
Tashmë përplasje mes Olsi Bylykut dhe Top Channel është përshkallëzuar, pasi televizioni ka çuar në gjyq aktorin e humorit. Ai duhet të paraqitet në gjykatë më 16 korrik të këtij viti, pasi Top Channel pretendon se ka shkaktur dëm.
Vetë Olsi e ka publikuar foton në Instastory, ku shkruan: Gabim shumë i madh!

Po çfarë thotë neni 608 dhe neni 654?
Përgjegjësia për shkaktimin e dëmit
Neni 608
Personi që, në mënyrë të paligjshme dhe me faj, i shkakton tjetrit një dëm në personin ose në pasurinë e tij, detyrohet të shpërblejë dëmin e shkaktuar. Personi që ka shkaktuar dëmin nuk përgjigjet kur provon se nuk ka faj. Dëmi quhet i paligjshëm kur është rrjedhim i shkeljes ose i cenimit të interesave dhe i të drejtave të tjetrit, që mbrohen nga rendi juridik ose nga zakonet e mira.
Neni 654
Personit që ka paguar detyrimin e një tjetri duke besuar se ishte debitor, në bazë të një lajthitjeje të kryer pa faj, mund t’i kthehet ajo që ka paguar, me kusht që kreditori të mos jetë privuar në mirëbesim prej titullit dhe garancive të kredisë. Kthimi i pagesës duhet të shoqërohet me frytet dhe kamatat, në kushtet e parashikuara në dispozitat e mësipërme.
Në llogarinë e tij në në “Instagram”, pak ditë më parë Olsi ka shkëputur një copëz të projektit të ri e cila shihet qartë që është “sulm” për Top Channel. Ndër të tjera aktori dhe këngëtari s’ka lënë pa përmendur as arsyen e vërtetë të eleminimit nga Big Brother Vip.
“Isha duke e menduar pak sot, se ndoshta juve ju vjen për të qeshur… Po si përfunduam kështu ne? Me të qeshur me të qeshur. “Klanifornia” u mbyll, na lanë pa punë, pa rrogë, pa gjë, mes 4 rrugëve, si përfunduam kështu ne? Ikëm tek ‘Top-i’ për më mirë, na nxorën për dy javë. Domethënë na nxori populli sepse s’ka lidhje ‘Top-i’ me atë pjesë, as produksioni po… Po hajt, shyqyr ju kam juve. Mërziten ndonjëherë ata të shtëpisë…”, dëgjohet të thotë Olsi.
Kujtojmë se rrugëtimi i Olsit brenda në shtëpinë e “Vëllait të Madh”, zgjati shumë, shumë pak. Pas daljes nga shtëpia në shenjë revolte ai fshiu të gjitha fotot në Big, nuk u paraqit në asnjë nga takimet në Top Channel, madje më pas përmes një postimi e bëri të qartë që rrugëtimi i tij u pre në mes nga produksioni i këtij formati dhe jo nga publiku.
