Ambasadorja e SHBA në Tiranë ka mbërritur pak momente më parë në Kryesinë e Kuvendit. Yuri Kim do të takohet me Enkelejd Alibeaj, kryetar i komanduar i Partisë Demokratike.
Edhe pse nuk ka një njoftim zyrtar, Kim dhe një përfaqësues i lartë i SHBA po takojnë drejtuesit e partive më të mëdha politike në vend, në kuadër të zhvillimit të zgjedhjeve lokale të 14 Majit.
Më herët, Kim ka qenë dhe në selinë e Partisë Socialiste ku është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm Damian Gjiknuri. Në mungesë të kryeministrit Edi Rama, i cili ndodhet në Berlin për një vizitë zyrtare, ambasadorja e SHBA është takuar me numrin dy të kësaj force politike.
Më vonë, Yuri Kim pritet të shkojë dhe në selinë e Partisë së Lirisë, e drejtuar nga Ilir Meta. Ndërsa, nuk dihet nëse ajo do të takohet me ndonjë përfaqësues të grupimit të drejtuar nga Sali Berisha, pasi ligjërisht lidershipin e PD e ka Enkelejd Alibeaj.
