
Avokati i Popullit ka reaguar në lidhje me dhunimin barbar të avokatit Sokol Mëngjesi. Përmes një njoftimi, Avokati i Popullit shkruan se ky akt është një sulm i rëndë ndaj profesionit të avokatit dhe sistemit të drejtësisë në tërësi, duke minuar parimet themelore të drejtësisë dhe të shtetit të së drejtës.
"Dhuna ndaj avokatëve është e papranueshme dhe përbën një kërcënim serioz për të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve. Avokatët luajnë një rol kyç në mbrojtjen e të drejtave të individëve dhe në sigurimin e një procesi të drejtë gjyqësor. Sulmet ndaj tyre cënojnë jo vetëm integritetin e tyre fizik dhe profesional, por edhe besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë," thuhet ndër të tjerash në njoftim.
Avokati i Popullit kërkon zbardhjen e ngjarjes nga autoritetet përkatëse dhe një hetim të shpejtë, të plotë e të paanshëm të këtij incidenti, duke kërkuar ndjekjen penale të autorëve dhe sigurimin e mbrojtjes së duhur për avokatët në ushtrimin e detyrës së tyre.
Avokati i Popullit qëndron në solidaritet me avokatin Sokol Mëngjesi dhe me të gjithë avokatët që përballen me sfida dhe rreziqe në përmbushjen e detyrave të tyre profesionale.
Sipas mjekëve, ai ka pësuar dy fraktura pas koke dhe dëmtime te zona e ballit për shkak të dhunës së ushtuar ndaj tij mëngjesin e sotëm. Po ashtu ai ka pësuar një hemorragji të vogël në tru, por aktualisht gjendja e tij shëndetësore paraqitet stabël.
Avokati doli sot në mëngjes për të dërguar djalin në shkollë, por kur është kthyer tre autorët, të pamaskuar i kanë bërë pritë dhe e kanë dhunuar barbarisht. Mëngjesi është dhunuar barbarisht me grushta dhe leva, nga 3 persona.
