Ish-politikani socialist Namik Dokle i ka dhënë lamtumirën e fundit intelektualit dhe një prej njerëzve më me ndikim të së majtës shqiptare, por mbi të gjitha mikut të tij, Servet Pëllumbit.
Përpara arkëmortit me trupin e pajetë të profesor Pëllumbit, Dokle e ka kujtuar rrugëtimin e tij në jetën politike shqiptare, duke vënë në pah virtytet dhe kontributin e tij të gjatë në politikë dhe jetën e qytetarëve. Me zërin që i dridhej, ai është ndalur te figura e një njeriu që, përveç rolit si politikan dhe profesor, nuk la asnjëherë anash anën e tij njerëzore.
“Çdo ditë takonte njerëz të njohur dhe të panjohur, intelektualë dhe artistë, punëtorë dhe të papunë, socialistë dhe jososialistë, dëgjonte pyetjet dhe u përgjigjej të gjithëve, dëgjonte hallet dhe përpiqej t’ua zgjidhte. Ishte politikan, ishte mendimtar, por mbi të gjitha ishte njeri, njeri që mbetet përgjithmonë në përjetimet e njerëzve", tha ai duke shtuar se Servet Pëllumbi ishte një nga figurat kyçe të periudhës së tranzicionit shqiptar, i pranishëm në momentet më të rëndësishme të zhvillimeve politike të vendit, si në drejtimin e institucioneve ashtu edhe në reflektimin intelektual mbi shoqërinë. Sipas tij, ai përfaqësonte urtësinë, dialogun dhe përpjekjen për të ndërtuar një politikë më afër qytetarëve.
Pjesë nga fjala e Namik Dokles:
Të dashur Lavdie, Arben, Erli, mbesa dhe nipër të tjerë të profesorit Servet, miq dhe dashamirë. Shumë e vështirë qenka t’i mbledhësh fjalët që do t’i thuash të një njeriu në lamtumirën e një njeriu të dashur, mikut dhe shokut, bashkëudhëtarit dhe bashkëluftëtarit të viteve ku kishte më shumë dilema dhe pak siguri, më shumë turbullira dhe pak vizion. Të viteve kur në vend të ndarjes duhej bashkimi, shpresa, në vend të dyshimit duhej besimi dhe në vend të urrejtjes duhej dashuria. Është e vështirë t’i mbledhësh fjalët kur shpirtin ta ka goditur lajmi i trishtë dhe tronditës i ndarjes nga jeta të një njeriu si Servet Pëllumbi. Një jetë e tërë njerëzore dhe politike, që nga dita e parë e themelimit të PS në betejat e vështira opozitare, në mundjet e ndërtimit të një shoqërie normale me njerëzit dhe për njerëzit dhe gjithmonë ai ishte aty, aty ku duhej mençuri, besim, kurajo, largpamësi, është për këtë arsye që të gjithë e quajtën, e njohën dhe e pranuan si profesorin e PS.
T’i lësh trashëgimi një force politike dhe një vendi të tërë imazhin në një epokë kjo nuk është një lavdi e papërfillshme, ai ishte protagonist i historisë udhëheqëse të PS në një kohë shumë të vështirë.
Urtësia dhe intelektualizmi i tij dhe guximi politik i shërbyen jo vetëm forcës politike ku ishte një nga drejtuesit kryesorë, por të gjithë shoqërisë. Thonë që jeta nuk është ajo që jeton por ajo që i lë pas vetes për t’u kujtuar dhe treguar. Servet Pëllumbi ishte ndër të parët politikanë të tranzicionit shqiptar dhe ndoshta nga të paktët që e kuptoi se e ardhmja nuk është ajo që ishte, dhe iu përkushtua si mendimtar dhe udhëheqës dhe veprimtar ndërtimit të një demokracie reale, vepruese dhe të padeformuar nga ambicie të errëta, nga makutëria dhe mashtrimi. Thelbi i ndryshimit në konceptimin e tij ishte ndërtimi i një Shqipërie normale. Ai komunikonte me kohën nëpërmjet problemeve që shqetësonin shoqërinë dhe jo në të kundërtën. Mendonte se politika dhe qeverisja e mirë fillon te pragu i derës së çdo qytetari.
Ai kërkonte që çdo shqiptar mos t’i bëhet pyetja se nga vjen, po ku do të shkojë duke gjetur të gjithë së bashku rrugën drejt Europës dhe integrimit. Prandaj në librat e shumtë që shkroi, në diskutime, në prezencën dhe drejtimin e Kuvendit ai me forcën e mendimtarit i mëshoi idesë që vlerat europiane t’i mbartim në çdo qelizë të shoqërisë shqiptare, ai udhëhiqej nga ideja e Ajnshtajnit se për të zgjidhur problemet e një shoqërie duhet të ndryshojmë mentalitetin që i ka pjellë ato probleme dhe nuk ishte gjithmonë i lumtur për këtë aspekt të realiteteve tona.
Çdo ditë takonte njerëz të njohur dhe të panjohur, intelektualë dhe artistë, punëtorë dhe të papunë, socialistë dhe jososialistë, dëgjonte pyetjet dhe u përgjigjej të gjithëve, dëgjonte hallet dhe përpiqej t’ua zgjidhte. Ishte politikan, ishte mendimtar, por mbi të gjitha ishte njeri, njeri që mbetet përgjithmonë në përjetimet e njerëzve. Lamtumirë i dashur profesor.

