Hapësire reklamuese

Kulture & Art

U shua në moshën 74-vjeçare, kush ishte Lili Cingu, “Shqiponja” e valleve shqiptare

Shkruar nga Newsbomb

“Shqiponja” e valleve shqiptare, Liljana Cingu u shua sot në moshën 74-vjeçare. Lili vuante nga një sëmundje e rëndë prej kohësh. Ditët fundit ajo ndodhej në gjendje të rënduar shëndetësore në spital.

Homazhet në nder të saj do të mbahen nesër paradite, në hollin kryesor të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Cingu ka qëndruar 45 vite në skenë. Ajo ishte e njohur për kërcimet e saj me Rexhep Çelikun.

Valltarja e shquar e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore Lili Cingu ishte shembulli më i mirë i artit dhe bukurisë shpirtërore që mund të sjellë një artist.

Përmes performancave të saj me Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, ajo jo vetëm që magjepsi audiencën, por edhe u mësoi brezave të ardhshëm rëndësinë e trashëgimisë kulturore.

E lindur në Tiranë më 31 dhjetor të 1950-ës, Lili Cingu pikasi me talentin e saj që në moshën e fëmijërisë. Në moshën 12 vjeçare Lili përfaqësoi shkollën”11 Janari” në një konkurrim sportiv, ku dhe fiton një medalje duke u kualifikuar e para.

Në vitin 1963 Lili ndoqi një kurs vallëzimi katërvjeçar pranë AKKVP, nën drejtimin e Gëzim Kacelit. Ajo ju kushtua tërësisht valles dhe nuk mbeti e zhgënjyer.

LEXO EDHE: Pengu i Lili Cingut, intervista e fundit e artistes së madhe për revistën Newsbomb.al

Ajo përfundoi shkollën e mesme në Liceun artistik “Jordan Misja” në degën e koreografisë.  Që nga viti 1969 pas një turneu në Turqi ajo u bë një ndër solistet më të shquara të AKKVP, e cila për më se 30 vjet rresht arriti që në repertorin e saj të interpretonte rreth 200 valle nga më të thjeshtat e deri tek ato më të arrirat si “Vallëzimi i shqipeve”, “Festë të madhe ka sot Shqipëria” “Vjelja e gështenjave”, “Në garë”, ”Valle me motive të Labërisë”, “Vallja e Tiranës”, etj.

Një rol të rëndësishëm në jetën e gjatë artistike të Lili Cingut kanë luajtur edhe koreografët, ata që i besuan asaj perlat e koreografisë, duke filluar që nga Panajot Kanaçi, Gëzim Kaceli, Agron Aliaj etj. Lili Cingu është shquar për një interpretim dinjitoz, elegancë e finesë, si dhe një kulturë të lartë muzikore, si njohese e folklorit të të gjitha trevave. Këto cilësi i dhanë asaj mundësinë që të shpreh më mirë aftësinë në interpretimin e valleve lirike, por edhe atyre epike.

Lili Cingu Lili Cingu

Me kërcim të lehtë e plotë bukuri interpretoi me shije si vallen e Jugut, Çamërisë, të Dropullit, të Korçës, të Kolonjës, të Shqipërisë së Mesme,, ashtu edhe vallet epike të Veriut (Shota dhe Azem Galica”, “Sup më sup me malet”, “Oshëtima e maleve”, etj. Dhe natyrisht në këtë interpretim dinjitoz të saj nuk mund të mos permendim partnerët e saj në AKKVP Besim Zekthi, Bashkim Braho, Rexhep Çeliku etj.

Sukseset e AKKVP janë të lidhura edhe me solisten e këtij ansambli Lili Cingun. Në çdo vend të Evropës, Azisë, Amerikës e Kanadasë ku ka shkuar e është prezantuar Ansambli ka qënë present edhe Lili Cingu, duke marrë pjesë në shumë festival ndërkombëtare, ku ajo ka shpalosur me interpretimin e saj vlerat e artit koreografik shqiptar.

Lexo edhe: Perëndeshë e valles shqiptare, ndërron jetë Lili Cingu

Lili Cingu është një nga valltaret shqiptare që ka krijuar një personalitet të sajin tipik, jo vetëm në skenë por edhe jashtë saj. Ajo punoi në AKKVP deri në vitin 1997, vit në të cilin u largua në Kanada si plotë artistë të tjerë në atë kohë, ku ushtroi profesionin e saj. Krijoi shkollë ku përgatiti brezin e ri të kërcimit të valles popullore shqiptare.

Me duart e saj,si të ishte një stiliste, u qepte valltarëve kostumet e trevave të ndryshme, sidomos në festën e flamurit. Kurse vetë Lili si soliste, ka interpretuar disa herë në koncerte në Kanada, ku të pranishmit janë shprehur: “Me lëvizjet dhe kërcimin e saj, vendi i vogël shqiptar na duket i madh”.

Në vitin 2003 në Festivalin e Folkut në Tuz të Malit të Zi, si e ftuar me grupin e valleve të shqiptarëve në New York, u vlerësua si grupi më i mirë i festivalit. Edhe pas kthimit në atdhe Lili nuk e ndërpreu aktivitetin e saj artistik. Ka marrë pjesë në recitalet e partnerëve të saj Rexhep Çeliku e Besim Zekthi dhe në vitin 2011 organizoi recitalin e saj “Vallja ime, jeta ime”.

Artistja e madhe e skenës, Lili Cingu është vlerësuar nga kritikët e artit botëror si “Perëndesha e valles”. Lili Cingu mban titullin “Nder i Kombit”, por gjatë aktivitetit të saj artistik me AKKVP-në ajo është nderuar me mjaft çmime, urdhra e medalje të ndryshme, me Çmimin e Republikës”, “Urdhrin “Naim Frashëri”. “Artiste e Merituar”etj. Për talentin, punën dhe suksesin e Liljana Cingut flasin dhjetra emisione televizive, reportazhe, me qindra faqe të shtypit të shkruar brenda dhe jashtë vendit .

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese