Është vënë në pranga nga Policia e Kurbinit 48- vjeçari Saimir Keqi i cili dyshohet se shpërndante heroinë dhe kishte kultivuar dhjetëra bimë kanabisi në oborrin e banesës së tij.
Arrestimi u bë në oborrin e shtëpisë së tij, nga ku gjatë kontrolleve fizike “blutë” gjetën dhe sekuestruan 776 gramë lëndë të dyshuar narkotike heroinë, si dhe një peshore elektronike.
Po ashtu bëhet me dije se u konstatuan 144 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, bimët e të cilave u asgjësuan me djegie, ndërsa një pjesë e tyre u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Sipas Policisë, 48-vjeçari dyshohet se furnizonte persona të tjerë dhe shpërndante lëndë narkotike heroinë.
“Sekuestrohen 776 gramë lëndë narkotike e dyshuar heroinë, 1 peshore elektronike dhe bimët narkotike. Si rezultat i operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi S. K., 48 vjeç, banues në Kurbin” njoftoi sot Policia.
Mirëpo emri i Saimir Keqit nuk është i panjohur për Policinë, sepse në vitin 2015 ai është vënë në pranga pasi iu gjet dhe sekuestrua 50 gramë lëndë narkotike e llojit heroinë.
“Në sajë të operacionit antidrogë të koduar “Autostrada”, blutë e Lezhës kanë bërë të mundur ditën e djeshme ndalimin dhe arrestimin e katër shtetasve:
Denis Shema, vjeç 32, banues në Shkodër.
Kushtrim Kraja, vjeç 27, banues në lagjen “3 Heronjtë”, Shkodër.
Ridvan Keqi, vjeç 31, banues në Fushë Kuqe, Kurbin.
Saimir Keqi, vjeç 37, banues në Fushë Kuqe, Kurbin.
Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe specialistët për hetimin e narkotikëve në DVP Lezhë” thuhet në njoftimin e Policisë në 2015.
Sakaq, bëhet me dije se hetimet po vijojnë, ndërsa materialet e grumbulluara janë referuar në Prokurori.
