Prestigjozja italiane "La Repubblica" shkruan se kryeministri shqiptar Edi Rama ka telefonuar dje drejtorin e televizionit "RAI 3", Paolo Corsini dhe i ka kërkuar "llogari" për reportazhin që shkruante për korrupsionin në Shqipëri, lidhjet e politikanëve me mafian dhe njollat në qeverisjen e tij.
"La Repubblica" shkruan për zhvillimet brenda televizionit shtetëror italian dhe thotë se mes shumë halleve që Paolo Corsini ka, dje duhej të dëgjonte në telefon dhe Edi Ramën, siç e përshkruan gazeta italiane këtë moment.
"Dje, pavarësisht se kishte shumë për të menduar, ai madje duhej të dëgjonte në telefon kryeministrin shqiptar Edi Rama, i tërbuar për episodin e Reportazhit për marrëveshjen Itali-Shqipëri për çështjen e emigrantëve", thuhet në artikull.
Emisioni në "Rai 3" i ka dedikuar një reportazh zhvillimeve në Shqipëri, politikës, mafias shqiptare, bashkëpunimit me organizatat ndërkombëtare, korrupsionit dhe akuzave të opozitës ndaj vëllait të kryeministrit, Olsi Ramës.
Mes personazheve që intervistohen dhe shfaqen në kronikë është dhe Sali Berisha. Gazetari italian Giorgio Mottola dhe stafi i tij kanë shkuar në shtëpinë e ish-kryeministrit në rrugën "Mustafa Matohiti", ndërsa i pranishëm ka qenë dhe dhëndri Jamarbër Malltezi.
