Profesori i gjithë socialistëve, Servet Pëllumbi i cili mbylli sytë përgjithmonë ditën e djeshme do të përcillet sot për në banesën e fundit.
Referuar protokollit për ceremoninë funerale të siguruar nga burimet, mësohet se homazhet do të zhvillohen në ambientet e Teatrit të Operas dhe Baletit.
Në orën 9 të mëngjesit do të nisin homazhet në nder të politikanit që dha një kontribut të veçantë për shoqërinë shqiptare të cilat pritet të zgjasin rreth 3 orë.
Pas mbylljes së homazheve, në orën 12:30 do të zhvillohet ceremonia e përcjelljes së arkëmortit. Po ashtu thuhet se ditën e nesërme do të mbahen dy fjalime.
Ndërsa në orën 13:00 do të bëhet nisja për në varrezat e Sharrës ku do të prehet dhe politikani i ndjerë.
Lajmi i kobshëm për vdekjen e tij ka shkaktuar reagime të shumta në politikën shqiptare e jo vetëm, ku “ish-bashkëudhëtarë” të tij në Partinë Socialiste, kanë shprehur ngushëllimet dhe kanë rikujtuar edhe njëherë kontributin e të madhit Servet Pëllumbi në politikën e vendit në hapat e saj të parë.
