Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka reaguar në lidhje me aksidentin fatal në aksin Vushtrri-Mitrovicë, ku humbi jetën futbollisti i Elbasanit, Fatjon Bunjaku.
Duka shprehet i pikëlluar për këtë humbje të madhe, duke theksuar se 22-vjeçari kishte të ardhmen përpara. Ndër të tjera, kreu i FSHF-së nuk kursen as elozhet, duke kujtuar talentin, përkushtimin dhe pasionin që Bunjaku kishte.
Gjithashtu, Armand Duka u ka shprehur ngushëllimet e tij familjarëve të të ndjerit.
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të Fatjon Bunjakut. Kjo është një tragjedi e rëndë dhe një humbje e madhe, pasi bëhet fjalë për një djalë të ri, vetëm 22 vjeç, me një të ardhme të tërë përpara.
Fatjoni do të kujtohet për talentin, përkushtimin dhe pasionin e tij për futbollin, si dhe për respektin që gëzonte tek të gjithë ata që e njohën.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes Bunjaku, të afërmve, miqve, bashkëlojtarëve dhe klubit të Elbasanit. U prehtë në paqe shpirti i tij dhe qoftë i përjetshëm kujtimi për të”, shkruan Duka.

