Arben Ahmetaj, ministër i Financave në Qeverinë e Edi Ramës, është përzgjedhur nga Partia Socialiste për të qenë ai kandidati për deputet në bashkinë e Kavajës në zgjedhjet e 18 qershorit.
Ahmetaj është prezantuar sot përpara strukturave të PS në Kavajë nga kryebashkiaku i pezulluar, Elvis Rroshi, dhe kryetari i partisë për këtë qytet, Gentjan Daja.
Duke e prezantuar si deputetin e ardhshëm, Rroshi u shpreh se PS do të korr në këto zgjedhje një fitore gjigante.
“Sot, të gjitha strukturat e Partisë Socialiste në Kavajë jemi mbledhur për të bërë prezantimin e deputetit tonë të ardhshëm, ministri Arben Ahmetaj. Kjo do të jetë fushata më e madhe që ne do të bëjmë, për të korrur një fitore gjigante”, deklaroi Rroshi.
Ndërkohë, Ahmetaj vlerësoi punën e bërë në Kavajë nga Elvis Rroshi, si dhe u shpreh i gatshëm për të punuar në projekte të reja në këtë bashki.
“Unë do të jem koordinator i PS për Kavajën dhe Rrogozhinën. Kavaja në mandatet e Rroshit është një surprizë për mua dhe për PS, pasi ju e keni kthyer në një bastion të PS. Para se të vija këtu një person shumë i lartë politik më thotë të paralajmërojë se do të gjejë belaja me kryetarin e bashkisë, sepse nga fillimi deri në fund do të kërkojë vetëm projekte”, tha Ahmetaj.
Arben Ahmetaj do të zëvendësojë në Kavajë si kandidat për deputet, Parid Carën, i cili prej kohësh nuk ka një marrëdhënie të mirë me Rroshin.
SONDAZH: Votoni për DEPUTETIN që dëshironi të rizgjidhet më 18 qershor
