ushtruara në ambientet e paraburgimit, u gjetën dhe u sekuestruan dy telefona celularë dhe një fishë karikimi, pa autor të identifikuar.
Të dyja rastet po ndiqen në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale dhe hetimore.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mbetet e vendosur në zbatimin e ligjit dhe forcimin e masave për garantimin e rendit, sigurisë dhe integritetit në të gjitha institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale” njoftoi ditën e djeshme Drejtoria e Burgjeve.

