Deputeti socialist Erion Braçe e ka thënë hapur mbrëmjen e sotme se nëse do të zgjidhet kryebashkiak i Tiranës, do të kërkojë pushtet në qeverisjen vendore dhe nuk do të pranojë të jetë kukull e pushtetit.
I ftuar në emisionin "Top Story", ai tha se Partia Socialiste nuk mund të kthehet në mur ku varen herë pas here njoftime për vendime, sepse shumë shpejt atje do të varet njoftimi për fundin e saj.
"Kam lëvizur gjatë këtyre ditëve në këto mbledhje që po zhvillohen nëpër Tiranë dhe më vjen keq që nuk kam gjetur tek ato siç flitet te Njësia nr.5. Unë kam folur brenda asamblesë atje dhe ka arsye që më shtyn ta bëjë këtë: partia nuk mund të kthehet në një mur ku ngjiten kohë pas kohe njoftime për kryetar partie, për të deleguar, njoftime për kryetar bashkie, njoftime për të deleguar në qarqe.
Jo, partia nuk mund të funksionojë kështu, për njoftime që ngjiten në mur. Sepse nëse vazhdon kështu, mund të vijë dhe ndonjë njoftim më i rënd, për fundin e partisë. Unë kam dashur ta thyejë këtë praktikë që bie ndesh me parimet e mia dhe të PS", u shpreh Erion Braçe.
I pyetur për situatën në Tiranë, deputeti socialist që ka shprehur hapur ambicien për të garuar për drejtimin e kryeqytetit në një kohë që Edi Rama mbështet Ogerta Manastirliun, theksoi se nuk do të jetë kukullë apo qoka e radhës.
"Unë kryetar bashkie që të rrijë atje si kukull apo si qokë karriere, apo hajt ta mbylli ky tani atje dhe shikojmë se çfarë do bëhet pas 4 vitesh, unë nuk rri. Mua nuk më intereson ndarja e re territoriale, se ku do jetë kufiri, por më intereson pushteti real i vendorëve.
Sot, një bashki nuk administron arsimin, shëndetësinë... Janë probleme që kanë të bëjnë me jetën e përditshme të njerëzve.
Në këtë qytet ka gjëra që janë bërë shumë mirë, por ka dhe gjëra që nuk janë bërë. Është ndërtimi, nuk ka standard qytetar, nuk ka moral qytetar, ai ndërton dhe nuk e vret mendjen fare. Unë mendoj se kjo është kundër standardit. Jo. Unë nuk jam kundër, por kërkoj standard ndërtimi në kryeqytet", vijoi Erion Braçe.


