Sot më 7 qershor, qytetarët e Kosovë u drejtohen kutive të votimit për zgjedhjet e nivelit nacional, duke shënuar procesin e tretë zgjedhor parlamentar brenda një periudhe kohore 16 muajshe.
Burimet bëjnë me dije se procesi i votimi në mbarë vendin ka startuar, ndërsa pritet të përfundojë në orën 19:00.
Vendi organizon sot sërish zgjedhje për Kuvendin e Kosovës, zgjedhje të cilat vijnë pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025 dhe zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit 2025.
Votimi i tanishëm vjen pas dështimit për të arritur konsensusin e nevojshëm për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Sipas KQZ-së mësohet se të drejtën e votës në këto zgjedhje e kanë 2.092.174 qytetarë, ose 15.884 më shumë krahasuar me zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025.
Ndërsa bëhet me dije se votimi brenda Kosovës do të organizohet në 949 qendra votimi me 2.550 vendvotime.
Prej të cilave, 911 qendra me 2.498 vendvotime do të shërbejnë për votimin e rregullt, ndërsa 38 qendra, nga një në secilën komunë, me 52 vendvotime do të jenë të dedikuara për votimin me kusht.
Ndërkohë, votimi jashtë vendit, përveç atij përmes postës, është organizuar në 30 përfaqësi diplomatike të Kosovës, përkatësisht në 17 ambasada dhe 13 konsullata.
Në këto përfaqësi janë vendosur gjithsej 47 vendvotime, ndërsa votimi fizik i diasporës u zhvillua ditën e djeshme më 6 qershor 2026.
Numri i votuesve të rinj që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e parakohshme më 7 qershor, është: 22,685 votues, prej të cilëve:
16,934 votues konsiderohen të rinj që, pas zgjedhjeve për Kuvend (28.12.2025), kanë arritur moshën 18 vjeç dhe do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, që do të mbahen më 7 qershor.
Prej tyre 8,752 (51.68 %) janë meshkuj, ndërsa 8,182 (48.31 %) janë femra; dhe 5,751 votues konsiderohen të regjistruar për herë të parë në Regjistrin Qendror Civil midis dy palë zgjedhjesh, ose votues që kanë rikthyer shtetësinë e Kosovës.
Sipas të dhënave nga ky raport, numri i përgjithshëm i votuesve që janë larguar nga LPV pas zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës (28.12.2025) është 6,801. Ky numër përfshin:
6,165 votues të larguar si persona të vdekur, të evidentuar nga Agjencia e Regjistrit Civil (ARC);
419 votues të larguar për shkak të humbjes së shtetësisë së Republikës së Kosovës, të evidentuar nga ARC; dhe 217 votues të larguar nga lista votuese pas pranimit të dhënave nga KGjK.

