Nëntë zyrtarë të Ministrisë së Brendshme janë arrestuar sot nga Policia me urdhër të SPAK dhe me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit. Operacioni është zhvilluar në ambientet e kësaj Ministrie dhe lidhet me tenderin 25 milion euro të uniformave të Policisë.
Mësohet se të arrestuarit, janë:
1 - Edlira Naqellari - Arrest në burg
2- Kreshnik Bejkaj - Arrest në burg
3- Ani Omuri - Arrest në burg
4- Klevis Hasani - Arrest në burg
5- Anisa Bogdani - Arrest në shtëpi
6- Flutura Çekrezi - Arrest në burg
7- Fatmir Demneri - Arrest në burg
8- Gëzim Mingaj - Arrest në burg
9- Mariglen Buzali - Arrest në burg
Për 8 nga të arrestuarit e mësipërm Gjykata ka dhënë masën e sigurisë “Arrest në burg”, ndërsa për një prej tyre është dhënë masa e sigurisë “Arrest në Shtëpi”. Këta zyrtarë dhe disa prej tyre ish-zyrtarë akuzohet se kanë ndikuar dhe kanë skualifikuar nga gara disa kompani të interesuara për tenderin e uniformave të Policisë.
Aktualisht, të arrestuarit po merren në pyetje nga hetuesit dhe prokurorët e Prokurorisë Speciale SPAK.
- Edlira Naqellari, Drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, në datë 2 korrik 2021 është liruar papritur nga detyra nga Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi. Kjo Drejtori është pikërisht ajo që organizon tendera për të gjitha institucionet qeveritare.
Ajo, si organ qendror blerës, i autorizuar me vendim të Këshillit të Ministrave, ka si mision kryerjen e procedurave të prokurimit të fondeve buxhetore me vlerë mbi kufirin monetar të prokurimeve me vlera të vogla, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, ministrive, institucioneve në varësi të Kryeministrit e të ministrave të linjës, për blerjen e mallrave dhe të shërbimeve të përcaktuara.
- Flutura Çekrezi, zyrtare pranë Agjencisë së Blerje të Përqendruara.
- Fatmir Demneri, Mariglen Buzali, Kreshnik Bejkaj, anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.