Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

EMRAT/ Skeda kriminale e të kërkuarve nga SPAK: Krerë bandash, trafikantë droge, porositës vrasjesh dhe ekzekutorë

Shkruar nga Newsbomb
EMRAT/ Skeda kriminale e të kërkuarve nga SPAK: Krerë bandash,
Pamje nga kontrollet e Policise - Disa nga te kerkuarit

Prokuroria e Posaçme ka lëshuar rreth 50 urdhër-arreste për eksponentë të njohur të botës së krimit dhe ish-politikanë, pas zbërthimit të komunikimeve në aplikacionet sekrete "Sky" dhe EncroChat". Forcat Speciale po ushtrojnë kontrolle në disa qytete.

Emrat që kanë dalë deri tani, jo zyrtarisht, tregojnë se bëhet fjalë për njerëz të katapultuar shumë lartë në hierarkinë e krimit, ku përfshihen krerë bandash, trafikantë droge, porositësh vrasjes, ekzekutorë dhe njerëz të kapur mes lidhjeve në biznes e politikë.

Kontrolli i shtëpive të vëllezërve Jasim dhe Astrit Avdylaj

Forcat RENEA dhe FNSH kanë zbarkuar në orët e para të mëngjesit të sotëm në zonën e Shijakut, ku vepron fisi Avdylaj dhe që njihet e është përfolur si një grup i përfshirë në disa ngjarje kriminale. Shtëpitë e dy vëllezërve Jasim dhe Astrit Avdylaj janë kontrolluar nga efektivët, për llogari të hetimeve të SPAK, por asnjë prej tyre nuk është arrestuar.

Ata dyshohet se kanë gisht në disa atentate mafioze të ndodhura nga viti 2019 dhe në vijim. Gjithashtu, grupi Avdylaj i Shijakut dyshohet se është i lidhur dhe me zhdukjen e biznesmenit të basteve Ervis Martinaj, pasi gjurmët e e fundit të tij kanë qenë në këtë zonë.

EMRAT/ Skeda kriminale e të kërkuarve nga SPAK: Krerë bandash,
Dy nga vellezerit Avdyli, Altin dhe Astrit

Të dy vëllezërit janë marrë në pyetje nga Prokuroria e Kurbinit dy vite më parë, kur Ervis Martinaj u zhduk. Jasim dhe Astrit Avdylaj në atë kohë mohuan të kenë pasur kontakte për të strehuar biznesmenin e basteve, sepse ishin në "Arrest shtëpie" dhe monitoroheshin nga Policia e Shtetit.

"Klani Avdylaj" u zbulua në vitin 2018 si pjesë e dosjes “339”, gjatë operacionit “Volvo 4” për laboratorin e kokainës/heroinës që u gjet ne Has. Disa nga anëtarët e grupit u arrestuan por një vit më pas morën lirinë sepse u tejkaluan afatet e paraburgimit. Gjatë hetimit rezultoi se Astrit Avdyli dhe personat e tjerë merreshin me trafikimin e sasive të madhe të lëndëve narkotike nga Shqipëria në drejtim të Italisë dhe vendeve të tjera evropiane.

Kontrolle në Nikël, në shtëpitë e vëllezërve Durim e Valter Bami

Ekipet policore kanë kontrolluar këtë të premte dhe disa baza në zonën e Niklës, kryesisht në pronësi të vëllezërve Durim dhe Valter Bami. Të dy këta shtetas janë të kërkuar nga drejtësia shqiptare për ngjarje të ndryshme kriminale, por aktualisht ndodhen në Dubai dhe i kanë shpëtuar përballjes me ligjin.

Nga hetimet e SPAK, ka rezultuar se vëllezërit Bami, miq dhe me lidhje të forta me grupin e Avdylajve në Shijak, janë kthyer prej kohësh në rivalë dhe dyshohet se kanë urdhëruar e porositur disa atentate ndaj njëri-tjetrit.

Nuk ka informacion nëse nga kontrolli në shtëpitë e tyre janë gjetur sende të paligjshme. Valter Bami u arrestua muaj më parë për atentatin në fshatin Larushkë të Krujës, ku mbeti i vrarë kunati i Gentjan Bejtes dhe u plagosën dy fëmijët e tij. Në duar u gjetën gjurmë baruti, por Bami u la në "Arrest shtëpie".

Pak kohë pas këtij atentati të dështuar, ndodhi një atentat i dytë dhe ish-polici Gentian Bejtja mbeti i vrarë. Kur Policia e Shtetit shkoi të arrestonte Valter Bamin, ai nuk u gjet në shtëpinë ku duhet të qëndronte nën masë sigurie, por rezultoi se kishte shkuar pranë të vëllait në Dubai.

EMRAT/ Skeda kriminale e të kërkuarve nga SPAK: Krerë bandash,
Vellezerit Durim dhe Valter Bami

Kurse vëllai tjetër, Durim Bami njihet si “i fortë” i Niklës. Ai është shoqëruar si i dyshuar për disa ngjarje të bujshme kriminale, por ndaj tij nuk janë gjetur prova për të qëndruar në qeli. Vite më parë, Durim Bami trazoi politikën shqiptare, kur deklaroi se se ishte vrasës me pagesë dhe ishte paguar nga Ilir Meta për të vrarë Tom Doshin.

Në 3 mars të 2015 ai është arrestuar nga policia për kallëzim të rremë pas akuzave të Tom Doshit, se ish-kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kishte porositur një atentat për ta ekzekutuar atë përmes Durim Bamit, kundrejt pagesës 500 mijë euro. Bami u kap në tentativë për t’u larguar drejt Malit të Zi.

Të pandehur bashkë me Durim Bamin, u morën Tom Doshi dhe Mark Frroku për të cilët Prokuroria kërkoi nga 1 vit burg për akuzën e kallëzimit të rremë. Por pas një odiseje 3 vjeçare gjyqësore sa në Gjykatën e Krimeve, në Gjykatën e  Lartë, e në atë Kushtetuese gjithçka përfundoi me pafajësinë e Doshit dhe dënimin e Frrokut e Bamit, por asnjë prej tyre nuk qëndroi në burg, pasi dënimi u konvertua në shërbim prove.

Po kështu, Durim Bami ka qenë i dyshuar në vitin 2004 për një tentativë vrasjeje, për vrasjen e shtetasve Erzen H. dhe Hasan K. Gjithashtu, Durim Bami rezulton si personi i fundit që ka takuar mikun e Gentjan Bejtjes, shtetasin Enver Stafukën, të zhdukur në 2015. Më herët ai është dënuar me 4 vjet burg për veprën penale të pengmarrjes.

Baza e Fatmir Hysenit alias "Doqja" në Vlorë

Kunati i "Didit" të Vlorës dhe hasmi i Viktor Ymerit, ky është portretizimi i i vrasësit me pagesë Fatmir Hyseni nga Vlora. Baza e tij në qytetin bregdetar është kontrolluar nga Forcat Speciale, por "Doqja" nuk është gjetur. Ai akuzohet se është vrasësi i ish-policit Santiago Malko, një nga njerëzit më te besuar të Ervis Martinaj.

Fatmir Hyseni dyshohet nga Policia dhe Prokuroria e Tiranës se ka qëlluar me kallashnikov drejt Malkos, i kontraktuar nga vëllezërit Erlis dhe Leonard Duka, duke u mbështetur më pas nga anëtarët e tjerë të skuadrës Oltion Loga, Dritan Agaj, Ervis Metani, Ilir Selmani dhe Bledar Teta.

Nga informacionet operative që Policia e Tiranës ka mbledhur lidhur me vrasjen e Santiago Malkos ku rezulton se klani “Duka”, ose siç njihet ndryshe në kryeqytet si “banda e Romëve”, ka kontraktuar Fatmir Hysenin nga Vlora pjesë e “grupit të Çamëve” për të eleminuar Santiago Malkon, shok i biznesmenit të lojërave të fatit Ervis Martinaj.

EMRAT/ Skeda kriminale e të kërkuarve nga SPAK: Krerë bandash,
I shumekerkuari Fatmir Hyseni

Fatmir Hyseni njihet me nofkën “Doqe” dhe ka një të kaluar kriminale dhe është dyshuar si një nga bashkëpunëtorët e vrasjes së vëllait të Viktor Ymerit në Vlorë, ose siç njihet ndryshe në këtë qytet si “Tori i Xhihanes”. Fatmir Hyseni është çam dhe kunati i Dritan Veselit ose siç njihej ndryshe në qytetin bregdetar si “Didi i Vlorës” ose “Didi Çami”, i vrarë në 14 shtator 2004 në qytetin bregdetar.

Hyseni dhe “Didi” cilësohen nga policia dhe prokuroria si kundërshtarët më të mëdhenj të Viktor Ymerit dhe Edison Harizajt, ky i fundit i vrarë, ndërsa Viktori vijon të jetë ne qeli.

Bastisja e shtëpive të anëtarëve të klanit "Duka" në Tiranë

Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Policia ka kontrolluar dhe shtëpitë e vëllezërve Leonard dhe Erlis Duka, dy eksponentë të njohur të botës së krimit dhe të kërkuar nga drejtësia shqiptare. I pari i vëllezërve, i cilësuar dhe si "Princi Damian" është arrestuar në Bruksel dhe vazhdon të qëndrojë qeli, pasi ka kërkuar azil.

Ai është kundërshtuar i mbretit të basteve Ervis Martinaj dhe grupi që ai drejton, akuzohet zyrtarisht nga drejtësia se ka porositur vrasjen e ish-policit Santiago Malko. Kjo ngjarje ka ndodhur pasi grupi i Martinaj rrëmbeu dhe rrahu babain e Leonard Dukës, për shkak të përplasjeve për lojërat e fatit. "Princi Damian" u betua se do të hakmerrej në çdo rast dhe pas dështimit për të cënuar direkt Ervis Martinaj, i vrarë një nga njerëzit e besuar, Malkon.

Ervis Martinaj ka qenë një nga bosët më të mëdhenj të lojërave të fatit në Shqipëri, duke qarkulluar dhjetëra milion euro si, dhe një investitor i madh në sektorin e ndërtimit. Që nga viti 2019 ndaj tij janë planifikuar dhe tentuar disa atentate, por në të gjitha rastet ai ka mundur që të shpëtojë falë intuitës personale, por edhe falë informacioneve të dorës së parë nga brenda policisë. Prej Gushtit 2022, ai rezulton i zhdukur pa gjurmë.

EMRAT/ Skeda kriminale e të kërkuarve nga SPAK: Krerë bandash,
Ervis Martinaj dhe Leonard Duka

Përsa i përketë vëllait tjetër, Erlis Dukës, ai është skeduar nga Policia e Tiranës për ngjarje më të lehta se ato ku është përfshirë Leonardi. Në vitin 2009 në zonën e “Ali Demit” ai është konfliktuar me një 22 vjeçar të quajtur Endri Musollari. Dy të rinjtë janë përleshur dhe pas konfliktit, Erlis Duka asokohe 19 vjeç, ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar mbi Musollarin.

Më pas në 20 mars 2017, Erlis Duka së bashku me vëllain e tij Leonard Duka kanë plagosur me armë zjarri shtetasin Eduard Duka. Ngjarja ka ndodhur në rrugën e quajtur “Aleksandër Moisiu” në trotuarin pranë lokalit “Nek Bar". Atentati ka ardhur një muaji nga sherri fizik, ku Eduart dhe vëllai i tij Rigert Duka kanë pasur një konflikt me dy vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka.

Po në vitin 2017, ky shtetas është shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës pas një konflikti fizik në një lokal në zonën e ish-Bllokut që degjeneroi deri në përdorimin e armës së zjarrit. Erlis Duka u rrah me grushte nga disa persona, ndërsa në vendngjarje u gjetën dhe gëzhoja arme, por nuk u zbulua se kujt i përkisnin.

Fushë-krujsi Albert Zaja, autor i vrasjes së Kastratit

Albert Zaja, 40 vjeçari nga Fushë Kruja që është shpallur fajtor nga togat e zeza për vrasjen e Shkëlzen Kastratit, është dënuar me 19 vite burg nga Gjykata e Apelit. Ai kishte ankimuar shpalljen fajtor, por vendimi ka mbetur në fuqi dhe Zaja do të qëndrojë pas hekurave.

EMRAT/ Skeda kriminale e të kërkuarve nga SPAK: Krerë bandash,
Albert Zaja, momenti i arrestimit nga RENEA

Shtëpia e tij në Fushë Krujë është bastisur nga forcat speciale, në kuadër të këtij operacioni të gjerë të zhvilluar nga SPAK në disa prej qyteteve kryesore të vendit. Veç prokurorit të çështjes, në të është përfshirë dhe kryeprokurori Altin Dumani.

Biznesmeni Shkëlzen Kastrati u ekzekutua me breshëri plumbash më datë 1 shkurt të vitit 2021 në vendin e njohur si Rrethrrotullimi i Sheqit në Fier. Të përfshirë në vrasje janë: Elmir Tufa, banues Fushë Krujë; Elson Xhecuka, banues në Kamëz dhe Silvio alias Roland Cara, banues në Tiranë. Për shkak se ka pranuar gjykimin e shkurtuar, Albert Zaja do të qëndrojë 12 vite e 8 muaj në qeli sepse i ulet 1/3 e dënimit.

Urdhërarrest për ish-deputetin Arben Ndoka dhe vëllain e tij

Një nga personat e shpallur në kërkim nga ky operacion është edhe ish-deputeti i PS, Arben Ndoka. Urdhërarrest ëhstë lëshuar dhe për vëllain e Ndokës, shtetasin Xhevi Ndoka i cili aktualisht ndodhet në qeli për tjetërsimin e mijëra metrave katrorë tokë në zonën e Shëngjinit.

Në 2018 ish-deputeti Arben Ndoka u arrestua pasi akuzohej për “Falsifikimi i dokumenteve”, Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, “Shpërdorimi i tokës”, në kuadër të një grupi kriminal, të përfshirë në tjetërsim tokash.

EMRAT/ Skeda kriminale e të kërkuarve nga SPAK: Krerë bandash,
Ish-deputeti Arben Ndoka

Atë kohë hetimet zbuluan se ish-deputeti me një grup kriminal ishin të implikuar në abuzimet me troje shtetërore në zonën e Lezhës dhe Kurbinit, përmes falsifikimit të dokumenteve e vulave etj. Në bashkëpunim me njëri-tjetrin falsifikuan, tjetërsuan dhe përvetësuan 234,548 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Shëngjin, Lezhë.

Po ashtu atë kohë u zbulua se vëllai i tij, Xhevi Ndoka ishte i lidhur me grupin Avdylaj në Shijak, që akuzohen për trafikim droge. Ish-deputetit në 2019 iu sekuestrua pasuria me vlerë rreth 40 milionë euro nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

RENEA arrestoi dhe biznesmenin Mir Bruli

Forcat Speciale RENEA kanë zbarkuar këtë të premte në disa qytete të vendit dhe kryesisht në zonën e veriut, ku dyshohet se fshihen disa nga personat e kërkuar nga SPAK. Një ndër të arrestuarit, është dhe biznesmeni i njohur i veriut Mir Bruli.

Ai është i afërm i biznesmenit shkodran Pëllumb Gjoka, i cili qëndron prej muajsh në qeli për dosjen "Metamorfoza", pasi u arrestua pikërisht pas zbardhjes së komunikimeve në aplikacionet "Sky" dhe "EnchroChat".

EMRAT/ Skeda kriminale e të kërkuarve nga SPAK: Krerë bandash,
Biznesmeni Pëllumb Gjoka

Mir Bruli është biznesmen i njohur në zonën e Velipojës në Shkodër, pasi ka në pronësi hotele, restorante dhe lokale të ndryshme, kryesisht përgjatë vijës bregdetare. Pak ditë më parë, IKMT zbarkoi në zonën e plazhit dhe shembi një nga bizneset e tij, sepse ishte i ndërtuar pa leje.

Prokuroria e Posaçme ka lëshuar për të urdhër-arrest sepse dyshon se është i përfshirë në disa ngjarje kriminale, por është e paqartë nëse ka të bëjë me atentatet ndaj personave të mësipërm. Pritet që në orët në vazhdim SPAK të dalë me komunikatë zyrtare për këto arrestime.

© Newsbomb.al

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese