Policia e Shkodrës ka reaguar menjëherë pas videos së bërë publike, ku një efektiv policie shfaqej teksa vidhte para nga një auttomjet i cili ndodhej në lavazh.
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër bën me dije se punonjësi i Policisë nënkomisar Sh.Gj, është pezulluar menjëherë nga detyra, si dhe Drejtoria e Standarteve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimin disiplinor ndaj tij për shkelje të rëndë.
Gjithashtu, lidhur me këtë rast është vënë në dijeni edhe Agjencia e Mbikqyrjes Policore për marrjen e masave të mëtejshme.
Në videon e publikuar nënkomisari Sh.Gj me me detyrë specialist i Policisë së Rendit në Komisariatin e Policisë Shkodër shihet teksa i afrohet mjetit që ndodhej në lavazh. Kamerat e biznesit kanë konstatuar efektivin i cili ka marrë zarfin e mbushur me para, pasi i ka numëruar shumën e ndodhur në zarf ai i ka fshehur në kapelen e tij.
Njoftimi i plotë:
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër
Në lidhje me një video të publikuar në portalin JOQ në të cilën shfaqet një punonjës policie në shkelje të procedurave standarte të punës, ju sqarojmë se:
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër ka pezulluar menjëherë nga detyra punonjësin e Policisë nënkomisar Sh. Gj., me detyrë specialist i Policisë së Rendit në Komisariatin e Policisë Shkodër, si dhe është njoftuar edhe AMP në lidhje me rastin.
Ndërkohë Drejtoria e Standarteve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimin disiplinor për shkelje të rëndë.
Policia e Shtetit siguron qytetarët se është e vendosur për të mos toleruar asnjë rast të abuzimit me detyrën apo të cenimit të imazhit të Policisë dhe të besimit të qytetarëve të Policia e Shtetit.
