Është mbyllur procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë. Korridoret tashmë janë boshatisur dhe vetëm punonjësit e KQZ-së po kontrollojnë klasat për të siguruar mbylljen e plotë të procesit.
Pas mbylljes së kutive të votimit, janë publikuar edhe rezultatet e para të exit poll-eve. Sipas sondazheve të deritanishme, Vetëvendosja ka marrë rreth 42.3% të votave, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) 21.6%, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 17.3% dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 6.8%.
Këto shifra janë të ngjashme me ato të publikuara nga sondazhe të publikuara më herët, por mbetet të shihet se si do të krahasohen me rezultatet paraprake. Duhet theksuar se këto të dhëna nuk përfshijnë votat e diasporës, votat me postë apo votat me kusht.
Analistët vërejnë se Vetëvendosja duket se ka një rënie krahasuar me zgjedhjet e dhjetorit, kur kishte arritur mbi 51%. Megjithatë, exit poll-et janë vetëm një pasqyrë e perceptimit të votuesve dhe rezultatet zyrtare do të japin panoramën e plotë.

