Genar Topalli dhe partnerja e tij Cindy Marina kanë kurorëzuar dashurinë këtë fundjavë, në një ceremoni magjike të zhvilluar në Vatikan, ku kanë marrë dhe bekimin e Papa Leos. Një bekim që e shndërron martesën e tyre në një kujtim të përjetshëm.
Teksa ndan një fotografi të bukur nga ceremonia, Topalli thotë se për të si nënë, ky moment është i paharrueshëm.
"Në Bazilikën e Shën Marisë të Altarit të Qiejve, në Romë, Genari dhe Cindy kurorëzuan dashurinë e tyre. Si nënë, ky ishte një moment i paharrueshëm, plot emocion e mirënjohje. Uroj që martesa e tyre të jetë gjithmonë e mbushur me dashuri, respekt e bekim nga Zoti", shkruan politikania demokrate.
Copëza nga ceremonia janë publikuar nga të ftuarit në rrjetet sociale dhe ato tregojnë për një atmosferë vërtet magjike, kurse vendi i zgjedhur - Vila Miani, një kështjellë nga ku shihet gjithë Roma, e gjitha shndërrohet në një moment të paharrueshëm.
Edhe djali i Jozefina Topallit, Genari ka publikuar fotografi nga kurorëzimi dhe thotë se është njeriu më me fat në botë që ka gjetur partneren e tij të jetës, shpirtin e tij binjak.
"Sot nis një kapitull i ri i jetës sonë, një rrugëtim i përbashkët i ndërtuar mbi dashuri, besim dhe përkushtim. Me Cindyn pranë meje, ndihem njeriu më me fat në botë — sepse kam gjetur shpirtin tim binjak, shoqen time më të mirë dhe dashurinë e jetës sime.
Faleminderit familjes, miqve dhe të gjithë atyre që janë pjesë e këtij momenti të paharrueshëm. Sot në Romë, nën qiellin e hapur, dashuria jonë merr formën më të bukur të saj: përjetësinë. 13/09/2025", shkruan Genari.
