Në Ditën e Europës, ambientet e Kalasë së Tiranës u kthyen në një hapësirë ku historia e lajmit shqiptar mori jetë përmes fotografive, dokumenteve arkivore dhe kujtimeve të gazetarisë ndër vite. Agjencia Telegrafike Shqiptare në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, hapi ekspozitën “ATSH – Një rrugëtim në historinë e lajmit shqiptar”, duke sjellë për publikun një panoramë të rrallë të evolucionit të informacionit në Shqipëri.
Ekspozita, e çelur në Ditën e Europës, paraqet rrugëtimin e lajmit nga telegrafi dhe radiostacionet e para deri te platformat moderne digjitale, përmes dokumenteve historike, fotografive bardhezi, buletineve, marrëveshjeve të ATSH-së me agjenci ndërkombëtare dhe pajisjeve të para të transmetimit.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, drejtoresha e përgjithshme e ATSH-së Valbona Zhupa, përfaqësues institucionesh, gazetarë, historianë dhe studiues.
