Kryeministri Edi Rama, ka marrë pjesë në një takim me kryebashkiakët e vendit, ku përpos prezantimit të ndërrimit të sistemit të kabllove dhe kaluar në një sistem nëntokësor, Rama ka prezantuar edhe një nismë të re të marrë nga qeveria në bashkëpunim me bashkitë.
Kryeministri u shpreh se kjo nismë e cila mban emrin “Program i Qeverisjes Vendore Rilindja Urbane 2.0”, do të sqarohet edhe më tepër në një konferencë të dedikuar me të gjithë kryetarët e Bashkive e cila do të mbahet në 10-ditëshin e parë të Korrikut.
“Duke qenë se këtu gjërat u thanë për sa i përket kësaj nisme unë dua të përfitoj nga rasti që të ndaj në prani të kryetarëve dhe kryetareve të bashkive, edhe një tjetër nismë të një përmase shumë të madhe me natyrë strategjike për komunitetet e vendit, të cilën do ta lançojmë publikisht në një konferencë të pushtetin vendor në 10 ditëshin e parë të korrikut. Bëhet fjalë për një program të qeverisjes vendore Rilindja Urbane 2.0”, u shpreh kryeministri.
I cili më tej renditi disa nga ndryshimet që parashikohen të ndodhin me këtë program, duke filluar me hapësirat e mbetura të painvestuara në sistemin e ujësjellës kanalizimeve, si edhe kalimin e autobusëve totalisht “green”, pra elektrikë, të administruar nga vetë bashkitë, duke pranuar që tashmë hallka më e dobët e turizmit në Shqipëri është transporti.
Pjesë nga fjala e Edi Ramës:
Është tanimë plotësisht e mundur që të pastrojmë qytetet tona nga gjithë ato fije plastike merimangash, të një kohe e cila ka pasur pasojat e veta në vazhdën e një zhvillimi që po ashtu ishte i domosdoshëm.
Duke qenë se këtu gjërat u thanë për sa i përket kësaj nisme unë dua të përfitoj nga rasti që të ndaj në prani të kryetarëve dhe kryetareve të bashkive, edhe një tjetër nismë të një përmase shumë të madhe me natyrë strategjike për komunitetet e vendit, të cilën do ta lançojmë publikisht në një konferencë të pushtetin vendor në 10 ditshin e parë të korrikut. Bëhet fjalë për një program të qeverisjes vendore Rilindja Urbane 2,0.
Synon të adresojë disa elementë, të cilit i ka ardhur koha të marrin një drejtim shterues, të adresojë të gjitha pjesët e mbetura të pa investuara. Janë disa pjesë të cilat ndryshe nga sa hidhet e spërdridhet në diskursin e përditshëm ne negativ janë shumë më pak sesa pjesët e investuara të ujësjellës kanalizimeve, prandaj programi do të adresojë në një natyrë gjithëpërfshirëse.
Së dyti do të adresojmë nevojën për të çuar në një nivel tjetër transportin urban dhe ndërurban, dhe fatkeqësisht hallka më e dobët e industrisë së turizmit është transporti. Qëllimi është që të hyjmë në një fazë ku gjenerata e re e transportit publik të jetë tërësisht e gjelbër, autobusë elektrikë me zero ndotje, që është tendencë në Europë.
Dhe për të ndërtuar një sistem të këtyre mjeteve nën administrimin e bashkive, pra do të jetë qeveria dhe bashkitë që do të sigurojnë mjetet dhe bashkitë do të bëjnë administrimin e tyre.
Do të kemi një park logjistik i cili do t’i shërbejë bashkive për të gjitha ato punimet e nevojshme. Po ashtu do të laçojmë konkretisht edhe financiarisht do të mbështesim një program për të krijuar kapacitete më domethënëse për parkimet, duke pasur si prioritet qytet me ngarkesë të turizmit.
Një tjetër element i rëndësishëm, është shtylla që lidhet me zonat ish industriale edhe për to kemi një plan të qartë pune me bashkitë, është bërë identifikimi, edhe kemi po ashtu modele të krijuara që na japin mundësinë të kuptojmë se si do i zhvillojmë.
Komponenti i muzeve, që është bërë një punë e mbledhjes së informacionit nga bashkitë. Rruga jonë është ajo e ngjitjes në një nivel të lartë të klasifikimit të vendeve turistike, kjo nuk mund të jetë e qëndrueshme nëse ne nuk e pasurojmë ofertën tonë.
