Ish-deputeti socialist Ardian Myslimaj ka reaguar pas lajmit të publikuar nga Newsbomb.al për shkarkimin e tij nga puna pas përplasjes me krerët e Partisë Socialiste.
Newsbomb.al zbardhi mesazhet e komunikimit të Myslimit me kryeministrin Edi Rama, ku ky i fundit i kërkonte që të telefononte Taulant Ballën dhe t’i kërkonte falje, pasi më herët i ishte ankuar se përse emri i Myslimit nuk ishte në listën e konkurrentëve për anëtar në KQZ.
Ai shprehej se e meritonte këtë post për shkak të kontributeve të tij në PS. Por gjithçka iu kthye në bumerang, duke humbur jo vetëm mundësinë e kandidimit por dhe detyrën që mbante ndërkohë.
Megjithatë Myslimi ka reaguar lidhur me këtë lajm, duke thënë se është i pavërtetë. Ai pranon se ka konkurruar për postin, por thotë se biseda e tij me Taulant Ballën dhe më pas me kryeministrin Edi Rama “janë sajesa”.
“Është e vërtetë që kam konkurruar për një pozicion në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, por të gjitha të tjerat në “lajmin” janë sajesa të kota pse jo edhe të qëllimshme”, thotë ndër të tjera Myslimi.
Newsbomb.al mësoi se Rama i ka kërkuar Ardian Myslimit t’i kërkojë falje Ballës, por ky i fundit s’ka pranuar. Rama ka dhënë urdhër për shkarkimin e tij, dhe ministrja e Financave Anila Denaj e firmosi.
Për pushimin nga puna, Ardian Myslymi ka hedhur në gjyq ministren Anila Denaj në Gjykatën Administrative.
