Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është pyetur lidhur me shumat marramëndëse që kanë dalë nga dosja hetimore e SPAK ku është përpiluar një vlerë prej 860 mijë euro e harxhuar nga bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa për blerje online të mallrave të luksit.
Për “Top Story”, Veliaj është shprehur se bashkëshortja e tij vjen nga një familje e pasur, ndërkohë që shumat që ajo harxhon në muaj shkojnë 50 mijë lekë dhe gjithçka është e deklaruar.
“Ka shpenzuar prej të ardhurave të saj vetëm 50,000 lekë në muaj nga karta e saj personale, në total 7 milion lekë të reja në rreth një dekadë.
Të mbledhësh gjithë bilancet vjetore të 7-8 enteve që merren me teatro, skenografi, videoklipe, opereta, mjuzikalë, sfilata mode, photo shooting, dhe garderobat skenike në 17 vite t'i trajtosh si personale në një ditë, është ligësi e misogjeni. Janë të gjitha të deklaruara nga secili ent, me taksa, dogana e tvsh në rreth dy dekada”, tha Veliaj ndër të tjera duke theksuar në vijim se duke qenë se nuk gjetën asnjë provë për të inkriminuar vetë Veliajn, atëhere sipas kryebashkiakut vendosën në “lupë” të gjithë familjen e tij, madje deri te “makina e vjehrrit të vdekur”.
Pjesë nga fjala e Veliajt:
Bashkëshortja ime vjen nga një familje e nderuar, e pasur dhe me 17 vjet karrierë në studio e biznes privat. Ka shpenzuar prej të ardhurave të saj vetëm 50,000 lekë në muaj nga karta e saj personale, në total 7 milion lekë të reja në rreth një dekadë.
Të mbledhësh gjithë bilancet vjetore të 7-8 enteve që merren me teatro, skenografi, videoklipe, opereta, mjuzikalë, sfilata mode, photo shooting, dhe garderobat skenike në 17 vite t’i trajtosh si personale në një ditë, është ligësi e misogjeni. Janë të gjitha të deklaruara nga secili ent, me taksa, dogana e tvsh në rreth dy dekada.
Pra, nuk kemi asgjë në një veting 20 vjeçar, të vetmin në Republikë, për të shoqin Erion Veliaj, dhe tani do i qepemi gruas, lodrave të djalit, makinës së vjehrrit të vdekur, vëllait, nënës – kujtdo, vetëm ta heqim nga fushata këtë që na mundi thellë në 2015, 2017, 2019, 2021, 2023 dhe (sapo të dal nga këtu) edhe në 2025, në një Tiranë më të pastër, më të bukur, më të vlerësuar ndërkombëtarisht, me 45 shkolla ultra moderne, plus 110 kopshte e çerdhe, Teatër të ri, Shesh të ri, Park të ri, Bulevard të ri, Unazë të re, Kala të re, Kopësht të ri Zoologjik, që Saliu-Luli-Olsi as kishin ide e kurajo t’i bënin!



