Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja ka reaguar në lidhje me ngajrjen e regjistruar në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele në Shkodër.
Shpërthimi me lëndë plasëse ndodhi rreth orës 03:13 në banesën e gjyqtarit Tonin Sterkaj në qytetin e Shkodrës.
Ministri i Drejtësisë shprehet se qëndron në krah të gjyqtarit dhe familjes së tij si dhe bën thirrje nga organet kompetente të zbardhin sa më parë këtë akt të shëmtuar prej burracakësh që kërkon të intimidojë drejtësinë.
“Me Tonin Sterkajn më ka njohur puna si drejtues i Prokurorisë Shkodër, gjatë viteve 2002-2007 dhe miqësinë tonë të atyre kohëve të vështira e kemi pasurinë tonë më të madhe. Si mik dhe si koleg, sot, i kam shprehur Toninit dhe familjes së tij gjithë mbështetjen time!
Si Ministër i Drejtësisë, kërkoj nga organet kompetente të zbardhin sa më parë këtë akt të shëmtuar prej burracakësh që kërkon të intimidojë drejtësinë, por që nuk do ia arrijnë dot, aq më tepër me Tonin Sterkajn, gjyqtarin më të vjetër e më me përvojë që ka sistemi i drejtësisë sot në juridiksionin e shkallës së parë!
Sot jam në krah të Toninit dhe familjes së tij dhe jam i bindur se drejtësia do triumfojë dhe në këtë rast!”
Tonin Sterkaj është gjyqtar pranë Gjykatës së Shkalles se Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.
Pas shpërthimit të lëndës plasëse, edhe ministri Taulant Balla e ka telefonuar gjyqatrin e Shkodrës ku dhe e ka siguruar se janë marrë masa të menjëherëshme për garantimin e sigurisë së tij.