Pas thashethemeve që kanë qarkulluar së fundmi në rrjetet sociale lidhur me një ndarje të mundshme mes Brikenës dhe Mateos, ka ardhur edhe reagimi i parë publik nga vetë ish-banorja.
Përmes një mesazhi drejtuar ndjekësve të saj, ajo ka konfirmuar se marrëdhënia mes tyre ka përfunduar, duke theksuar se ndarja ka ndodhur pa konflikte apo mungesë respekti nga asnjëra palë.
Ajo shprehet se vazhdon të ketë respekt për Mateon dhe për sa kohë që kanë kaluar së bashku, duke e cilësuar atë si një pjesë të rëndësishme të jetës së saj.
“Përshëndetje të gjithëve! Nuk e kam pasur të lehtë të shkruaj këtë mesazh deri më sot, sepse gjithmonë kam preferuar që gjërat personale t’i mbaj private. Megjithatë, duke parë interesimin dhe pyetjet e shumta, mendoj se tani më shumë se kurrë ju detyrohem një sqarim.
Po, unë dhe Mateo nuk jemi më bashkë. Dua të theksoj se nuk ka pasur asnjë mungesë respekti nga asnjëri prej nesh. Kjo është një gjë që dua ta them qartë, sepse nuk do të doja që të krijoheshin histori apo aludime që nuk janë të vërteta.
Kam ende respekt për të dhe për gjithçka kemi kaluar bashkë. Ka qenë një pjesë e rëndësishme e jetës sime dhe për këtë do të jem gjithmonë mirënjohëse. Ndonjëherë në jetë rrugët ndahen, por kjo nuk do të thotë se duhet të ketë urrejtje apo fajësime.
Për momentin kam vendosur edhe të largohem nga disa grupe. Jo sepse nuk ju vlerësoj apo nuk ju dua, por sepse më bën keq të shoh postime, komente apo diskutime rreth kësaj situate. Kam nevojë për pak qetësi dhe kohë për veten time.
Ju falënderoj nga zemra për gjithë dashurinë, mbështetjen dhe respektin që më keni dhënë gjithmonë. Do t’ju jem mirënjohëse pafund për çdo fjalë të mirë dhe për çdo moment që keni qenë pranë meje. Me dashuri”, shkruan Brikena në mesazhin e saj për fansat.
