Deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi ka kërcënuar kryeministri Edi Rama se nëse tenton të manipulojë zgjedhjet e 2017-ës, atëherë në Shqipëri mund të zbatohet precedenti maqedonas.
Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”, Bumçi ka theksuar se parta e drogës do të jenë faktor në zgjedhjet e ardhshme, megjithatë ai shprehet se Rama do të ketë fatin e Nikolla Gruevskit nëse ndërhyn te vota.
“Në raport (OSBE) flitet për banda që rrethojnë qendrat e votimit, blerjen e votës, kontrollin e kartave të identitetit, etj. Por, në atë raport nuk përmendet droga, që është kthyer në dukuri të frikshme për nga përmasat në 2016-ën dhe do të jetë faktor në 2017-ën. E rëndësishme është që faktori ndërkombëtar është tërësisht i vetëdijshëm për problemet e qeverisë “Rama” dhe zgjedhjet. Prandaj nxorën atë raport në 2015-ën dhe vendosën zgjedhjet e lira, dekriminalizimin dhe luftën kundër drogës si kusht për hapjen e negociatave. Në 2017-ën, shqiptarët do të gjejnë zgjidhjen, ose normalisht nëpërmjet zgjedhjeve, ose nëpërmjet precedentit maqedonas. Brukseli dhe Uashingtoni ua kanë gjetur ilaçin Putinëve të vegjël të Ballkanit, larguan Gruevskin për t'u hapur rrugën zgjedhjeve të lira. Po e njëjta gjë do të ndodhë me Ramën, nëse nuk bën të vetmen gjë që mund të bëjë në këto 6 muaj”, ka thënë Bumçi.
