
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar në lidhje me situatën e fundit të ndodhur në bashki.
Në rrjetin e tij social, Veliaj mohon “luftën” me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, duke shprehur se për të ka vetëm mall që ta takoj.
Ndër të tjera, ai shkruan se ka firmosur një delegim të ri për emërimin e personave në krye të Bashkisë, pasi sipas tij firmosja e parë ishte thjesht keqkuptim duke menduar se ishte e diskutuar mes ekipit drejtues.
Kujtojmë se, Erion Veliaj ditën e sotme ka firmosur nga qelia shkarkimin e Anuela Ristanit nga posti i kryetares së komanduar të bashkisë së Tiranës.
Në dokumentin e firmosur nga kryebashkiaku Veliaj, detyra e kryetares së komanduar i delegohet nënkryetares së bashkisë, Sara Goxhaj.
Anuela Ristani u komandua përkohësisht në krye të Bashkisë së Tiranës më 12 shkurt, dy ditë pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj.
Reagimi i plotë:
U informova që paska plasur peshku në moçalet mediatike për përplasjen time me Ramën, për punë delegimesh.
E para njëherë, me Ramën kam vetëm mall të takohem për të folur për punët si gjithmonë dhe asgjë tjetër s’më shkon në mendje.
E dyta, kam firmosur një ridelegim me idenë e gabuar se ishte dakordësuar brenda ekipit drejtues, por kështu është kur “punon” pa informacionin e mjaftueshëm.
E fundit, kërkoni e gërmoni ku të doni tani, se u bë sport ky falë edhe prokurorit tim të dashur, por në marrëdhënien time me Ramën lodheni kot fare fare, se është plazmuar në kohëra të vjetra dhe nuk e ndryshon dot asnjë kohë, sado e mallkuar qoftë. Delegimi është rikthyer aty ku ishte dhe këtu mbyllet edhe keqkuptimi.