Aleko Myrtollari, personi i cili masakroi me thikë bashkëshorten e tij Marjola Mytollari në Korçë, është vetëdorëzuar në polici.
46-vjeçari qëlloi partneren 38-vjeçare, e cila ndodhet në gjendje të rëndë dhe sot nis me helikopter nga Korça për në spitalin e Traumës. Aleko Myrtollari u shpall në kërkim menjëherë pas ngjarjes dhe ishte në arrati.
Çifti kishte tre fëmijë dhe muajin e fundit ishin zhvendosur nga Tirana në Korçë, ku jetonin një apartament me qira.
Mësohet se para se të fillonte sherri, autori kishte larguar 3 fëmijët nga shtëpia. Më pas në debat e sipër, 46-vjeçari ka goditur disa herë me thikë bashkëshorten e tij Marjola Mytollari, e më pas është larguar nga shtëpia.
Fqinjët e çiftit kanë folur për mediat duke thënë se nuk i njihnin personalisht, pasi ata ishin banorë të rinj në lagje. Por ata kanë thënë se Aleko Mytollari konsumonte shpesh alkool dhe ishte parë disa herë në gjendje të dehur.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur më datë 04.06.2023, në lagjen nr. 10, Korçë, ku shtetasi A. M., 46 vjeç, në banesë, tentoi të vriste me mjet prerës (thikë) bashkëshorten e tij shtetasen M. M., e cila aktualisht ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë, kanë vijuar kontrollet e pandërprera me qëllim kapjen e autorit të ngjarjes.
Si rezultat i presionit të Policisë, rrethimit të zonës dhe pamundësisë së ikjes së tij, mbrëmjen e sotme, shtetasi A. M., është vetëdorëzuar në Polici.
Në vijim të veprimeve specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë, bënë ndalimin e 46-vjeçarit, për veprën penale "Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare", mbetur në tentativë.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
