Pas 72 orëve në qelitë e Komisariatit nr. 4 të Tiranës, i arrestuar për “Përndjekje” dhe “Mashtrim kompjuterik” abuzuesi “gjerman” Aldor Nini doli para gjykatës së Tiranës i prangosur dhe futur në kafazin e xhamtë, ku prokurorja Elona Alvora, gjyqtari Ardit Mustafaj dhe avokati Dritan Hajro diskutuan për masën e sigurimit që duhej marrë deri në përfundim të hetimeve.
Pa filluar gjyqi, Nini sillej në kafaz i çorientuar psiqikisht por i kthjellët vetëm kur pyeste avokatin e tij, Hajro “Ç`thotë prokurorja…do e bëjë?”. Avokati i zënë ngushtë bënte me shenjën “Mos fol!”. Me pas avokati kërkoi të dalin jashtë mediat dhe gazetarët, pasi çështja kishte të dhëna “sensitive dhe private”. Edhe pse mashtruesi e dhunuesi i femrave, artistëve dhe këngëtarëve, Aldor Nini, nuk ka lënë asnjë privatësi e intimitet të tyre pa nxjerrë nëpër rrjete sociale, prokurorja Alvora dhe gjyqtari u kujdesën të nxjerrin mediat jashtë dhe të diskutojnë mes tyre për bëmat e Aldor Ninit.
Pas tre orësh ata vendosën që Aldor Nini duhet të mbahet në “arrest shtëpie” deri në pagimin për tre ditë të “Garancisë pasurore” 10 milion lekë të vjetra, sipas nenit 236 të Kodit të Procedurës Penale. Ninit iu mor pasaporta e shtetësisë gjermane dhe patenta për të mos u lejuar të lëvizë. Por dhunuesit të femrave dhe artistëve iu la mundësia e lirisë që ta blejë atë me 10 mijë Euro dhe mundësia e përdorimit të pajisjeve elektronike, çdo ditë më pas. Praktikisht kriminelit iu la në duar arma kibernetike për të vazhduar dhe vrarë viktima të pafajshme. Aldor Ninit iu la nga prokurorja “akuzuese” Alvora, mundësia që të vazhdojë dhe të përndjekë vajzat me mjete kibernetike. Iu la mundësia të zhdukë provat e krimit që ka kryer deri tani.
Prokurorja Elona Alvora ra dakord me avokatin Hajro për masën “Garanci pasurore” edhe pse mbi Aldor Ninin dhe Acromax rëndojnë akuza publike për mënyrën se si ka arritur ky person lunatik që me evazion fiskal dhe mashtrim të dhjetra artistëve, të ketë gjendjen financiare që ka. Avokatët e pranishëm në korridoret e gjykatës u habitën kur dëgjuan për masën që u vendos ndaj Ninit, dhe thanë: “Gjykata nuk duhet të kishte pranuar mundësinë financiare si garanci, pa e ditur pastërtinë e burimit të të ardhurave dhe mënyrën e përfitimit të tyre. Si mund të lejohet një person i përfshirë në krim me qëllim përfitimi, të përdorë produktet e veprës penale në një proces të ligjshëm duke ligjëruar kështu si burim, vetë aktivitetin kriminal?!”
Prokurorja Elona Alvora/ Foto: Edmond Hoxhaj
Për tre orë, korridoret e gjykatës folën goxha shumë, edhe pse nuk ka asnjë provë të besohet thashethemi se, prokurorja e “gatçme” Elona Alvora ka njohje me avokatin Dritan Hajro, ithtar dhe kandidat i PD-së së Lulit.
Drejtësia iu “shit” dhunues Aldor Ninit 10 mijë euro apo ca më shumë, por kjo vetëm për pak kohë, për pak ditë. Të gjitha vajzat e dhunuara, këngëtarët, artistët, viktima të “arkitektit gjerman” Aldor Nini apo të kompanisë mashtruese “Acromax”, po organizohen për ta kërkuar drejtësinë që nuk shitet as blihet, atje në shtetin gjerman. Atje ku dhunuesi i grave e vajzave nuk mund të shpetojë paq si shpëtoi përkohësisht sot, nga prokurorja Elona Alvora dhe gjyqtari Mustafaj.
Avokati Dritan Hajro, kandidat i opozitës.
* Newsbomb.al i kërkon falje prokurores Eliora Elezi, për përdorimin e emrit të saj në versionin fillestar të këtij artikulli. Redaksia e ka korrigjuar shkrimin menjëherë pas konstatimit nga prokurorja. Ka qenë një lapsus informacioni pa pasur qëllim të shkruajmë për një prokurore që nuk ka lidhje me çështjen dhe që nuk ka qenë në sallë!