Hapësire reklamuese

Politikë

Data e zgjedhjeve në Himarë, Begaj takohet me Celibashin në Presidencë

Shkruar nga Newsbomb
Data e zgjedhjeve në Himarë, Begaj takohet me Celibashin në
Begaj dhe Celibashi

Pa humbur kohë, presidenti Bajram Begaj ka thërritur në takim kreun e KQZ, Ilirjan Celibashi, vetëm pak orë pas heqjes së mandatit të Fredi Belerit. Burime për mediat bëjnë me dije se takimi mes tyre ka zgjatur rreth një orë në Presidencë.  

Më herët, kryeministri Edi Rama i dërgoi një shkresë zyrtare Presidentit Bajram Begaj, përmes së cilës i kërkon që të shpallë zgjedhje të parakohshme në Bashkinë e Himarës. Fredi Beleri, kryebashkiaku i zgjedhur por i pabetuar për shkak të dënimit me burg, humbi sot betejën në KQZ.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u mblodh sot, me praninë e vetë Fredi Belerit, dhe e njoftoi atë se duke qenë se prej më shumë se një viti e gjysmë nuk ka mundur të marrë leje për t'u betuar, ka humbur të drejtën për të qenë kryebashkiak.

Në këto kushte, kryeministri Edi Rama i ka dërguar shkresë zyrtare Presidentit të Republikës dhe i kërkon që të shpallë zgjedhjet e parakohshme në Bashkinë e Himarës.

Shkresa mban firmën e Sekretarit të Përgjithshëm, Engjëll Agaçi dhe i drejtohet institucionit të Presidentit të Republikës, pas vendimit të shpallur këtë të premte, datë 5 Korrik, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për pavlefshmërinë e mandatit të Fredi Belerit.

Përpara se të kërkonte nga Presidenti i Republikës një datë për zgjedhjet e parakohshme në Bashkinë e Himarës, Sekretari i Këshillit të Ministrave i ka kërkuar dhe është njoftuar zyrtarisht nga KQZ për mandatin e Fredi Belerit.

Bajram Begaj ka 48 orë kohë të caktojë një datë për zgjedhjet e reja, në përgjigje të kërkesës së Kryeministrisë.

Vetë Beleri ishte prezent në këtë seancë, ku iu komunikua edhe heqja e mandatit si kryebashkiak. Fredi Belerit i është hequr mandati për shkak të ligjit të dekriminalizimit, pasi ai është i dënuar me 2 vite burg për shitblerje votash.

Gjatë fjalës së tij kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi u shpreh se ligji për dekriminalizimin ka si qëllim që të ndalojë dhe të largojë të gjithë ata funksionarë publikë të mos kandidojnë, por dhe ata që e kanë marrë këtë funksion publik mos e ushtrojnë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese