23 vjeçari që qëlloi për vdekje efektivin e "Shqiponjave" në fshatin Baltëz të Fierit i trembej RENEAS. Siç ka deklaruar në komisariat, Azgan Mernica kishte frikë nga futja e forcave speciale në fshat, për shkak se mund të ekzekutohej.
“Në momentin që po më hahej bukë se kisha dy ditë pa bukë, shkova ke shtëpia e dajës. Këta ndërkohë kishin njoftuar policinë se kishin hall se mos më vriste RENEA”, ka deklaruar 23 vjeçari.
Autori i vrasjes së punonjësit të Policisë së Shtetit, Novruz Cenaliaj, në asnjë moment nuk ka shfaqur pendesë për krimin e rëndë. Ai ua ka thënë edhe në sy kolegëve të të ndjerit: Nuk jam bërë pishman për çfarë kam bërë!
Pavarësisht këtyre deklarimeve, Azgan Mernica i trembej përfshirjes së RENEAS në operacion dhe pas negociatave të vazhdueshme për t'u vetëdorëzuar, ai pretendon se ka qenë i fshehur në fshatin Sulaj dhe është njoftuar nga familjarët që të shkonte në shtëpinë e dajës.
Siç rezultoi dhe nga pamjet, ka qenë shefi i Krimeve në Komisariatin e Policisë së Fierit që e ka marrë me makinën e tij në fshat 23 vjeçarin, pranë shtëpisë së dajës së tij, ndërsa në video dëgjohet një person që i thotë të riut "je në besën time".
Këtu shfaqet dhe një tjetër element që e rëndon me tepër pozitën e Policisë së Shtetit.
Në momentin që në vendin e ngjarjes mbërritën Forcat Speciale RENEA dhe ekipet e tjera nga Tirana, të gjitha shërbimet e Policisë së Fierit duhet të rakordoheshin në çdo moment me to, në mënyrë që të arrihej sa më parë në lokalizimin dhe prangosjen e Azgan Mernicës. Por, siç rezultoi efektivët e Fierit janë angazhuar privatisht për të marrë 23 vjeçarin, sikur të ofronin shërbim taksi dhe jo sikur po kërkonin një të ri që u vrau kolegun e që duhet të përballej me forcën e ligjit.
Po ashtu, vetë drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku shkoi në Fier në momentet e para të vrasjes dhe u vu në krye të RENEAS për të koordinuar më mirë njësinë elitë të Policisë së Shtetit, për të prangosur njeriun që përgjaku uniformën e shtetit.
View this post on Instagram
Nga deklarimet e aktorëve të njohur publikë, është bërë e ditur se në fakt Forcat Speciale nuk janë lejuar që të kryenin kontrolle në fshatin Sulaj, fshat ku jetonte autori Azgan Mernica, ndryshe nga sa deklaronte publikisht Policia e Shtetit.
RENEA është njësia elitë e zbatimit të ligjit në Shqipëri dhe ka në ekip negociatorë profesionistë, por në rastin e Fierit ata as nuk janë lejuar të nisin operacion nga toka dhe as të marrin pjesë në negociata. 23 vjeçari u dorëzua pranë një shefi krimesh të policisë lokale, i cili duhet të kishte njoftuar në çdo rast eprorët dhe ekipet e specializuara të mbërritura nga Tirana.
Rasti është konsideruar një dështim për organizatën e Policisë së Shtetit dhe publikisht është kërkuar dorëheqja e drejtuesve, të cilët ditën e qanë efektivin Novruz Cenaliaj, ndërsa natën "shëtitën" si taksi vrasësin që u buzëqeshte nën hundë, Azgan Mernica.
© Newsbomb.al

