Pas orësh negociatash vrasësi i efektivit të “Shqiponjave” Azgan Mernica ka pranuar të vetëdorëzohet në Policinë e Fierit. Ashtu si dhe raportuam më herët ai ishte fshehur në fshatin Dërmenas.
Kanë qenë familjarët ata që e kanë bindur Mërnicën që të vetëdorëzohej në polici, pasi e dinin se policia ishte në gjurmët e tij dhe nuk do mund t’i shpëtonte prangave.
Ajo që ka shkaktuar zemërim dhe inat më shumë tek qytetarët është një video që po qarkullon, nga momenti i vetëdorëzimit të autorit në “duart” e policisë, i cili shfaqet i buzëqeshur duke treguar kështu se nuk është penduar për vrasjen e efektivit.
Po ashtu kanë habitur edhe familjarët të cilët kanë për të filmuar momentin, por disa dëgjohen duke i uruar rrugë të mbarë, e një tjetër dëgjohet t'i thotë: “vdeksha unë...”, ndërkohë që ditën e djeshme familjarët kanë përcjellë për në banesën e fundit djalin e tyre, efektivin Novruz Cenalia, i cili u vra nga 23-vjeçari me plumb në kokë, pas një debati në rrugë.
“Azgan vdeksha unë.. Hajt rrugë e mbarë! Zoti para”, dëgjohet duke thënë një nga familjarit e vrasësit të efektivit.
Ndërsa një tjetër dëgjohet duke thënë: “hip e ti në makinë të lutem”.
Në një tjetër moment dëgjohet një burrë që i thotë: “Po të luajti njeri atje brenda”, ndërsa shoferi që drejton mjetin dëgjohet t’i thotë: “është në besën time”.
Azgan alias Asllan Mernica u vetëdorëzua mbrëmjen e së mërkurës (15 Maj), dy ditë pas krimit të rëndë, pas negociatave të policisë me familjarët e autorit.
Prej 13 majit i riu ishte kthyer në shqiptarin më të kërkuar në vendin tonë. Mesditën e së hënës në fshatin Baltëz të Fierit, ai vrau me një plumb në kokë efektivin e “Shqiponjave”, Novruz Cenalian. Sipas policisë, sherri midis tyre ka nisur për arsye banale, konkretisht për parakalim në rrugë, i cili pastaj ka agravuar në përdorimin e armës nga Mernica.
Pasi qëlloi për vdekje 28-vjeçarin, i riu u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes. Pas atij momenti një operacion i gjerë u shtri në të gjithë fshatrat panë Baltëzës, në hyrje/daljet e Fierit dhe ato të qyteteve të tjera.
Ndërkohë, theksojmë se Prokuroria më herët ngriti 2 akuza për 23-vjeçarin për veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”
Njoftoi policia për arrestimin e Mernicës:
Forcat Speciale RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, kanë vijuar pa ndërprerë veprimet operacionale në terren me qëllim kapjen e autorit të vrasjes së punonjësit të Policisë Novruz Cenalia.
Veprimet Operacionale u shtrinë në një perimetër shumë të gjerë në zonën ku ndodhi ngjarja, duke përdorur dronë të cilësisë së lartë, të cilët kanë monitoruar zonën gjatë gjithë kohës. Po në kuadër të veprimeve operacionale, u ngritën pika kontrolli në gjithë akset rrugore, u forcuan shërbimet në pikat e kalimit, në kufirin jeshil dhe blu.
Paralel me veprimet operacionale në terren, policia ka zhvilluar negociata me familjarët e autorit për t'u vetëdorëzuar.
Në pamundësi për tu larguar, familjarët kanë vetëdorëzuar në Polici autorin e vrasjes së punonjësit të Policisë shtetasin Azgan Mernica, 23 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet hetimore dhe procedurale me autorin e dyshuar, Azgan Mernica.