Altin Dumani është duke raportuar në Komisionin e Ligjeve, për veprimtarinë e institucionit që drejton krah kolegëve Klodian Braho e Adnan Xholi, si dhe shefes së BKH-së, Aida Hajnaj. Përballë deputetëve, kreu i SPAK po bën një pasqyrë të plotë të punës, nga goditja e grupeve kriminale, te zgjatja e mandatit të prokurorëve dhe bashkëpunimi me Policinë e Shtetit.
Edhe në ballafaqimin e sotëm, Altin Dumani ka ngulmuar në zgjatjen e mandatit të prokurorëve të posaçëm, një kërkesë e tij e hershme.
Kreu i Prokurorisë së Posaçme tregoi dhe sesi e mendon si procesin e zgjatjes së mandatit 9 vjeçar të prokurorit të posaçëm, në kushtet kur krimi dhe grupet kriminale sofistikohen dhe koha e hetimit rritet, koha e qëndrimit në detyrë të prokurorit shkurtohet.
Kërkesa për zgjatjen e mandatit të prokurorit të SPAK
Altin Dumani: Mendoni rastin kur është një hetim që kërkon kohë, mundësi dhe bashkëpunim brenda dhe jashtë vendit. Nga njoftimi publik i çështjes së fundit nuk e mbaj mend sesa agjenci të huaja kanë bashkëpunuar me ne. Por një ditë të bukur prokurorit i ndërpritet mandati. Patjetër do të jetë dikush tjetër, por sa produktiv do të jetë ai tjetri. Dhe në 12 të natës në gjumë do të dish cila është pika e fortë dhe e dobët. Cili është mjeti i kërkimit të provës. Dhe ti nëse në përfundim të mandatit 9 vjeçar do largohesh do të diskutohet fati i çështjes. Do të gjendet një koleg i mirë e profesionist që e bën këtë detyrë më mirë se ne. Por duhet ta trajtojmë nga pikëpamja e institucionit.
Së treti ka të bëjë me sigurinë juridike. Nuk do të ishte normal që prokurorët me disa filtra të kenë status të paqartë. Unë nuk jam shprehur për një mandat në mënyrë automatike. Unë jam shprehur dhe si drejtues të institucionit kam transmetuar se duhet të bëhen ndryshime dhe dhënies së mundësisë dhe rizgjedhjes së prokurorëve në përfundim mandati 9 vjeçar për të rikandiduar. Pra dhe prokurori që mbaron do rikandidojë sërish. Do kalojë sërish të njëjtat filtra duke konkurruar me të tjerë.
Dhe tjetra është se gjyqtarët nuk kanë mandat dhe prokurorët kanë mandat. Ka një fazë të re të sofistikimit të krimit dhe koha e hetimit do të jetë më e gjatë. Ndërkohë që rritet koha e hetimit, shkurtohet koha e qëndrimit në detyrë të prokurorit. Konsiderojeni këtë çështje duke përjashtuar emrin tim nëse kjo ju bën punë.
Ndarja e çështjeve dhe roli i kryeprokurorit
Altin Dumani: Çështjet ndahen me short. Por drejtues i SPAK mund të caktojë prokurorë në një çështje pa short duke pasur në konsideratë përvojën profesionale. Por në masën mbi 90% çështjet trajtohen me short. Kur ka çështje specifike unë e kam shfrytëzuar këtë kriter.
Lidhur me kompetencën e drejtuesit të SPAK si komisioner publik para kolegji të posaçëm dhe të apelimit. Puna do shtohet. Ligji ka përcaktuar se vetëm drejtuesi mund ta bëjë këtë punë. Dhe imagjinoni duhet të drejtojë institucionin, të koordinojë punën dhe madje edhe unë vetë shkoj në gjykim sepse hetoj.
Rënia e numrit të referimeve në SPAK
Altin Dumani: Shifrat janë kokëfortë dhe flasin vetë. Kemi rënie të numrit të referimeve nga institucionet shtetërore. Ndërsa policia e shtetit ka një rritje të kallëzimeve. Thirrja që unë bëj është kjo: gjithë duhet të bashkëpunojmë. Ne jemi hallka fundore e luftës kundër korrupsionit. Ne jemi të hapur të bashkëpunojë me institucionet. Ka vend për përmirësim dhe për thellim.
A është i kënaqur Altin Dumani me kolegët?
Altin Dumani: Patjetër që unë jam i kënaqur nga angazhimi i tyre, pata rastin ti falenderoj, por unë jam shumë kritik dhe pakënaqur nga vetja ime. Por në përgjithësi unë mbivlerësoj pozitivisht dhe mendoj si strukturë jemi duke ecur drejt asaj që pritet nga institucioni ynë për të ushtruar ndjekjen penale ndaj çdo funksionari publik pavarësisht fuqisë që ata mbartin.
Për sa më shumë hetues kemi nevojë?
Aida Hajnaj: SPAK ka pasur 750 procedime penale për 2023. Aktualisht BKH është me 60 hetues dhe një e treta e tyre janë caktuar te përgjimi. Dhe i bie pjesa tjetër është në hetim. Por përveç hetimeve dhe procedurave që delegohen nga prokurorët e posaçëm ata kanë funksion tjetër, veprime me iniciativë dhe kanë filluar disa çështje dhe kanë bërë hetimet e para dhe kur ka pasur raste kanë referuar në SPAK. Kjo ka treguar që numri i tyre nuk është i mjaftueshëm.
Ligji thotë se ata kanë edhe detyrën e oficerit përgjegjës për integritetin dhe pasurisë për prokurorë, gjyqtarë e drejtues në shkallën e parë dhe apel. Dhe në nuk e kemi vene në zbatim këtë gjë. Jemi në pritje të ndryshimeve ligjore për këtë strukturë.
Ligji për përgjime ka edhe seksionin e përgjimit parandalues që kërkon burime njerëzore që duhet të jenë hetues. Eshtë përcaktuar se duhet të ngrihet sektori i analizës dhe ajo e bashkëpunimit ndërkombëtar. Gjithë nevojën kemi rënë dakord dhe po bëjmë një material për shtimin e numrit të hetuesve.
Altin Dumani: Me dëshirë do të doja edhe 200 hetues të tjerë megjithatë drejtoresha dhe unë po punojmë në mënyrë të arsyeshme pse kemi nevojë për më shumë hetues.
Bashkëpunimi i SPAK me Policinë e Shtetit
Altin Dumani: Duhet të bëjmë dallimin mes shumicës absolute të punonjësve të Policisë së Shtetit që janë të angazhuar me mish e me shpirt kundër krimit të organizuar. Kemi respekt dhe mirënjohje nga një pakicë e inkriminuar, siç është paraqitur, në raport bashkëpunimi është në parametra pozitive. Në shumë nga hetimet tona të suksesshme ka luajtur Policia. Por janë evidentuar edhe lidhje të krimit të organizuar me funksionarë të policisë së shtetit. Kjo pengon hetimin e krijimit të organizuar.
Rezultatet e hetimeve kam referuar lidhur me subjekte të Policisë së Shtetit. 70 punonjës nga SPAK në 2020-2023 dhe siç është bërë publike na ka rezultuar drejtues të lartë të policisë së shtetit lidhur me krimin e organizuar. Eshtë ulëritëse kur bëhen pjesë dhe bashkëpunojnë me krimin e organizuar. Dhe nuk mund të rri pa e adresuar këtë shqetësim. Por që me policinë e shtetit bashkëpunojmë përditë dhe janë pjesë e atyre hetimeve ka një rol cilësor dhe sasior dhe ky është një fakt.
Lidhur me presionin politik, për tua bërë të qartë ne kemi marrëdhënie institucionale dhe proceduriale me funksionarët e shtetit. Jemi të shurdhër nga çdo lloj retorike politike. Orientohemi nga ligji. Nuk ka të dhëna dhe indicie që ka dekonspirim të operacioneve.