
Të tjera detaje kanë dalë në pah lidhur me gjendjen shëndetësore e avokatit të ish-kryeministrit Sali Berisha, Sokol Mëngjesi.
Sipas mjekëve, ai ka pësuar dy fraktura pas koke dhe dëmtime te zona e ballit për shkak të dhunës së ushtuar ndaj tij mëngjesin e sotëm. Po ashtu ai ka pësuar një hemorragji të vogël në tru, por aktualisht gjendja e tij shëndetësore paraqitet stabël.
Nga ana tjetër, Argita Berisha në një prononcim për Top Channel nga spitali i Tramës thotë se avokati është futur në reanimacion dhe thekson se ai u sulmua për shkak të detyrës.
"Avokati u sulmua për shkak të detyrës. Kush e njeh Sokolin e di sa njeri korrekt është. Nuk ka asnjë konflikt tjetër. Ai është në reanimacion nuk e takova dot por fola me familjarë dhe mjekë. Duhet të presim për të parë gjendjen e tij," tha Argita Malltezi.
Avokati doli sot në mëngjes për të dërguar djalin në shkollë, por kur është kthyer tre autorët, të pamaskuar i kanë bërë pritë dhe e kanë dhunuar barbarisht. Mëngjesi është dhunuar barbarisht me grushta dhe leva, te persona të cilët nuk janë identifikuar ende.
Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë për të bërë të mundur identifikimin e autorëve.
“Sot, rreth orës 08:50, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, persona ende të paidentifikuar kanë goditur shtetasin S. M., me profesion avokat.
I dëmtuari është dërguar menjëherë në spital për dhënien e ndihmës mjekësore dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Gjendja e tij shëndetësore është e stabilizuar. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe strukturat e Policisë së Shtetit janë angazhuar për identifikimin dhe kapjen e autorëve”, njoftoi policia më herët.