
Pushuesit e akomoduar në Hotel "GRECCIA" në Dhërmi kanë mbledhur valixhet dhe janë larguar sapo kanë mësuar se çfarë kishte ndodhur, kur forca të shumta policie nisën të kontrollonin çdo cep për të gjetur prova për vrasjen e recepsionistit Eraldo Nevruzi.
Të tmerruar ata kanë marrë peshqirat e rrobat e plazhit dhe janë larguar nga hoteli i Gerald Shehut, pronarit që dyshohet se për shkak të një konflikti të çastit vrau me armë recepsionistin. 31 vjeçari nga Tirana kishte vetëm një javë që kishte mbërritur në jug për punë sezonale.
Pushimet e rezervuara për ditët e para të qershorit i kanë anuluar dhe pushuesit e turistët që planifikonin të mbërrinin në fundjavë në Dhërmi.
Sapo kanë mësuar për ngjarjen në media, ata kanë nxituar të anulojnë rezervimet online për të kaluar fundjavën në Hotel "GRECCIA". Aktualisht, biznesi është i hapur dhe trupi i 31 vjeçarit që raportohet se është vrarë me armë zjarri në dhomën e tij, nuk është gjetur.
Pronari Gerald Shehu është arrestuar rreth orës 18.00 të pasdites së sotme në Aeroportin Ndërkombëtar të Korfuzit "Jani Kapodistria, raporton newsbomb.al. Ai po përgatitej të largohej drejt Barcelonës dhe më pas Anglisë.
43 vjeçari po përgatitej të largohej dhe nga Greqia, sapo u mësua se pas ngjarjes kishte kaluar kufirin e vendit fqinj.
Rreth orës 18.00 me orën e Shqipërisë dhe 19.00 me atë të Greqisë, Policia helene ka njoftuar homologët shqiptarë se kishte lokalizuar dhe arrestuar në një nga aeroportet e vendit shtetasin me kombësi shqiptare dhe pasaportë britanike, Gerald Shehu.
Ndërkohë, në jug vijojnë prej më shumë se 20 orësh kërkimet për gjetjen e trupit të recepsionistit Eraldo Nevruzi. Në pamjet e kamerave të hotelit dhe nga dëshmitë, është raportuar se rreth orës 00.30 të mëngjesit të sotëm ka pasur dy të shtëna pistolete që dyshohet se i kanë marrë jetën të riut nga Tirana.
Në të gjithë fshatrat përreth Dhërmiut po ushtrohen kontrolle të imtësishme, për të gjetur trupin e 31 vjeçarit.
© Newsbomb.al