Një e re që punonte si recepsioniste në Hotel "Greccia" në Dhërmi dhe që ndante turnin me Eraldo Nevruzin, ka treguar detaje nga sjellja e 31 vjeçarit dhe raporti me pronarin që dyshohet se e vra. I riu nga Tirana kishte shkuar të punonte, por prej 23 orësh rezulton i vrarë dhe i zhdukur.
Vajza ka thënë për mediat se i dukej si djalë i lëvizshëm dhe jo i rregullt. Sipas saj, ai kishte vetëm pak ditë që kishte mbërritur në Dhërmi dhe kishte kërkuar punë pranë hotelit për barist, por duke qenë se bari nuk ishte hapur i kishin propozuar të punonte në recepsion.
Ajo ka treguar se edhe dje, e kishte lënë turnin më herët se orari që kishte sepse Eraldo Nevruzi ishte paraqitur në recepsion para orarit të tij dhe i kishte thënë se ajo mund të ikte.
Sipas vajzës, 31 vjeçari nuk kishte asnjë kontakt më ndryshe nga të tjerët me pronarin Gerald Shehu, i cili akuzohet dhe është arrestuar në Korfuz për vrasje, pavarësisht se ka raportime se të dy njiheshin më parë që në Angli.
Kur ka filluar të punojë Eraldo këtu?
Recepsionistja: Nuk ka shumë kohë, diku te pesë ditë
Si e njeh Eraldon?
Recepsionistja: Ishte tip i lëvizur, nuk më është dukur djalë i rregullt
Po Geraldin, dhëndrin e pronarit e njihje?
Recepsionistja: Nuk kam biseduar shumë me atë, më shumë me pronaren se ai ka pasur pjesën e restorantit
Kur e le turnin dhe kush të ndërroi?
Recepsionistja: E lash në orën 20:00 më ndërroi Eraldo. Kisha për ta lënë në 22:30, por erdhi më herët
Ju flini këtu, keni dëgjuar gjë pas orës 11?
Recepsionistja: Jo, isha në dhomë dhe nuk kam dëgjuar asgjë, mami ishte duke fjetur unë po rrija në celular.
Çfarë kishit parë nga ata të dy, kishit parë konflikte?
Recepsionistja: Kjo është ajo që na çudit sepse nuk kishin asnjë lloj kontakti ndryshe nga të tjerët
Kur e morët vesh ngjarjen?
Recepsionistja Ngjarjen e mora vesh në orën 09:00, kur erdhi mami te dhoma.
Ku kishte ndodhur ngjarja?
Recepsionistja: Mesa thonë këta te pjesa e parkingut mbrapa, të pjesa e stafit
Policia ju mori në pyetje?
Recepsionistja: Dhamë aq informacion sa kishim. Eraldo erdhi këtu dhe kërkoi punë si një i panjohur, si djalë i ri
Nga vinte?
Recepsionistja: Jo nuk tha gjë, erdhi këtu dhe tha që po kërkoj punë për barist, këta i thanë që do presësh, por po ashtu hajde puno në recepsion.
Geraldin e njihje?
Recepsionistja: Jo, është hera e parë që punoj këtu, nuk kam asnjë ankesë për pjesën e sigurisë