Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Aktualitet

SPAK zbardh vrasjen e "Kumbarit të Shkodrës" dhe njerëzve të Ervis Martinaj, RENEA prangos biznesmenin e njohur të veriut

Shkruar nga Newsbomb
SPAK zbardh vrasjen e "Kumbarit të Shkodrës" dhe
FotoMontazh: RENEA - Bardhok Planaj dhe Ervis Martinaj

Prokuroria e Posaçme ka zbardhur pas tre vitesh vrasjen e biznesmenit kontravers Bardhok Planaj. I njohur me nofkën "Kumbari i Shkodrës", ndërtuesi i pallateve i skeduar dhe për trafik droge u ekzekutua me breshëri plumbash të dielën e Pashkëve, më 4 Prill 2021 në kryeqendrën e veriut.

Ai ishte nisur drejt Malësisë së Madhe, kur një skuadër qitësish profesionistë ju vunë në ndjekje dhe e vranë 50 metra larg shtëpisë, në fshatin Dobraç i Ri.

Më shumë se 40 plumba kallashnikovi u derdhën drejt fuoristradës së tij, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Ekzekutimi i "Kumbarit të Shkodrës" u cilësua si një goditje e madhe për botën e krimit, pasi emri i tij mbartte një peshë të madhe në këtë qytet dhe në përgjithësi në zonën e veriut.

Më vonë, gjatë kësaj të premte pritet që SPAK të dalë me deklaratë zyrtare për këtë vrasje dhe të tjera që kanë tronditur vendin në vitet e fundit, duke nisur nga ekzekutimi i Bardhok Planaj, njerëzve të Ervis Martinaj dhe konflikti mes bandave të Shijakut e Niklës.

Bardhok Planaj është përfshirë disa herë në dosjet e policisë si person me precedentë në fushën e trafikut të drogës. Në 2014-ën ai u dënua në mungesë për “Pastrim parash”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Ndërtim pa leje”. Për këto akuza ai u arrestua në 2018-ën dhe madje iu sekuestrua edhe një pallat 10-katësh i dyshuar se ishte ndërtuar me para nga burime kriminale dhe pa leje ndërtimi.

SPAK zbardh vrasjen e "Kumbarit të Shkodrës" dhe
Bardhok Planaj, Kumbari i Shkodres

Ngjarja më e bujshme është ajo e 2014-ës që lidhet me një rast të trafikut të drogës nga Laguna e Vilunit dhe që trazoi edhe politikën shqiptare.

Më datë 30 shtator 2014, në vendin e quajtur “Rana e Hedhun” midis Lagunës së Vilunit dhe Shëngjinit, shërbimet e policisë kufitare dhe ato të Guardia di Finanza, panë të hidheshin në det nga një mjet lundrues çanta të zeza në përmasa të mëdha.

Pasi u nxorën nga deti, rezultoi se brenda thasëve kishte drogë me peshë 210 kg. Të nesërmen e asaj date, në vendin e quajtur Grykëderdhja e Bunës në Velipojë, forcat e policisë kufitare gjetën të hedhura në det edhe 15 çanta të tjera me peshë 594 kg.

Hetimet provuan se sasia e lëndës narkotike ishte ngarkuar në skaf në Velipojë për t’u dërguar në Itali, te pritësit e saj, njëri prej të cilëve u identifikua asokohe si shtetas italian.

Sipas raporteve të policisë të asaj kohe i përfshirë në këtë rrjet të trafikut të drogës ishte pikërisht Planaj. Por ai mundi të shpëtojë nga arrestimi pasi sipas oficerëve që e ndiqnin ai u fut në makinën e një deputeti dhe që sipas tyre i përkiste Mark Frrokut.

SPAK zbardh vrasjen e "Kumbarit të Shkodrës" dhe
Ish deputeti Mark Frroku

Ish-deputeti mohoi të kishte ndihmuar Bardhok Planaj që t’i shmangej arrestimit, por në raportin e oficerëve të gjurmimit në sektorin e narkotrafikut shkruhej se “i dyshuari në survejim prej tyre ka lëvizur nga lokal “Antika” në Tiranë drejt Laprakës me automjetin Audi në pronësi të deputetit”.

Vrasja e njerëzve të Ervis Martinaj

Nga zbëthimi i mesazheve në aplikacionet sekrete të komunikimit "Sky" dhe "EnchroChat", janë zbuluar dhe një sërë ngjarjes të tjera kriminale. Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë arritur të kryqëzojnë provat dhe kanë zbardhur konfliktet mes grupeve rivale të drogës dhe lojërave të fatit, që u kanë marrë jetën njerëzve më të afërt të Ervis Martinaj.

Biznesmeni i lojërave të fatit që rezulton i zhdukur prej muajit Gusht 2022, ndërsa para dhe pas zhdukjes së tij pa gjurmë disa nga njerëzit më të afërt janë ekzekutuar në atentate mafioze.

Bëhet fjalë për 10 eksponentë të botës së krimit, bashkëpunëtorë në biznes dhe miq të biznesmenit të basteve, që nisën të ekzekutoheshin një nga një pak para zhdukjes së Ervis Martinaj dhe më tepër pas 9 Gushtit 2022.

SPAK zbardh vrasjen e "Kumbarit të Shkodrës" dhe
Disa nga miqte qe i jane vrare Ervis Martinaj

Tashmë, prokurorët e SPAK kanë mundur t'i zbardhin këto ngjarje dhe kanë lëshuar urdhër-arreste për rreth 50 shtetas, mes të cilëve krerë të bandave kriminale, trafikantë droge, porositës vrasjesh dhe ekzekutorë. Në komunikimet në aplikacionet "Sky" dhe "EnchroChat", këta shtetas kanë lënë gjurmë për konfliktet mes tyre dhe urdhrat për vrasje.

Prangosja e biznesmenit Mir Bruli

Forcat Speciale RENEA kanë zbarkuar këtë të premte në disa qytete të vendit dhe kryesisht në zonën e veriut, ku dyshohet se fshihen disa nga personat e kërkuar nga SPAK. Një ndër të arrestuarit, është dhe biznesmeni i njohur i veriut Mir Bruli.

Ai është i afërm i biznesmenit shkodran Pëllumb Gjoka, i cili qëndron prej muajsh në qeli për dosjen "Metamorfoza", pasi u arrestua pikërisht pas zbardhjes së komunikimeve në në aplikacionet "Sky" dhe "EnchroChat".

SPAK zbardh vrasjen e "Kumbarit të Shkodrës" dhe
Biznesmeni Pëllumb Gjoka

Mir Bruli është biznesmen i njohur në zonën e Velipojës në Shkodër, pasi ka në pronësi hotele, restorante dhe lokale të ndryshme, kryesisht përgjatë vijës bregdetare. Pak ditë më parë, IKMT zbarkoi në zonën e plazhit dhe shembi një nga bizneset e tij, sepse ishte i ndërtuar pa leje.

Prokuroria e Posaçme ka lëshuar për të urdhër-arrest sepse dyshon se është i përfshirë në disa ngjarje kriminale, por është e paqartë nëse ka të bëjë me atentatet ndaj personave të mësipërm. Pritet që në orët në vazhdim SPAK të dalë me komunikatë zyratare për këto arrestime.

© Newsbomb.al

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese