Ish-kryebashkiaku socialist i Durrësit, Vangjush Dako është zyrtarisht i arrestuar. Ai ndodhet në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ku po merret në pyetje nga grupi hetimor dhe prokurori i SPAK, ndërsa avokati ka thënë se ky institucion po vepron nën trysni.
Në një deklaratë për mediat, pas marrjes së dëshmisë së Dakos, avokati Petrit Ismaili është shprehur se klienti i tij është vetëdorëzuar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, kur pasditen e sotme ka parë emrin e tij në media.
"Prokuroria e Posaçme nuk po mban dot ekuilibër nën trysninë mediatike, të politikës dhe të ndërkombëtarëve. Nën këtë trysni, po merr masa të nxituara. Gjykoj se s'ka qenë fare e nevojshme masa e "Arrestit me burg".
Jam unë që kam njoftuar Policinë për vendndodhjen. Dako ka qenë në Tiranë dhe kur kemi parë në media, kemi njoftuar autoritetet përkatëse, kanë ardhur dhe kanë ekzekutuar vendimin. Është vetëdorëzuar në Drejtorinë e Policisë Tiranë.
Bëhet fjalë për dy vendime kolegjiale, jo vendime të zotit Dako, në fushën e ndërtimit. Bëhet fjalë për një pallat me leje ndërtimi të rregullt, të dhënë nga Bashkia Durrës. Ai është in gatshëm të ballafaqohet me drejtësinë", u shpreh avokati i Vangjush Dakos.
Më tej, Petrit Ismaili ka thënë se ish-kryebashkiaku i Durrësit është në gjendje të mirë shëndetësore. "Nuk ka ndonjë problem shëndetësor, natyrisht pjesa emocionale", u shpreh avokati mbrojtës pasi u pyet nga gazetarët.
Prokuroria e Posaçme ka lëshuar këtë martë dhjetë urdhër-arreste për ish-zyrtarët e Bashkisë së Durrësit. Mes tyre, mësohet se është dhe ish-kryebashkiaku socialiste Vangjush Dako.
Bashkëpunëtorët në vite të Dakos dhe ai vetë, akuzohen për dy vepra penale që lidhen me korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës. Nga natyra e këtyre veprave penale, ato kanë lidhje me periudhën kur ata kanë qenë në poste të caktuara në Bashkinë e Durrësit.
