Problemi nuk është spekulimi me çmimin e naftës nga privati, sipas Aldo Bumçit, çmimi i lartë i naftës në vendin tonë është për shkak të taksave.
Ai tha se 55% e çmimit janë taksa, ndërsa shtoi se vetëm prej taksës 24 lekë të reja për litër, qeveria mbledh rreth 180 milionë euro në vit.
Bumçi ngriti pyetjen se ku shkojnë këto të ardhura, që sipas tij në 7-8 vite qeverisje nga socialistët përllogariten në rreth 1.3 miliardë euro.
“Nuk është kjo krizë që na solli në këtë çmim të shtrenjtë, ndryshe nga vendet e tjera, 55% e çmimit është taksë. Norma e fitimit nuk është e madhe. Spekulimi është minimal, por le të ndërhyjnë agjencitë. Problemi është 55% taksat më të mëdha në rajon dhe Europë. Edi Rama ka shtuar 20 lekë taksë qarkullimi. Për çdo litër naftë, Rama ka shtuar taksën e qarkullimit 24 lekë. Konsumojmë rreth 600 mijë naftë, që do të thotë 180 milion euro çdo vit nga kjo taksë e shtuar. Në 7-8 vjet, i thonë rreth 1.3 miliard euro. Ku i çoi këto lekë? Se ka marrë Rrugë Kombi dhe Rrugë Elbasani dhe nuk ka bërë asgjë.
Vendet e tjera kanë marrë disa masa që janë klasike, por ky nuk ka përgjegjësi. Vendet e tjera kanë bërë ulje, apo pezullim taksash. Taksa mund të përgjysmohet. Mund të vendoset një çmim tavan, nëse nafta është 240 lekë, qeveria i thotë do shisni 180 lekë, pjesën tjetër e subvencionoj unë. Pse nuk ndërmerr asnjë nga këto hapa. Pse nuk i ndërmori hapat, kur pritej”, tha Bumçi në emisionin “Open”.
