Mbrëmjen e sotme emisioni “Stop” ka publikuar audio-regjistrimin e dhunës barbare që disa mjekë të spitalit të Fierit kanë ushtruar ndaj qytetarit Ardit Klima. Ky i fundit ndodhet në burg për shkak se akuzohet për dhunë ndaj bluzave të bardha, por emisioni “Stop” vërtetoi se Klima ka qenë i dhunuari.
Në materialin e publikuar nga emisioni, dëgjohet se si sesi mjeku neurolog Enver Halili, së bashku me mjekun Ndriçim Kallashi dhe një tjetër të quajtur Luli e kanë rrahur të riun, pavarësisht lutjeve të tij për të mos e goditur. Pas publikimit të audio regjistrimit, në spitalin e Fierit kanë zbarkuar efektivët e policisë.
Ndërkohë ka ardhur edhe reagimi i Ministrisë së Shëndetësisë, në të cilin thuhet se dënohet ashpër çdo formë dhune. Ministria njofton se ka ngritur edhe një grup hetimor për të zbardhur ngjarjen.
Njoftimi i plotë i MSHMS:
Nisur nga denoncimi i ngjarjes se rëndë në emisionin Stop në TV Klan,
Ministria e Shëndetesisë dhe Mbrojtjes Sociale dënon ashpër çdo formë dhune dhe e konsideron njësoj të papranueshëm çdo akt të tillë, ndaj bluzave të bardha dhe ndaj çdo qytetari.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka ngritur menjëherë një grup pune për të kryer një hetim administrativ mbi ngjarjen dhe njëherësh nxit organet kompetente të kryejnë zbardhjen sa më të shpejtë të saj.
