Erion Braçe ka komentuar daljen e Kryeministrit Edi Rama, në krahun e të cilit është shfaqur në dy takimet e fundit në njësitë 4 dhe 14, Ogerta Manastirliu.
Braçe tha në Top Story se edhe ai do të ishte në këto dy mbledhje, por ishte i angazhuar diku tjetër.
Po ashtu, deputeti socialist, i cili ka shpallur publikisht kandidaturën për Bashkinë e Tiranës, i pyetur nëse Rama ka reaguar, tha se deri më tani kryeministri nuk e ka kontaktuar.
Braçe: Jo, kjo është një mbledhje normale. Unë në këtë njësi nuk kam qenë, sepse e kisha të pamundur të shkoja në Kashar, pasi isha në një mbledhje tjetër.
Isha në Asamble, ku ishte zonja Manastirliu, dhe në orën 7 ishte mbledhja në Kashar, ndaj e kisha të pamundur të isha. Por isha në Asamble dhe unë zakonisht ulem në fund të sallës për të parë sesi është perceptimi i njerëzve dhe si e përjetojnë ata.
Rama nuk ka bërë asnjë reagim, përveç diçkaje që është për mua… Unë nuk kam dalë me një njoftim: “Kërkohet Erion Braçe si kandidat për Tiranën”, por kam kërkuar një proces statutor brenda partisë, ndryshe nga ai i shtatorit të vitit të kaluar, që ishte vetëm një njoftim.. Unë nuk përfaqësoj një kandidat me një njoftim. Unë dua një kandidat, edhe ndryshe nga unë, që krijon një kohezion me njerëzit.

