Tirana
clear sky
30.5 ° C
30.5 °
30.5 °
48 %
3.6kmh
0 %
Mër
28 °
Enj
38 °
Pre
39 °
Sht
31 °
Die
31 °
E mërkurë, 17 Gusht, 2022
spot_img

Rrëfimet e vrasjeve të Nuredin Dumanit, “pentito” i SPAK zbuloi vrasjen e Elvis Dedës, pronarit të “Wilson” dhe pagesat për kundërshtarët (E PLOTË)

spot_img

Lajme të ngjashëm

Nuredin Dumani, një ndër vrasësit me pagesë më të rrezikshëm në Shqipëri, ka rrëfyer prej një muaji detaje nga ngjarjet ku ka marrë pjesë e madje ka treguar dhe porositësit. Ai është bërë i penduar i drejtësisë dhe ka treguar me detaje të gjitha ngjarjet kriminale.

Nuredin Dumani ka rrëfyer për ekzekutimin e Fatmira Dedës, ngjarje e ndodhur në vitin 2014. Ai ka treguar se vrasja e saj është bërë nga Talo Çela, pasi kërkonte drejtësi për vrasjen e djalit të saj Elvis Deda në vitin 2013. Ky i fundit sipas të dhënave nga dosja është ekzekutuar nga miku i Dumanit, Henrik Hoxhaj dhe Fatmir Qoli, i shpallur në kërkim.

albsig

Një tjetër ngjarje e rëndë e zbardhur është ajo e atentatit ndaj Lulzim Mashës, pronarit të shkollës “Wilson” në Tiranë. Dumani ka thënë se vrasja e tij është porositur nga Suel Çela, dhe kanë marrë pjesë në ngjarje Skerdi Tase dhe Henrik Hoxhaj.

I penduar është dhe “ushtari” i Dumanit, Henrik Hoxhaj. Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, pas 6 muajve hetime dhe me dëshmitë kyçe të dy personave tashmë të vënë në dispozicion të drejtësisë, ka bashkuar 18 dosje penale në një të vetme.

Dëshmia e Nuredin Dumanit – Vrasja e Fatmira Dedës, nëna e Elvisit

“…Gjatë diskutimit Festim Qoli më tha, po më ngushton nëna Ervis Dedes, kjo pasi po interesohej vazhdimisht në Prokurori për vrasjen e djalit dhe ajo akuzonte direkt Festimin. Më kërkoi nëse mund ta ndihmoja me eliminimin e saj. Ajo ishte nëna e Ervisit. Emrin e kishte Fatmira Dedaj. Pasi diskutuam më tha do të japë 40.000 mijë euro po ta vrisja. I thashë do flas me disa persona, nuk e di atë ditë apo më vonë por di që shkova i vetëm në Elbasan tek Talo Çela.

Talon me sa mbaj mend e kam takuar tek lokali/servisi i Gent Sharrës (Gentin e kam njohur nga Talo Çela ne Elbasan, pasi kishim kryer grabitje bashkë. Jeton në Elbasan përballë parkut. Është i gjatë 1.70m, ka flokë kaçurrela të zeza mesa mbaj mend, është diku tek të 50tat, ka një djalë dhe tre goca mesa mbaj mend) në Bradashesh. Ishte diku 300 metra nga shtëpia e Talos në krahun e majtë kur vjen nga rruga e vjetër nga Peqini për në Elbasan, luanim bilardo, poker.

Kam diskutuar me Talon dhe Gent Sharrën për këtë pjesë i thash që janë shumë lekë. Unë i thash më thënë të drejtën janë 30.000 Euro pasi doja të fitoja diçka më shumë. Talo e pranoi ofertën që i thash për momentin…..di që jeton ke rrotondo e luleve kur vjen nga Peqini diku 100m larg ne krahun e djathtë në një pallat të vjetër. Aty afër jetonte dhe ish gruaja e Talos me vajzën. I mbante flokët lart gjithmonë, ishte trup normal i gjatë diku tek 1.75m…. Atë ditë nuk mora përgjigje, ma mori përsipër pothuajse pranoi.

Erdhi pas disa ditësh Talo Çela, i kam treguar vendin, emrin, lëvizjet e Fatmira Dedes. E ndoqa bashkë me Talon me makinë disa ditë, nuk i mbaj mend makinat. Ajo shkonte çdo ditë në varrezat e Durrësit në mëngjes. Ideja ishte ta vrisnim tek varrezat. Në ndjekjen e saj kemi futur dhe Dorjan Shkozën i cili kishte një makinë Suzuki ose Toyota me portobagazh të vjedhur ngjyrë e kuqe. Dorjani e ndiqte dhe na jepte ne të dhënat ku ishte ku shkoi. Talo donte ta bënim tek varrezat pasi sipas tij krijonte lehtësi në largim në drejtim të Spitallës, por unë nuk pranova. Mbasi folëm me Festimin ai më tha që të bëhej tek garazhdi pasi duhej të dukej si grabitje dhe jo si vrasje pasi aty do kishim dhe Agronin që do na ndihmonte me telefon për lëvizjet e saj.

Për çdo lëvizje që bënte Fatmira unë flisja më të vëllain e Festimit, Petritin të cilin e informoja për çdo lëvizje por jo për planin. Petriti merret me biznes. Ka pas ndërtuar pallate, me sa di ka dhe 2/3 pershkarexhe për peshkim. Mesa di ka dhe një piceri Erdogan ngjitur me ish Apolloninë që u shemb pas tërmetit. Petriti është diku sot tek 50-55 vjeç, është 1.80m i gjatë, i shëndoshë mban mjekër gjithmonë. Është i martuar po ska fëmijë. U vendos përfundimisht që ta eliminonim Fatmirën tek garazhdi i pallatit ku banonte. Festimi ndërkohë ishte jashtë shtetit.

Mua më ka thënë që ishte në Itali por mesa mora vesh më vonë nga biseda më të se kishte qenë në Greqi…. Largimi i tij nga Shqipëria ishte i planifikuar. Kishim biseduar më parë që para se të kryhej vrasja duhet të ishte jashtë shteti. Kjo me qëllim që policia mos të kishte dyshime tek ai. Unë e lajmërova Petritin të largohej nga Shqipëria se do mbaronim punë. Unë e di që iku për në Greqi, por nuk e di a është e vërtetë. Mesa mbaj mend Petritin e kam lajmëruar 10 ditë para vrasjes. Mesa di unë iku jashtë. Na dha 2 telefona nokia të vjetër Petriti vëllai i Festimit. Një për mua një për Agronin. Agroni është djali i xhaxhait të Festimit dhe Petritit. Agroni di që merret me ndërtim dhe është diku tek 50 vjeç. Aktualisht nuk e di se ku punon Agroni.

Agroni jetonte në të njëjtin pallat me viktimën. Petriti na i dha telefonat për punë vëzhgimi, kur hyn kur del Fatmira. Ditën e ngjarjes shkuam me suzukin/toyotën, Talo ka kaluar tek pjesa mbrapa ishte me xhama të zinj, unë isha shofer i mjetit. Kemi bërë rrugën dhe po prisnim tek hyrja e garazhdit. Me vete kishim një pistoletë TT dhe një thikë të cilën e mbante Talo Çela. Talo kishte doreza dhe kapuç, ndërsa unë kam pasur vetëm doreza edhe një triko sportive me kapuç dhe kapele, mesa mbaj mend pasi unë isha në timon. Goni na bëri mesazh që Fatmira kishte dal dhe e dinim që do kthehej. Agroni na jepte të gjitha informacionet kur hynte dhe dilte Fatmira. Ajo lëvizte me Citron C4 ishte lehtësisht e verifikueshme.

Kemi pritur kthimin e saj rreth 1 orë dhe e pamë që erdhi, u nisa mbas saj me makinë tek garazhdi, hymë njëkohësisht tek garazhdi. Ajo zbriti nga makina pasi parkoi dhe po dilte për punën e saj. Unë po rrotullohesha tek parkimi dhe Talo doli nga makina dhe po priste momentin. Unë pashë që Talo po e godiste me shqelma, ndërsa ajo nuk reagonte. Talo kishte dhe armën me vete po s’e përdori. Ai përdori thikën më pas për ta eleminuar.

Ajo ishte e shtirë pa ndjenja nga goditjet e tij me grushta dhe shqelma ai i drejtoi thikën dhe më duket se e goditi në qafë. Unë nuk mund ta shikoja dot. Kështu donte dhe Festimi që të ndodhte pasi donte të dukej jo si vrasje por si grabitje prandaj u përdor konflikti. Talo më pas i grabiti çantën, nuk e di se çfarë kishte brenda se kam parë. Isha i tensionuar nga gjaku dhe nga vdekja e zonjës.

Pastaj u larguam, kemi shkuar me të njëjtën makinë deri në Plepa tek ura. Unë mora taksi tek Plepat ndërsa Talo mori makinën dhe nuk e di ku shkoi më pas makina e ngjarjes. Më rëndoi shumë vrasja. Telefonin e hodha tek kanali i ujërave të zeza. Hodha dhe rrobat. Më pas shkova në shtëpi. Pas disa ditësh unë po prisja tek lokali i Festimit ardhjen e Petritit. Me sa mbaj mend Petriti erdhi me një ML gri, më tha dil tek nën kalimi i Shën Vlashit aty bëmë një xhiro me benzin dhe më tha ja ku e ke pagesën. Më falënderoi, më tha që do kemi shumë punë.

Lekët i kishte futur tek marshi i makinës. Eurot që mora kanë qenë në disa prerje. Më la pas xhiros përsëri tek nënkalimi dhe ika më pas në shtëpi. Shkova në Elbasan atë ditë ose të nesërmen dhe komunikova me Talo Çelën që po shkoja ta takoja. Komunikoja vetëm me mesazhe. Talon e kam takuar tek pilafi në Bradashesh, Elbasan. I dhashë 30.000 mijë Euro Talo Çelës dhe 10.000 euro i mbajta për vete. Unë me Festimin jam takuar disa herë më mbrapa por nuk e ka hapur asnjëherë bisedën për vrasjen. Më ka falënderuar për vrasjen dhe më pas kemi prerë gishtat së bashku, jemi bërë vëllezër gjaku. Të shtëpisë time dhe të atij e dinë që jemi vëllezër gjaku”.

Dëshmia e Nuredin Dumanit – Vrasja e Elvis Dedës nga Festim Qoli

“Në fund të vitit 2012 ose fillim 2013 (nuk jam i sigurt), në lagjen 14 ku unë jetoja në qytetin e Durrësit, ishte një person i cili kishte emër dhe reputacion, quhej Festim Qoli. Ai kishte reputacion pasi ka shumë para dhe biznese. Festimi ka pasur një karburant në Shkozet afër Urës së Dajlanit që e ka shitur në vitin 2020. Ka gjithashtu një godinë tre katëshe në zonën e njohur si Nishtulla, në të cilin ka aktivitet Bar Kafe “Spiranca”, ushqimore me shumicë edhe një restorant dasmash. Takoheshim gjithmonë tek lokali i tij që ishte në lagjje. Shkurt e thërrisnim Festa. Si pikë takimi ishte Bar “Spiranca”. Aty u njoha me Festimin, kisha pasur një konflikt më parë me Festim Qolin dhe kushërinjtë e tij pasi i kisha rrahur kushërinjtë.

Më pas u bëmë shokë së bashku. Një ditë ishim duke bërë palestër, tek palestra e Festimit brenda kompleksit të tij, po diskutonim për ngjarjen që ishte vrarë Ervis Deda, që akuzohej Festim Qoli i cili e kishte mbyllur çështjen duke më thënë se vetëm këtyre “qenve” këtu në Durrës ju kam dhënë 200.000 Euro. Këtë e dija se ishte bërë publike. E kam dëgjuar edhe nga njerëz të tjerë që thonin se e ka bërë ai Festo, por unë nuk kisha folur me Feston. Më pas kur krijova relata më të ngushta me Festimin u njoha edhe me Henrik Hoxhën aty e mora vesh tamam që në vrasjen e Ervis Dedës ka qenë Festimi vetë dhe Henriku. Këtë ma pohuan të dy. Festim ka qenë shofer i automjetit që kanë përdorur për të ekzekutuar Ervisin ndërsa ekzekutori ka qenë Henriku me armë automatike.

Festimi ishte 6 muaj në kërkim më pas u kthye. E dinin të gjithë që ishte në kërkim pasi edhe shteti vinte e kërkonte te shtëpia, madje kur erdhi policia që ta merrte në shtëpi kam qenë në lagjje pasi ai shtëpinë e ka te kafja e lagjes dhe mesa mbaj mend e morën me një makinë ML jo me makinë policie. Një ditë kur unë, Festimi dhe Henriku po pinim të tre bashkë alkool dhe kokainë, gjatë diskutimeve duke u mburrur për ngjarjet që ne kishim bërë, ata më treguan sesi e kishin realizuar vrasjen e Elvis Dedaj.

Ditën e ngjarjes ata kanë qenë duke pirë një një lokal anës rrugës së Kënetës në të cilën ka kioska që pjekin mish. Kanë qenë në pritje të informacionit se ku ndodhej Elvisi. Vendin ku ndodhej Elvisi, Festo e ka mësuar nga….ka qenë duke ngrënë drekë së bashku me Elvisin në një restorant në rrugën dytësore pranë Shkëmbit të Kavajës…Festo më ka treguar se e ka pyetur vetë Elvisin me telefon se ku ndodhet? Kjo sipas Festos ka dalë edhe nga hetimet.

Pasi Elvisi është ngritur nga tavolina ka shkuar në makinë për t’u larguar, në atë moment Festimi me Henrikun kanë qenë duke e pritur. Sapo Elvisi është futur në makinë ka shkuar Henriku dhe e ka qëlluar me armë. Pas ngjarjes janë larguar me makinën Mitsubishi L200, të cilën e kanë djegur në Kodër Arapaj. Nga djegia e makinës Festimi ka djegur vetullat dhe fytyrën.”

Dëshmia e Nuredin Dumanit – Vrasja e Bujar Çelës, vëllai i Talo Çelës

“Në lidhje me vrasjen e Bujar Çelës të ndodhur në Elbasan në 17 Shtator të vitit 2020 dua të sqaroj se, arsyeja që u vra Bujari ishte se 2 ditë më parë më datë 15 shtator të vitit 2020 u vra miku im Klevis Kapllani në Rrogozhinë (dyshoj se ngjarja është kryer nga Talo Çela dhe njëri nga vëllezërit Manhasa). Arsyeja e vrasjes së Kapllanit ishte se kishte dërguar pistoletën në ngjarjen e Ramazanit tek servisi i Seit Manhasës vëllait të autorit.

Unë u organizova me Enver Diven dhe me Besmir Xhixhën. Komunikova me Erjon Alibej edhe i thashë që do ndërroj objektiv nuk do ti bëj atentat Dine Çamit por do organizoj vrasjen e vëllait të Talo Çelës për të marrë hakun e shokun tim. I thash Erjonit do t’i jap çunave 60.000 Euro, Enverit dhe Besmirit. Jemi takuar në 16 Shtator me Enverin dhe Besmirin në fshatin Pajovë dhe kemi qëndruar gjithë natën në një arë në Pajovë duke pritur orën 04:00 të mëngjesit pasi Bujar Çela në këtë orë çohej për të shkuar tek autobuzat që vinin nga Greqia dhe pinte kafe aty.

Në orën 4:00 kemi shkuar tek shtëpia e Bujar Çelës por na diktuan. Unë së bashku me çunat i shkova para shtëpisë dhe po prisja që të hapej dera e banesës për të dalë jashtë Bujari. Duke qëndruar në pritje vjen pas meje një shtetas të cilin nuk e njihja dhe e pyes kush je ti ? Më tha që jam i shtëpisë këtu. Unë isha veshur me një jelek antiplum dhe i them personit jam i Policisë. I thash çunave, o komandant hajde se na pikasën dhe u larguam.

Unë isha me mjetin Mercedes E Class i vitit 2012 i cili ishte e vjedhur…. Pasi ikëm direkt tek kthesa e Cërrikut që të largoheshim nga lagja e Bujarit. U ktheva edhe njëherë bashkë me Besin dhe Enverin tek lokali ku unë e dija që ai e pinte kafen në mëngjes. Për vendndodhjen se ku e pinte kafen Bujari më kishte informuar Eljo Bitri. Eljon e kisha si informator por në këtë ngjarje nuk e dinte që do vritej atë ditë Bujari… Kur jam kthyer nga kthesa e Cërrikut për te lokali që do kryenim ngjarjen, kam ndaluar tek një karburant dhe kam hedhur naftë.

Më pas shkova drejt vendngjarjes. Nuk e mbaj mend nëse isha unë para apo makina tjetër. Rrugës afër lokalit pashë që doli nga makina Bujar Çela në atë moment bëra rreth rrotullimin dhe e ndalova makinën pak më përpara lokalit. Enveri me Besin ishin me makinën Renault përballë lokalit ku po prisnin që të afrohesha unë. Kur ata më panë që unë zbrita nga makina, Enveri doli nga makina ku po qëndronte dhe shkon në drejtim të Bujar Çelës për ta qëlluar. Personat që ishin në tavolinë me Bujarin u çuan dhe u larguan, në atë moment Enveri e goditi me armën Scorpions 7.65 diku tek 20 herë. Unë shkova për ta qëlluar por pistoleta me ngeci. Ishte pistoleta që me kishte falur Talo Çela. Bujari nuk kishte vdekur akoma por unë e doja të vdekur.

Meqenëse mua mu bllokua arma që kisha thërras Besin që ishte shofer dhe i thash hajde më sill armën. Më tha ça të bëj, i thash ta godiste në kokë. Ai qëlloi dy herë me pistoletë 9 mm nuk e mbaj mend armën. Jemi larguar direkt pastaj secili me makinë të vetë në drejtim të Peqinit ku unë ika shumë para dhe prita sa të vinin çunat me Renault. Ja bëra me shenjë kur i pashë që të ktheheshin tek vendi ku do digjeshin makinat. Çunat e futën makinën dhe e dogjën dhe që të 2 erdhën te makina ime tip Benz.

U larguam deri në Fushë Krujë me benzin….Armët i kemi hedhur në kanal. I kemi hedhur tek rruga dytësore në Plepa tek kanali. Mbas shinave ku është rotondo jemi kthyer djathtas dhe kemi hedhur armët. Nëse shkoj në vendin e ngjarjes mund ta identifikoj vendin. Lekët mi ka sjellë Erjoni nëpërmjet një personi në Vorë ku unë kam nxjerr Enverin dhe Besin të marrin lekët me sa mbaj mend. Erdhën lekët tek unë dhe ja ndava të dyve. Unë nuk mbajta asnjë lek. Të dyve i ranë nga 30.000 Euro për kokë. Unë pastaj u largova për në Kosovë. Arjanit i kam shkruar për këtë ngjarje.”

Dëshmia e Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhës për tritolin në shtëpinë e Talo Çelës

Nuredin Dumani –

“Një ngjarje tjetër për të cilën dua të jap shpjegime është rasti kur i kam vënë eksploziv shtëpisë së Talo Çelës. Këtë ngjarje e kam organizuar unë për llogari të Arjan Spahisë. Fillimisht kam siguruar një sasi lënde plasëse prej rreth 5 kg. Lëndën plasëse nuk jam i sigurtë se ku e kam gjetur, por di se e kam blerë. Lëndën plasëse e kam marrë të përgatitur me sa mbaj mend tek kushëriri i Elio Bitrit për të cilin kam dhënë shpjegime më lart.

Pasi sigurova lëndën plasëse kam biseduar me Henrik Hoxhajn (Riku) të cilit i kam ofruar 15.000 Euro që të bënte vendosjen e eksplozivit. Riku pranoi dhe di që e ka kryer vendosjen e eksplozivit së bashku me nipçen… Faktikisht nga shpërthimi nuk u shemb e gjithë shtëpia. Riku me ka thënë se e kishte ngjitur eksplozivin në dy kollona të banesës së Talo Çelës. Në kohën që është vënë eksplozivi unë isha në Kosovë dhe me Rikun komunikoja në telefon me aplikacionin Sky.

Për këtë ngjarje unë i kam dhënë Rikut shumën prej 15.000 Euro. Pagesën ma ka dhënë Arjan Spahiu i cili më dha 20.000 Euro dhe gjithë shumën unë ja dhashë Rikut. Riku më ka thënë se paratë i ka marrë nga i njëjti person që i kishte marrë edhe në rastin e vrasjes së Emiljano Ramazanit. Unë u nxeha me Rikun duke i kërkuar llogari se përse nuk e kishte kryer punën tamam dhe ai e pranoi gabimin.”

Henrik Hoxhaj –

“Në Elbasan unë kam kryer edhe një vepër tjetër konkretisht në vitin 2020 koha e saktë nuk më kujtohet kam vendosur lëndë eksplozive në banesën e shtetasit Talo Çela. Nuredin Dumani më ka kërkuar që të vendosja lëndë eksplozive tek shtëpia e Talo Çelës e cila ndodhet në Bradashesh tek ura pa vajtur tek magazina e Dines. Për këtë gjë Nuredini më ka ofruar shumën 15-20 mijë euro nuk e kujtoj shumën e saktë për momentin.

Unë e kam marrë përsipër ta kryeja dhe kam porositur një sasi lënde eksplozive mund të ketë qenë rreth 500 gram e përgatitur me kapsolë detonatore me fitil që ndizej me zjarr. Lëndën eksplozive ma ka përgatitur një person të cilin nuk e njoh me emër pasi nuk kam dashur të hyj në muhabet me të. Bombat e përgatitura kanë qenë dy pasi kemi dashur ta rrëzojmë shtëpinë nga themelet. Pasi kisha marrë bombat e përgatitura jam nisur nga Tirana me një automjet Hyundai të cilin e kisha marrë me qera dhe kam qenë në makine së bashku me shtetasin Skerdi Tasi.

Në orët e para të mëngjesit kam arritur tek shtëpia e Talos e cila ishte dy katëshe dhe ishte e braktisur. Unë kam qëndruar tek makina me pistoletë në dorë ndërsa Skerdi ka vendosur bombat njërën tek kollona e parë dhe tjetrën tek e dyta dhe u ka vënë flakën fitilit. Pasi Skerdi ndezi fitilin menjëherë jemi larguar me automjet drejt Tiranës dhe para se të hynim në tunel tek rrotondo kam ndaluar mjetin pasi doja të dëgjoja shpërthimin. Pasi e kam dëgjuar shpërthimin jam nisur për Tiranë bashkë me Skerdin.”

Dëshmia e Nuredin Dumanit – avokati i njohur jep 120 mijë euro për vrasjen e ish-gruas

“Në fund të vitit 2019 ose fillim të vitit 2020 mesa mbaj mend, më kërkon Festim Qoli por se mbaj mend me telefon ose me ndonjë person, takimin e kemi bërë tek shtëpia e Festimit. Kur kam shkuar tek shtëpia më ka kërkuar ndihmë për një mikun e vet. Ishte avokat, ky avokat ka qenë edhe avokati im në çështjen që ka pasur për heqje të lirisë së personit në vitin 2013, mbaj mend që ka pasur një Range Rover të fundit me 444.

Avokati është qeros, i gjatë i dobët me emrin Alban. E kam takuar dhe vetë mbrapa për këtë punë që më tha Festimi. Kam shkuar në darkë tek Festimi, pasi ndenjëm më kërkoi të rrihnim një femër kundrejt pagesës. Kjo femra jetonte në Tiranë tek Kodra e Diellit ja di dhe pallatin nëse shkoj dhe shikoj. Ajo kishte një fiat punto ngjyrë vishnje me sa mbaj mend unë dhe targat mund të kenë qenë 020DI por s’jam i sigurt për këtë gjë. Festimi më tha sa lekë doja që ta beja si punë.

Unë i thash që nuk e kam me qef me e rraf, por do e diskutojmë që ti çojmë dikë tjetër. Festimi ma kërkoi me ngulm këtë gjë pasi donte t`ja bënte si nder mikut të tij që kishte avokat. Këtë punë Festimi donte shumë që tju realizonte pasi kur ra tërmeti në nëntor, ju prish kompleksi dhe kërkonte dëmshpërblim nga shteti dhe avokati do e ndihmonte që të merrte 500.000 euro. Festimi më çoi afër te shtëpia e saj dhe më tha se kush ishte objektivi. Unë e pashë atë ditë dhe e fiksova si pamje.

Nga ajo ditë unë e ndoqa disa ditë vetëm për ti mësuar intenerarin dhe më pas e kam ndjekur një ditë me Asllan Plakun por ai nuk ma mbushi mendjen dhe e lashë si punë që të ma bënte ai dhe më pas i thash Eljo Bitrit dhe një djalë tjetër që nuk ja mbaj mend emrin dhe as si pamja nuk e mbaj mend mirë. E kam ndjekur gruan edhe me Eljon dhe atë djalin dhe i tregova ku rri çfarë bën. Mbaj mend që ajo blinte byreqe në drekë tek një byrektore një kioskë njëkatëshe afër një shkolle, ajo rruge ka qenë mbrapa ish tregut elektrik mbaj mend që nga ajo rrugë dilje te një spital dhe më pas tek Tegu.

Ajo merrte çdo ditë byrek aty, ndonjëherë ajo pinte dhe kafe në një lokal në katin e 2 me disa gra të tjera. Pasi e pa Eljo se ku ishte u sigurua për personin dhe unë ika pastaj. Dua të shtoj se Festimi donte patjetër që ti thyenim një këmbë ose një dorë. Eljo mbasi mbaroi punën më ka shkruar mesazh dhe më pas kemi pirë kafe duke më thënë që e kreva atë punë. Më tregoi që i kishte rënë me grushta fytyrës derisa e kishte parë që kishte qenë duke i dalë gjak nga fytyra. Godija ka ndodhur brenda në mjeti. Goditja ka ndodhur përballë byrektores.

Unë e prisja gruan që kur dilte nga shtëpia nuk e mbaj mend orën, dhe e ndiqja deri tek byrektoret në fakt e ndiqja kudo që shkonte ajo, doja të dija me imtësi rrugët që bënte ku shkonte që ti jepja informacion të plotë çunave. Shkova te Festimi i kërkova lekët por ai nuk ishte i kënaqur sepse nuk kishim thyer as këmbë as dorë por vetëm turinjtë. Festimi në atë moment kishte folur me avokatin. Avokati nuk ishte i kënaqur sepse nuk ishte arrit kërkesa e tij, ai donte që gruaja e tij të ishte sa më e dëmtuar.

Avokati pagesën ja dha Festimit dhe i kishte kërkuar Festimit që të bënim një takim të 3 të shkoja dhe unë që të diskutonim që ta eleminonim gruan e tij komplet pasi nuk donte që të ishte më gjallë. Mesa di unë avokati nuk donte që gruaja e vet të ishte gjallë pasi ajo e kishte tradhtuar me një shokun e vet të ngushtë. Duke e ndjek gruan unë e pash në fakt edhe të dashurin që vinte tek shtëpia e kësaj gruaje në Kodrën e Diellit, e kam parë disa herë. Ishte një burrë rreth të 45 – 50, trup i shëndosh i madh.

Takimin e bëmë në një lokal në Tiranë, vendin nuk e mbaj mend se ishte natë. Isha unë me Festimin dhe më vonë erdhi edhe avokati me një person tjetër që kishte dalë nga burgu pasi e kishte nxjerrë avokati. Në tavolinë avokati më shprehu pakënaqësi për punën e pabëre siç duhet dhe më pas më tha më mirë që shkoi kështu pasi më është shtuar inati dhe dua ta eliminoj fare.

Më ofroi çmimin e 120.000 eurove për ta mbaruar si punë. I thashë është shumë pak për një femër. Më thanë nëse nuk e bën ti do ti them Gjegj Cukalit ta bëj pasi më ka borxh për një nder pasi e kam nxjerr nga burgu. I thashë vazhdo me Gjergjin unë se marr përsipër këtë gjë. Ndenjëm dhe gjysmë ore tjetër por nuk e diskutuam më këtë gjë.

Ai po na tregonte se për rrahjen mos u bëj merak ti as shokët pasi po iku për të bërë denoncim ajo unë shefin e komisariatit e kam njeriun tim dhe ndërhyn ai që për këtë ngjarje të mos arrestohet kush. Pastaj ikëm për punën tonë unë me Festimin në Durrës. Gjatë rrugës Festimi me tha pse se mere atë punë pasi ai është robi jonë dhe do na bënte shumë ndere dhe punë të tjera se do e kishim në dorë atë pasi ai ka lidhje me gjyqtarë dhe prokurorë. Edhe unë për atë punë e mbaj afër atë. Ai pinte shumë mall, kokainë. E mbyllëm si muhabet dhe se hapëm më.”

Dëshmia e Nuredin Dumanit – Grabitja e një shtëpie në Shijak

“….Grabitja e radhës ka qenë në Shijak në vitin 2013, kemi qenë 5 veta, unë, Talo Çela, Gent Sharra, Gon Qafa… Informacionin për grabitjen na e dha Dorjan Shkoza pasi familja e tij jetonte një kat më poshtë personit qa do banim grabitjen. Dori na thoshte që personi që jetonte mbi banesën e tij merrej me pulari. Informacionin e kishte motra e Dorit, e cila kishte hyrje dalje me të zonjën e shtëpisë, e cila i kishte thënë se në dollapë kishte mbi 500.000 Euro.

Tek kjo shtëpia ishin dy çuna të vegjël 10 vjeç, zonja e shtëpisë dhe vjehrra. Në këtë ngjarje kemi përdorur një mjet ML ngjyrë blu e errët, e rregullt me targa të vjedhura. Ky mjet ishte në emrin tim. Kemi shkuar në orën 4 të mëngjesit sepse në atë orë dilte i zoti i shtëpisë.

Dera ishte e blinduar dhe Talo e hapi atë 3-5 minuta pasi kishte me vete veglat që hapte dyert. Pasi u hap dera u futëm brenda të gjithë vetëm Gon Qafa ngeli jashtë me automatik në dorë. Sapo kemi hyrë brenda kemi parë plakën që po dilte nga tualeti. Plakën e mbylli Talo në tualet dhe filloi të shante.…

Ata vazhduan kontrollin dhe unë kam ndenjur aty që të mos bërtiste gruaja dhe fëmijët. Me erdhi keq për fëmijët e saj dhe i ledhatova nga faqet. Kur kjo gruaja doli në televizor ka thënë se njëri prej autorëve u soll mirë. Në një kuti kursimesh janë gjetur rreth 3000 Euro dhe jemi larguar. …Më vonë mora vesh se njeri prej çunave që morri pjesë në grabitje kishte marrë dhe unazat e kësaj zonjës…”

Dëshmia e Henrik Hoxhës – Plani për të vrarë Sokol Sanxhaktarin

“Gjatë një bisede Nuredini më tha se kishte marrë një ofertë për vrasjen e shtetasit Sokol Sanxhaktari që ishte dhëndri i kryebashkiakut të Elbasanit Qazim Sejdini. E lamë për të takuar shtetasin Bled Muça pasi Nuredini e kishte marrë porosinë prej këtij shtetasi. Takimi me Bledin nuk u realizua pasi u realizua vrasja e vëllezërve Haxhia.

Në lidhje me përgatitjen për vrasjen e Sokolit, Nuredini kishte çuar njerëz për të marrë informacion mbi lëvizjet e tij dhe kishte mësuar se Sokoli dilte në mëngjes ose mbasdite i shoqëruar nga një person i armatosur, me makinë që të dy. Për ta takuar Bled Muçën do shkonim të dy kurse për ta bërë punën do ta bëja unë sepse nuk doja që lekët të ndaheshin me persona të tjerë.

Ai që do të përdorej si shofer në vrasje do të ishte dhe informatori për lëvizjet e Sokolit. Unë do të merrja 150.000 euro ndërsa shoferi 50.000 euro. Kjo shumë më është thënë mua nga ana e Nuredinit. Nuk e di arsyen se përse do të kryhej vrasja. Unë nuk kam kryer asnjë takim me asnjë person përveç se me Nuredinin.”

Dëshmia e Henrik Hoxha – Do të vrisnin Elton Kilën, në atentat ra vet Nuredin Dumani

“Ne jemi nisur nga Fieri rreth orës 09.15, unë dhe Nuredini, ai me BMV X5 me targa AA…. dhe unë me automjetin Benz me targa AA…. Unë isha para BMV për të hapur rrugën dhe Nuredini pas meje. Para se të niseshim, Nuredini ka futur në automjetin BMV X5 dy automatikë kallashnikov me fishekë në fole dhe dy pistoleta. Unë kam ndaluar për ti hedhur benzit tim karburant në një karburant që nuk kishte kamera para se te shkosh te Jet Oil në Rrapëz.

Kam hedhur 30 mijë lekë naftë ndërsa Nuredini në këtë kohë ka parkuar në rrugë para karburantit tek një xhep rruge. Pasi hodha naftën unë jam nisur për destinacion dhe rreth orës 11.30 kam arritur në Elbasan. Unë vazhdoj për në qytet duke marre unazën dhe jam kthyer tek karburant “Feleqi” ndërsa Nuredini me BMV e tij ka qëndruar tek vendi ku rrinte zakonisht tek kryqëzimi Cërrikut.

Nuredini do të qëndronte aty derisa unë ta njoftoja që kisha në sy personin qe do të vrisnim. Në ikje e sipër kam kaluar para vendit ku shet makina personi qe do vrisnim dhe nuk e kam parë të ishte aty dhe për këtë arsye kam futur makinën time për ta larë tek një lavazho që është përballë me servis “Kadiun” dhe vetë jam ulur në lokal për të pirë një birë. Kam qëndruar tek lokali rreth një orë e gjysmë dhe më pas bëra një xhiro me makinë duke kaluar para pikës së shitjes së makinave të personit që do të vrisnim me qëllim për të parë nëse personi ishte aty por nuk e kam parë personin aty dhe kam vazhduar rrugën për qytet dhe më pas jam kthyer dhe kam shkuar për të ngrënë diçka tek lokali “Eurodriza” tek Rotondo në hyrje të Elbasanit.

Gjatë kësaj kohe unë i thashë Nuredinit se nuk e kisha parë personin që do vrisnim por kam fiksuar një benz të parkuar aty jashtë dhe e kam pyetur Nuredinin nëse personi që ne kërkonim kishte apo jo benz por ai më tha që donte parë ai mjet. Unë e pashë mjetin por nuk fiksova persona dhe kam njoftuar Nuredinin për faktin.

Duke parë këtë gjë mosgjetjen e personit që ne kërkonim unë jam ulur për të ngrënë buke tek “Eurodriza” siç thashë ku kam qëndruar për një kohë të gjatë, dhe më pas jam çuar dhe kam ikur me mjetin Benz përsëri tek lavazho te “Kadiu”. Qëndrova tek lavazhi dhe e lava përsëri mjetin nga jashtë për të shtyrë kohën dhe ndërkohë që automjeti po lahej vazhdoja komunikimin me mesazhe me Nuredinin. Ai më ka thënë se vazhdonte të qëndronte aty ku e kisha lënë në fillim tek kryqëzimi Cerrikut.

Në një moment Nuredini më pyeti me sms duke më thënë që edhe kjo ditë na iku bosh. Pas këtij mesazhi unë kam qëndruar edhe rreth 10 minuta dhe jam nisur drejt Nuredinit, vendit ku ai kishte parkuar automjetin. Rrugës për aty më ka ndaluar policia rrugore dhe sapo më lanë të lirë policët nga Nuredini më ka ardhur sms ku më ka njoftuar të shkoja ta merrja se e kishin plagosur.

Unë nuk kam arritur ta pyes se çfarë ndodhi por kam ecur drejt tij. Unë kam konstatuar mjetin BMV X5 me targa AA801 të dëmtuar anash rrugës në krahun e majtë timin me drejtim Elbasan Peqin anash një restoranti. Ndalova tek mjeti duke marrë kthesën dhe kam shkuar direkt paralel me mjetin BMV.

Aty kam parë se mjeti BMV i kishte gomat dhe disqet e dëmtuara pashë shishen e benzinës së hapur dhe kam spërkatur pak me të me qëllim djegien e mjetit BMV por nuk kam mundur ta ndez. Gjithashtu kam fiksuar Nuredinin i ulur tek sedilja e parë e pasagjerit të mjetit BMV me këmbën e djathtë të zbritur poshtë dhe po lëvizte me vështirësi por unë e kam kapur nga sqetullat për ta lëvizur pasi kishte dhimbje sepse më tha se ishte plagosur në kurriz.

Unë e kam futur Nuredinin në makinën Benz tek sedilja prapa nga ana pasagjerit dhe kur po e fusja në makinë kam parë se ai në xhepin e djathtë kishte një armë zjarri pistoletë model izraelit Boll-5 si dhe në sediljen e parë të pasagjerit ku ai ishte ulur gjendjen pistoleta model TT të cilën unë e kam futur në brezin tim. Unë nuk kam fiksuar brenda mjetit BMV dy automatikët kallashnikov që kishte vendosur tek makina BMË Nuredini para se të niseshim. Mora TT e futa në brez, mora dhe armën Izraelite e lashë në makinë. Pasi hipa Nuredinin në makinë me shpejtësi jam nisur drejt Fierit pa ndaluar në asnjë vend. Rrugës e kam pyetur Nuredinin se kush i kishte shtënë me armë dhe ai më ka thënë se një mjet Benz me targa të Elbasanit të vjetra ku ndodheshin tre persona me maska i kishin shtëne me armë në befasi. Direkt nga Elbasani kam shkuar tek shtëpia në Fier dhe me vështirësi e kam futur Nuredinin në ashensor dhe më pas tek shtëpia ku ishte e dashura e tij.

Kur e futa në shtëpi e kam zhveshur Nuredinin dhe pasi u zhvesh ai filloi të villte. Menjëherë duke parë gjendjen e Nuredinit kam dalë dhe kam kërkuar për ndihmë mjekësore ku kam gjetur shtetasit Bledar Berdalli, dhe dy tjerët nuk i njoh me emër të cilët i kam të njohur në qytet dhe janë me profesion mjek e infermier. Të tre ata kanë ardhur tek shtëpia dhe i kanë dhënë ndihmën mjekësore Nuredinit për sa kishin mundësi dhe më pas janë larguar.

Rreth orëve të mbrëmjes orën e saktë nuk e di mua më ka kapur policia në trotuarin para pallatit ku ishte Nuredini dhe në brez më ka gjetur armën TT që kisha marrë nga makina e Nuredinit. Më pas kam parë që policia u fut edhe te hyrja e pallatit ku ishte Nuredini. Unë jam shoqëruar në polici dhe nuk fiksova gjë tjetër se çfarë ndodhi aty.”

Dëshmia e Nuredin Dumanit – Tentativa për të vrarë Lulzim Mashën

“Gjatë komunikimit që kam pasur me Suel Çelën në Matrix më dha një kontakt të një mikut të vet, që ishte i interesuar për eliminimin e pronarit të shkollës Wilson. Më dha kontaktin e këtij personi dhe me këtë person fola disa ditë dhe më kërkoi eliminimin e pronarit të shkollës Ëilson për shumën 150.000 Euro. Më kishte dërguar disa foto, garazhin e banesës (i cili ishte me hyrje dhe dalje të ndryshme), në zonën e Bllokut, foton e personit që kishte shkollën, foto ku ishte së bashku me gruan dhe djalin e tij në një restorant.

Unë fillimisht që të kryeja këtë punë i kërkova 200.000 Euro. Ai më ofroi shumën prej 150.000 Euro. Këtë person nuk e kam parë asnjëherë dhe nuk e njoh dot. Në telefon regjistrova vetëm numrin e kontaktit të tij. Për këtë vrasje unë kontaktova Henrik Hoxhaj (Rikun) dhe shokun e Rikut që thirrej nipçja dhe për të cilin kam dhënë shpjegime edhe më parë. I thashë Rikut që do ti jepja 100.000 Euro që të kryente këtë punë. Me Rikun kontaktova në telefon me aplikacionin “Matrix”.

Rikun në Matrix e kam regjistruar kusho. Riku pranoi dhe unë i dhashë atij fotografinë e personit si dhe të ambienteve që mi kishte dërguar i interesuari për të realizuar vrasjen. Henriku më ka treguar se pronari i shkollës Ëilson e pinte kafen zakonisht te lokali përballë garazhit.

Gjithashtu, Riku më ka thënë se ndjekjen e pronarit të shkollës Ëilson e ka bërë edhe …………. që ka lokalin në …….., duke informuar Henrikun për lëvizjet e tij pasi banesa e tij ishte afër me lokalin e ………… Riku ka ardhur në Kosovë me një makinë Ëolksvagen Passat ose Pheiton dhe në bisedë me të i thashë për objektin që duhej të vriste si dhe i dhashë një armë skorpions 7.65 mm të cilën e mbaja vetë. Mbaj mend që Riku ka ardhur edhe një herë tjetër dhe më ka takuar në Kosovë ku ishte së bashku me nipçen. Kur ka ardhur me nipçen Rikut i kam dhënë edhe një pistoletë.

Organizimin e vrasjes së këtij personi e ka bërë Riku. Gjatë kohës që unë isha në Kosovë, kam komunikuar me Rikun nëpërmjet telefonit, i cili më kërkoi një automjet për të realizuar atentatin ndaj pronarit të shkollës Ëilson. Për këtë unë i kam shkruar …………………, të cilit i kërkova një automjet për punë (atentate) …Makina ishte Golf 4, ngjyrë blu e errët. Këtë makinë Riku e ka marrë dhe e ka sjellë në Tiranë dhe më ka thënë se është në një garazh por se di se ku. Në dijeninë time kjo makinë nuk është përdorur për punë nga Riku.

Pagesën për këtë makinë ia ka bërë Riku personit i cili ka dalë me një Jep Cheroke blind. Riku më ka treguar se, kur ka shkuar të marrë makinën e kanë pritur dy persona, ku njëri prej tyre e ka nxjerrë makinë 30 metra larg nga blindi dhe më pas kanë qëndruar të dy në makinën e blidnuar duke pritur mbërritjen e Rikut, “nipçes”… Sipas Rikut njëri nga personat në blind ka qenë trup i mbushur dhe qeros. Ditën e ngjarjes Riku komunikoi me mua në Matrix dhe me tha “kusho lëre se u fëlliqëm”. Riku më tha se i ishte bllokuar arma.

Sipas Rikut në drejtim të objektivit ka qëlluar nipçja. Nuk e di se çfarë makine kanë përdorur për të vajtur apo për tu larguar nga ngjarja. Pas ngjarjes i shkrova kontaktit që më dha Suel Çela dhe i thashë me fal se dështuam. Ky personi me tha se e kishte marrë vesh dhe më tha të jenë mirë çunat. Fola dhe me Suelin për këtë por e trajtuam si me shaka, pasi ai ishte i kujdesshëm në bisedë. Për këtë porosi Henriku ka marrë 10.000 Euro kapar.

Personi i cili ishte i interesuar dhe që ma kishte dhënë Sueli, më tha nxirr dikë te Tegu të marri kaparin prej 10.000 Euro. Më pas unë komunikova me Rikun të cilit i thashë të shkonte te parkingu i Tegut që të merrte 10.000 Euro. Henriku më ka thënë se ka shkuar me një makinë ML dhe kur ka qenë te parking e kam thënë të presi në makinë, më pas i ka shkaur te xhami një person që i ka dhënë porosinë prej 10.000 Euro. Edhe pse puna nuk u krye nuk e kemi kthyer shumën prej 10.000 Euro”.

Dëshmia e Nuredin Dumanit – Tritol në restorantin e Mustafa Subashit në Durrës

“……Për Festimin kam bërë një shpërthim me eksploziv në vitin 2020, në plazh në Durrës, e kam bërë pa lekë. Petriti, vëllai i Festimi, ishte gërric me një person që kishte një restorant dhe hotel afër disko Colombos afër urës së Dajlanit. Pasi jam takuar me Festimin ai më shprehu shqetësimin që kishte vëllai i vet Petriti dhe më tha do ma bësh këtë punë (vendosjen e eksplozivit). Më dërgoi vetë te lokali 10-12 ditë para ngjarjes për të më treguar vendin se ku ndodhet.

Më pas planin e bëra vetë. Lëndën plasëse ma siguroi Elio Bitri një shok që do flas dhe më poshtë. Djali i tezes së Elio Bitrit (Djali i tezes së Elio Bitrit ishte diku te 35 – 40 vjeç, i shëndoshë, i shkurtër sa unë, nga Elbasani, konsumator droge) punonte në një firmë që hapnin tunele. E kam blerë nga Elio 300 Euro materialin. Djali i tezes së Elios na siguroi materialin, ishte gati vetëm për të vënë shkrepësen.

Pasi mora lëndën kam shkuar me një biçikletë çiklisti tek vendi ku do kryeja shpërthimin. E kam vendos me 2 pjesë të ndryshme që të bëja dëme tek restoranti. E vura shkrepësen dhe ika pastaj. Isha veshur si plak, u rrezova me biçikletë. Në momentin që u rrëzova erdhën 2 djem për të më ndihmuar por s’pranova dhe ika. Ke ura Dajlanit mora biçikletën në krahë pasi është malore. Këta 2 djem më ndoqën nga pas për të më kapur por nuk mundën. U futa për në Shkozet më pas dhe ika për në shtëpi. Më falenderoi Festimi të nesërmen për këtë ngjarje.”

Dëshmia e Nuredin Dumanit – Vjedhja me armë e Xhemal Liçit

“……Në vitin 2013 me sa mbaj mend më takon Talo Çela në një dyqan që unë kisha pas daljes nga burgu. Në këtë dyqan tregtoja këpucë të përdorura. Talo ishte së bashku me Gent Sharrën me një mjet tip Regina. Më tha se kishte një punë për të bërë por na duhen njerëz nga këtej duke nënkuptuar Durrësin. Desha të dija hollësi se për çfarë shume bëhej fjalë dhe ai më tha se bëhej fjalë për 200.000 Euro. Aktiviteti i personit ishte doganier në Korçë por se mbaj mend mirë ose ky ose vëllai i tij. Me tha se nëse isha dakord që unë duhet të shkoja vetëm ditën e ngjarjes por me vete duhet të kisha dhe një person nga ana ime.

E pranova punën dhe pas një farë kohe Talo më shkruan hajde takohemi. Kam shkuar dhe kam marrë Dorjan Shkozën sepse Dori në atë kohë ishte në konflikt me Gon Qafën për arsye borxhesh. Për ta nxjerrë nga situata e kam marrë Dorin me vete. Kemi shkuar me furgon të  linjës Durrës– Elbasan dhe atë natë kemi fjetur tek shtëpia e Talos. Në shtëpinë e Talos erdhi Gent Sharra, ishte Talo unë Dorjan Shkoza dhe shtetasi Ardjan Çollaku. Ardjani do të na ndihmonte pas grabitjes. Talo e kishte bërë planin me Gent Sharrën.

Ditën tjetër në mëngjes jemi çuar  dhe kemi shkuar tek vendi me një Opel të vjedhur, ngjyrë të bardhë. Në automjetin tip Opel ishim unë, Talo Çela, Dorjan Shkoza dhe Ardjani i cili ishte shofer. Vendi ku do të shkonim ishte lagjja Kala, Elbasan. Kemi pritur disa minuta aty duke pritur të dilte personi. Shohim që personi del nga një shtëpi dykatëshe para së cilës ishte parkuar në rruge një automjet veturë Benz me portobagazh. Ky personi ishte rreth 50 vjeç, zeshkan. Ai hap derën e mjetit dhe futi një çantë në sedilen e pasme së bashku me një armë gjahu me sa mbaj mend. Aty kemi zbritur unë, Talo dhe Dori. Dori me Talon u konfrontuan me personin duke e qëlluar me armë dy herë në gjoks  dhe  një herë në këmbë.

Në gjoks e gjuajti Talo ndërsa në këmbë e gjuajti Dori. Në këtë moment unë marr çantën dhe shkoj tek mjeti Opel. Dua të shtoj se jam afruar dhe unë në momentin e konfrontimit pasi kam lenë çantën sepse personi ishte i fuqishëm dhe e kam goditur me shkelm në bark. Të gjithë jemi larguar tek magazina e Ardjanit ku kemi lënë mjetin Opel. Kjo magazinë ndodhej në Fushë Mbret. Nga aty mua me Dorin me ka marrë me mjetin e tij nipi i Ardjanit me një benz të bardhë dhe na çoi në rrugën Elbasan – Peqin ku kemi ndaluar një furgon dhe jemi larguar për Durrës.

Në këtë ngjarje kemi pasur të veshur rroba sportive dhe kapuç ku duken vetëm sytë dhe goja. Pas rreth 1 jave ka ardhur Talo Çela se bashku me vëllain e vet Bujarin dhe kanë shkuar tek puna e Dorit. Dori vjen dhe me thërret mua dhe shkojmë së bashku me Dorin në Shënavlash tek vaskat e peshkut. Talo lekët i kishte tek makina e vëllait dhe na ndau 19 ose 20.000 Euro…. Të njëjtën shumë sa unë kishte marrë edhe Gent Sharra, Talo, Ardjan Çollaku dhe Dori.”

Dëshmia e Henrik Hoxhaj – Plani për të vrarë Endrit Doklen

“Po kështu Nuredini më ka dhënë porosi për vrasjen e shtetasit Endrit Dokle. Kjo ka qenë rreth para një viti ku unë bisedoja shpesh me Nuredinin të cilin unë e njihja edhe me emrin Luli. Në një nga këto biseda që ne po kryenin në telefon ai më thotë do gjetur ku është Endrit Dokle dhe duhet të merrnin masa për ta bërë.

Çmimi ishte mbi 500.000 euro pasi sipas Nuredinit personi nga i cili kishte marrë porosinë i kishte thënë kërko sa të duash, para i kishte lënë dorë të lirë tek çmimi. Gjithashtu, Nuredini kishte informacion se Endriti jetonte tek një vilë në kompleksin Rolling Hills. Po me makinë me qira kam shkuar deri tek TEG për të vënë re nëse mund ta shihja Endritin, por nuk e kam parë.

Nga muhabete lart e poshtë kisha dëgjuar se Endriti lëvizte me një fuoristradë të blinduar Toyota. Në një nga këto lëvizje tek TEG unë e kam parë këtë makinë tek rrotondo që ndodhet tek diga e liqenit artificial afër kopshtit zoologjik. Thjesht e kam parë, por nuk kam bërë asnjë ndjekje. Ky objektiv nuk ishte i lehtë dhe kjo porosi ngeli vetëm me fjalë dhe nuk kam kryer asnjë veprim. Nga bisedat në celular me Nuredinin e kemi lënë pezull dhe kemi biseduar për gjëra të tjera. Nuk kisha dijeni se ku ndodhej Nuredini gjatë kësaj kohe që unë po kryeja verifikime për Endritin.”

Dëshmia e Nuredin Dumanit – Tentativa për të vrarë Arben Çetën

Nuredin Dumani ka shpjeguar se ka qenë shtetasi Talo Çela që i ka kërkuar të vriste këtë shtetas, ka qenë Talo që i ka treguar se cili ishte personi që do të vritej, se si ka studiuar lëvizjet e këtij shtetasi për disa ditë. Talo i ka dhënë si ndihmës shtetasin Tom Çela i njohur si Tom Qorri i cili do të ishte edhe ai në vrasje.

Talo i ka thënë se këtë porosi e kishte marrë nga shtetasi Kamber Mehja, se për këtë vrasje do të merreshin 60 000 Euro, ndërsa vetë Nuredini do merrte 30 000 Euro. Në këtë ngjarje do të vinte dhe Talo si shofer.

Nuredini shpjegon se ka takuar Kamberin i cili i ka dhënë një armë si dhe i ka treguar se ku ishte personi që do të vritej. Kanë shkuar tek lokali dhe Talo me makinë qëndron jashtë ndërsa Nuredini hypi në një pishë që ndodhej në anësoren e parkingut te lokalit. Makinën e personit e kishte rreth 15 metra larg dhe e shikonte.

Nuredin Dumani –

Tomi ishte jashtë parkingut dhe do të ndërhynte nëse do të rrezikohej jeta ime. Pas rreth 1 orë e 20 min del personi nga lokali dhe ishte i shoqëruar me persona te tjerë. Zbres nga pisha dhe shkoj në drejtim të tij me armë në dorë. Ai më pa por jo vetëm ai edhe personat që ishin së bashku me të. Pasi më pa tentoi të nxirrte një grua para tij dhe u largua duke u fshehur nëpër makina. Unë e ndiqja dhe e qëlloja. E kam plagosur në këmbë. Kur ai donte të hynte në lokal e ndoqa nga pas por mua më mbaruan fishekët dhe ia vura pistoletën tek koka por shoh qe pistoleta s’kishte me fishekë.

Ai më thotë çfarë ke me mua? Unë nuk i them asnjë fjalë. Në këtë ngjarje kam qenë i maskuar me kapuç në kokë ku dukeshin vetëm sytë dhe goja dhe me rroba peshkimi. Largohem në drejtim të makinës ku më priste Talo dhe në atë moment Tom Çela qëllon mua pa dashje pasi ngatërroi objektiv dhe plumbi kap xhamin e makinës së atij që do të vrisnim. Më pas jemi larguar të tre në drejtim të Cërrikut. Unë në kthesën e Cërrikut afër stacionit të trenit marr A Clasin tim dhe i ndjek nga pas, Talon dhe Tomin deri në Cërrik.

Aty e lëmë benzin e ngjarjes në një parking pallati dhe atë benz e ka hequr Talo të nesërmen. Tek ura e zezë kemi hedhur armën e ngjarjes dhe rrobat dhe jemi larguar. Me makinën time kam çuar Talon dhe Tomin në lokalin e Talos që ndodhet përballë burgut në Metalurgjik. Për këtë ngjarje nuk morëm lekë pavarësisht se Talo më premtoi. Më vonë rashë në burg dhe s’kisha kontakte më me ta.”

Dëshmia e Nuredin Dumanit – Grabitja e parë në Elbasan, 8.3 kg flori

“Grabitja e parë që kam bërë ka qenë tek një argjendari në Elbasan, në fund të vitit 2010 fillim 2011. Ka qenë 8.3 kg flori si dhe 30 ora ose diçka më shumë. Kam pas njohje me një Ilir Feçi, ky kishte lidhje me disa persona nga Elbasani që ishin të kësaj fushe.

Ilirin e kam njohur në 2010 nga një tregtar që shiste perde, unë në atë kohë isha më paterica. Emrat Gentian Sharra dhe Talo Çela i kam njohur fillimisht prej Ilirit. Ilirit në 2010 i kam shitur një pistoletë për të përfituar një shume prej 300 eurosh nga të cilat do fitoja 80 mijë lekë të vjetra.

Pistoletë jugosllave me sa mbaj mend Zastava. Organizator ka qenë Gentian Sharra dhe neve na mori Talo Çela. Ne pritem (unë dhe Ilir Feçi) këtë zotëri që kishte florinjtë e kam goditur unë i pari me levë hekuri, mbas qafe ose në kurriz të njëjtën gjë bëri dhe Iliri, mua me ra leva nga dora. Kam marrë një nga çantat.

U vonuam pak dhe me pas u larguam bashkë me Sharrën. Ngjarja ka ndodhur në parkim rreth orës 7:30 – 8:00. Ishte një parkim i hapur. Informacionin e kishte Gent Sharra. Kanë qenë 2 çanta një e kam marrë unë tjetrën e ka marr Ilir Feçi. Talo Çela po na priste tek makina me Gent Sharrën shoqërues, këto ishin për mbrojtje. Kishim një makine benz blu e errët, nuk jam i sigurt për ngjyrën, tipi 200-250.

Shkuam më pas tek shtëpia e Talo Çelës e cila ndodhet në Bradashesh, një shtëpi private 3 katëshe. Në shtëpi kam shkuar vetëm unë dhe Talo Çela. Iliri po na priste në rrugë me një makinë Rover me targa italiane. Çantat i lamë në katin e 3 të Talo Çelës dhe më pas u larguam. Eshtë shitur më pas në Korçë nga Iliri me gruan e vet e cila quhet Fije, në shumë 12 milion të vjetra një kg flori. Lekët mi dha Iliri mbas 10 ditësh, u takuam tek lagja.”

Dëshmia e Nuredin Dumanit – Grabitja në makinën e Gëzim Mamiut (31 maj 2013)

“Grabitja e radhës ishte po në Shijak dhe informacionin për personin e kishte shtetasi Dorjan Shkoza. Ngjarja ka ndodhur po në vitin 2013. Personi që kishte servisin ishte nga Shijaku dhe kishte një benz C Class, ngjyrë gri, i vitit 2005 dhe jepte lekë me fajde.

Dori e kishte informacionin se personi mbante lekë me vete në një çantë gri/valixhe. Emrin këtij personi nuk ia mbaj mend. Në këtë grabitje kam qenë unë Talo Çela, Agim Gjini i cili ishte topall nga Durrësi dhe personi me pseudonimin “………….”. Gimi ka qenë shofer me një Benz 2500 i vjedhur, ngjyrë blu, me targa të vjedhura.

Makinat e vjedhura në atë kohë i linim tek garazhi i Gim Gjinit. Kanë zbritur Talo Cela me ………….. dhe servisi ndodhej në aksin rrugor Maminas-Vorë, servis kamionash. Kemi shkuar aty dhe kemi parë se kishte shumë njerëz. Talo Çela kishte në dorë automatik, unë skisha gjë, ndërsa …………… kishte dhe ai kallashinkov.

Shkova tek makina e personit një C Class dhe thyeva xhamin e pasagjerit krahu i shoferit dhe kam kontrolluar makinën në brendësi. Kontrollova dhe bagazhin dhe aty gjeta rreth 18-20.000 Euro të cilat ishin të vendosura në gomën rezervë. Morëm lekët dhe ikëm. Kemi shkuar tek garazhi i Gim Gjinit dhe kemi ndarë lekët. Me sa mbaj mend kemi marrë rreth 4500 Euro.”

Dëshmia e Nuredin Dumanit – Grabitja e një shtëpie në Berat (20 prill 2017)

“Në vitin 2017 kam dalë nga burgu dhe tek dera e burgut të Rrogozhinës më pret Talo Cela me një Benz E class ngjyrë vishnjë e vitit 2012. Së bashku me të ishte dhe shtetasi Dorian Shkoza dhe më kanë çuar në shtëpi. Pas disa ditësh më tha Talo për një grabitje ku do te merrnin pjesë shumë persona.

Ishte një shtëpi në një fshat të Beratit dy katëshe nga Poshja e Beratit ose Kosova se mbaj mend fiks. Më ka lajmëruar Talo në telefon me sms duke më thënë “hajde duku”. Kam shkuar tek vendi i quajtur Pilafi duke i marrë një kushëririt tim një Porche Cayen dhe aty kam takuar personat Talon, Eljo Bitrin, Kel Kamamin, Gent Sharren.

Kemi qëndruar 1,5-2 orë dhe më pas kemi shkuar tek kafja e Gent Sharres duke pritur qe të errësohej. Në afërsi të servisit të Gent Sharrës Talo kishte një garazh pronar i së cilës do të vinte me ne të merrte pjesë në vjedhje. Këtë person nuk e kisha parë asnjëherë dhe nuk ia di emrin.

Shkuam e morëm tek garazhdi këtë person dhe në mjetin që do të përdornim në vjedhje kemi hypur unë, Talo Çela dhe Eljo Bitri. Ky ishte një benz C class i vjedhur. Në afërsi të Belshit jemi takuar me Kel Kamanin që ishte së bashku me tre persona të tjerë të cilët nuk i njihja. Keli ishte me një mjet C class edhe ai të vjedhur. Jemi nisur të dy makinat në drejtim të fshatit ku do të kryenim grabitjen. Kemi parë një herë zonën nga larg ku ndodhej shtëpia dhe kemi bërë rrethimin e shtëpisë.

Plani ishte që unë me Kelin do të thyheshim derën të hynim brenda sepse informacioni ishte se në shtëpi kishte shumë njerëz. Kemi vënë re se një prej personave të shtëpisë ndez dritën dhe shkon në banjë. E pamë këtë moment si të përshtatshëm që të hynim në shtëpi. Unë kisha në dorë kallashnikov dhe Keli kishte po kallashnikov.

U mbajtëm me njëri tjetrin dhe të dy njëkohësisht i ramë derës me shkelm. Dera u hap dhe ajo ra në tokë. Neutralizuam burrin që ishte në tualet dhe hynë çunat e tjerë. Unë me Kelin mbajmë burrin dhe gruan dhe të tjerët kontrollonin për lekët. Njëkohësisht pyesja burrin se ku i kishte lekët. Ai thoshte që nuk kam. Pasi kemi qëndruar rreth 20 min duke kontrolluar s’gjetëm gjë lekë vetëm një pistoletë TT.

E morëm pistoletën, telefonat ua thyem për të mos patur kontakt dhe marrim gjithashtu dhe benzin e të zotit të shtëpisë dhe largohemi. Benzi ishte E class ngjyrë gri prodhim i vitit 2004-2005. Për tu larguar marrim rrugën Berat-Lushnjë Fier. Në Fier pa shkuar tek rotondo e fundit hedhim benzin në një kanal.

Tentuam që ta hedhim por ai nuk ra plotësisht. Kthehemi me dy mjetet dhe marrim rrugën për në Elbasan për nga Rrogozhina. Pistoletën e mbajtën nuk e di se kush dhe unë pas disa kohësh kam shkuar në Francë ku më pas rashë në burg, në Bordo.”

spot_imgspot_img

Më shumë

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img